Nga ERMELINDA HOXHAJ*

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra ishte përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në homazhet që u bënë ditën e diel në Francë. Prezenca e tij ishte një rastësi; kjo për arsye se ftesa që ditën e shtunë është dërguar nga Kryeministria ishte në emër të kryetarit të KMSH-së, Skender Bruçaj. Por ky i fundit, atë ditë është nisur për një vizitë në Arabinë Saudite, ndaj dhe u zgjodh Gurra, i cili mban edhe postin e kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm në KMSH-së. Gjatë një interviste për “GSH”, Gurra, e cilëson si një gjetje shumë interesante përfshirjen e katër përfaqësuesve të komuniteteve fetare në delegacionin zyrtar të Shqipërisë. “E çmoj gjetjen dhe finesën e kryeministrit në këtë përzgjedhje të delegacionit”, tha Gurra. Ndërsa në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në revistën “Charlie Hebdo”, ai theksoi se kjo ngjarje nuk ka lidhje me fenë, pasi kush e njeh vërtetësinë e profetit Muhamed, nuk mund të vrasë në emër të tij dhe të islamit.

Kur erdhi ftesa nga Kryeministra për të shkuar në homazhet në Francë? Si e pritët?
Të shtunën ka ardhur ftesa dhe, të them të vërtetën, e çmoj për finesën dhe gjetjen, e cila vërtetoi edhe në sytë e mbarë botës se ishte shumë e arrirë. Aq sa dhe vetë presidenti Hollande, në takimin-homazh që bëri kryeministri Rama, i ishte shprehur: “Jam thellësisht i prekur nga përzgjedhja e delegacionit me të cilin erdhët ju.” Mund ta konsideroj se kjo ishte një surprizë, në këtë ditë mbështetjeje për fjalën e lirë, ku ne përcollëm edhe një ndër vlerat më të çmuara të vendit tonë: bashkëjetesën e harmoninë fetare. Kjo do të mbetet në historinë e Shqipërisë dhe të Francës.

Kur jeni nisur nga Tirana?
Delegacioni ka lëvizur me charter dhe kemi fluturuar direkt drejt Parisit, nuk kemi bërë tranzit. Jemi nisur nga Rinasi në orën 09:00, dhe po me charter jemi kthyer në orën 22:00. Udhëtimi mbajti gati dy orë e njëzet minuta.

Me kë udhëtonit veç kryeministrit Rama? Çfarë diskutuat gjatë udhëtimit?
Ishim shumë pak vetë; ne përfaqësuesit e katër komuniteteve, dy ministrat, Bushati dhe Veliaj, dhe këshilltari i kryeministrit. Ishin bërë porositë në ambasadë që të mos bëheshin vonesa. Ambasada i kishte marrë masat që të mos humbej kohë dhe të arrinim në kohë, pasi ora 12:00 kur duhej të bëheshin homazhet në godinën e revistës, dhe më pas marshimi në orën 15:00, duhet të arriheshin. Kryeministri shprehu që, ‘dëshiroja që të jeni dhe ju pjesëmarrës në këtë homazh për të pasur një përfaqësi dinjitoze, dhe urojmë që të dalë çdo gjë mirë’. Dhe faktikisht doli shumë mirë. Me gjithë modestinë, këtë gjë do ta quaja një ditë historike, ndofta në thonjëza. Ne jemi një kombi i vogël, jo në vlera, por në shifra dhe gjeografikisht, i cili gjykon se në një ditë të goditjes së qytetërimit europian, duhet të jetë atje. Efekti ynë atje ka qenë përtej vizitës së Papës.

Në çfarë kuptimi?
Prezenca e katër komuniteteve fetare në homazhet e zhvilluara të dielën, të një vendi që ka dalë nga një diktaturë e ashpër 50-vjeçare dhe me tranzicion, i cili po zgjat prej dekadash, pasi me zor po vendosim themelet e një shteti demokratik, një prezencë e tillë ishte mahnitëse për parisienët. Komunitete fetare islame ka në Francë, Angli, Gjemani, por askush nuk e bëri këtë gjë, që ata t’i merrte si përfaqësi.

Po lapsat që kishte kryeministri në xhaketë?
Pa dyshim edhe lapsat i pashë si një gjetje shumë të bukur.
Ndonjëherë fjalët mbesin pa fjalë, pasi simbolika dhe gjetje të tilla flasin më shumë sesa fjalët.

Kur mbërritët në Paris, kush ju priti?
Veç punonjësve të ambasadës sonë në Paris, ne jemi shoqëruar gjatë gjithë kohës nga forcat e sigurisë. Fatmirësisht nuk pati vonesa e rrugë të bllokuara dhe kemi mbërritur në kohë për homazhet në godinën e revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe më pas për marshimin.

Si ishte reagimi i të pranishmëve?
Prania e përfaqësuesve të myslimanëve ishte ajo që ngjalli më shumë reagim, pasi nuk përjashtohej dhe mundësia e një reagimi negativ. Në fillim pati një hutim, shikonim që njerëzit pyesnin njëri-tjetrin se kush ishim. Por impakti i parë u dha dhe mediat bënë punën e vet, pasi u përcollën pamjet e homazhit. Më tej, duke pritur nisjen e marshimit, në kohën kur kryeministri hyri në takim me presidentin Hollande, dhjetëra qindra persona janë afruar pranë nesh duke kërkuar të bëjnë fotografi, por dhe na kanë falënderuar e na kanë përshëndetur. Edhe mediat e huaja patën interes, të cilat kanë marrë pamje, por edhe intervista; një media italiane dhe një turke në mos gaboj.

Si e gjykoni ngjarjen që ndodhi në Francë, vrasjen e gazetarëve?
Pena, lapsi i lirë nuk është vetëm për satirën. Paralel me të janë dhe liria e besimi, pra nëse do preket liria e fjalës, preket domethënia e vetë jetës. Ju mund të jeni shumë të qartë se çfarë kemi vuajtur ne në një diktaturë 50-vjeçare, ku nuk mund të flisnim lirisht, pasi ishim të kërcënuar nga hija e përgjimit. Ka dhe një gjë interesante: ajo fushë veprimi e lirisë në Francë, nuk krahasohet me vendet e tjera, dhe sidomos me vendet arabe. Duhet të bëj dhe një dallim tjetër, se nuk ka botë islame, por ka vende arabe, të cilat kanë kaluar në trauma të mëdha, pasi nga dinastitë, diktaturat që i drejtonin, kanë kaluar në trauma ku mungonte liria e fjalës dhe e mendimit. Këto kombe, këto mbyllje, prej dekadash gjejnë një lloj ngushëllimi, për fat të mirë janë pak në numër, duke demonstruar se duan të mbrojnë diçka, fenë apo profetin. Profetët, Muhamedi, Isai apo Musai, hyjnizohen; ata janë njerëz si ne. Ajo çfarë ka ndodhur me profetin, nuk është diçka e padëgjuar. E kanë sulmuar, e kanë fyer, e kanë përbaltur deri në kërkimin e eliminimit fizik në 63 vitet që ka jetuar. Reagimi i tij ka qenë aq paqësor dhe i ka falur kundërshtarët e tjerë, të cilët kanë kërkuar eleminimin e tij fizik. Sepse ky është vizioni i një profeti. Nëse ne pretendojmë se jemi pasues të islamit, nëse e njohim vërtetësisht profetin Muhamed, askush nuk mund ta justifikojë vrasjen dhe, aq më pak, vrasjen e njerëzve të fjalës së lirë. Në emër të këtij profeti apo të fesë nuk mund të vritet askush! Aty ku mendohet se duke derdhur lumenj gjaku, mund të vijë paqja apo mund të mbrohet feja, aty ka mbaruar gjithçka që ka lidhje me fenë. Të shenjta janë vërtet, gjaku, pasuria dhe nderi i gjithkujt në fe, ndërsa për të mbrojtur fenë apo për t’u hakmarrë ndaj atyre që e shprehin këtë gjë në kontekste të ndryshme, nuk ka asnjë lloj bazamenti fetar..

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: