TIRANË

E PËRDITËSUAR

Kryetari i PD Lulzim Basha në këto momente po marshon në këmbë për te Drejtoria e Policisë së Tiranës. Basha po marshon së bashku me protestuesit, të cilët pritet që të shkojnë te Drejtoria e Policisë, duke u solidarizuar me ata protestues që mbahen në qeli për shkak të protestave kundër qeverisë.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi nga vendngjarja. Ajo tha për “News 24” se Basha po marshon drejt Drejtorisë së Policisë, ndërsa ndryshe nga 11 Maji, sot nuk ka pasur dhunë të ushtruar dhe as bomba molotov, së paku deri në këto momente.

“Kjo është protesta e 5 kombëtare. Marshimi do të ketë 5 pika ndalimi. Protestuesit janë duke shkuar te Basha, në krah të tij është Shehaj dhe Gazmend Bardhi, i cili është bërë ndër njerëzit më të afërt me Bashën. Ndryshe nga protesta e 11 majit, në këtë protestë nuk janë shënuar incidente të mëdha.

Më 11 maj u hodhën bomba molotov dhe kishte edhe mjete piroteknike të hedhura, duke plagosur edhe policë. Do të vazhdojë marshimi i liderit të opozitës. PD ka thënë se kjo protestë do të jetë e qetë”, tha gazetarja Lala.

18:40 – Zbulohet rruga që do përshkojnë protestuesit e thirrur sot nga opozita e bashkuar në protestën e pestë kombëtare.

Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se marshimi do të nisë nga sheshi “Skënderbej” e do të përfundojë tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

“Itinerari i marshimit të protestës së thirrur nga opozita nis nga sheshi Skënderbej, më pas Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë- Parlamenti- Ministria e Brendshme- Drejtoria e Policisë Tiranë.

Simbolika e këtij marshimi proteste janë institucionet e kapura nga krimi- Parlamenti dhe Qeveria, si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre”, bënë me dije burime nga PD.

Ndërkohë në selinë e PD janë mbledhur një numër i madh mbështetësish në pritje të kreut të PD-së Lulzim Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb