Para 7 vjetëve, Bislim Morinës nga fshati Senovc i Rahovecit, Kosovë i vdiq vajza, Antigona, tri ditë pas martesës. Familja e së ndjerës akuzon ish-dhëndrin Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël (ish-Radost), për vrasjen e së bijës.

Ata po thonë se dhëndri bëri marrëdhënie seksuale me Antigonën, ndersa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte hemorragji të vazhdueshme. Babai i Antigonës thotë se ish-dhëndri i vrau vajzën. Ndërkaq, familja e Hilmiut thotë se Bislim Morina, babi i së ndjerës këtë punë po e bën vetëm për para. Gjykata këtë rast po e konsideron të mbyllur.

Në vitin 2011, Bislim Morina, e martoi vajzën Antigonën me shkues. Por, martesa e saj me Hilmi Zenën nga fshati Malësi e Vogël, zgjati vetëm tri ditë. Sipas Prokurorisë, ajo vdiq si pasojë e gjakderdhjes që kishte pasur nga organet gjenitale, mbrëmjen e parë të martesës, në shtëpinë e burrit të saj ku kishte qëndruar mes datave 27, 28, 29 korrik të vitit 2011.

Babai i Antigonës, Bislimi, ka thënë për Express, se ish-dhëndri ia mbyti të bijën, pasi sipas tij, edhe pas tri ditësh të hemorragjisë së vazhdueshme, Hilmiu nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, por kishte vazhduar të ketë marrëdhënie seksuale të vazhdueshme me të ndjerën.

“Antigona është fëmija i dytë në familje, nga tetë fëmijë sa i kam pas. Unë them që vajzën ma kanë vrarë për dy arsye. Te gjakderdhja një dhe e dyta, vajza me pas gjakderdhje dhe me sjell në atë gjendje pa i ra të fikët nuk ishte bërë. Ata në atë gjendje e kanë çuar te shehu e jo te mjeku. Plus tri ditë e tri net ai ka përdorë seks në trup të saj. Dhëndri Hilmiu e ka pranuar vetë në prokurori se ka bërë marrëdhënie seksuale me qejf në ato tri ditë me vajzën time. Vajzën time ata kur e kanë pa në atë gjendje është dashur që ta çojnë tek mjeku e jo te shehu”, deklaron për Express, babai i së ndjerës.

Më tej, në familjen e së ndjerës deklarojnë se vajza e tyre ka vdekur nga mos dhënia e ndihmës në kohën e duhur.

“Kjo është dorë vrasje. Edhe ma vrasje është që ai nuk i ka dhanë ndihmë. E ka parë me sy se qysh ka qenë e nuk ka reaguar”, thotë babai i Antigonës.

“Vajza nuk ka pasur ndonjë lëndim. Vetëm poshtë nga organet gjenitale vajza ka qenë e nxirë, pleh, si të kish qenë e rrahur. Edhe rrobat kur i kemi marrë për t’i larë, ato lëshonin gjak të zi”, thonë nga familja e Antigonës.

Megjithë këtë, Bislim Morina po kërkon hetim të mëtejmë për këtë punë. Thotë se Hilmi Zena, ish-dhëndri i tij duhet të japë përgjegjësi për veprimet e tij.

Familja e ish-dhëndrit: Babai i së ndjerës këtë punë po e bën vetëm për para
Gazeta Express, të mërkurën, ka biseduar me familjarët e ish-burrit të Antigonës, vajzës së ndjerë. Vëllai i Hilmiut thotë se kjo punë është sqaruar para shumë viteve. Lidhur me këtë çështje ai thotë se edhe gjykata e ka dhënë vendimin.

Vëllai i Hilmiut hedh akuza mbi familjen e së ndjerës. Thotë se babai i saj këtë punë po e bën vetëm për para.

“Ne nuk kemi çfarë të bëjmë më. Dihet se kush është fajtori. Fajtori është prindi i saj i cili nuk e ka këqyrë më së pari te mjeku, me e këqyrë më së pari për problemet që i ka pasur vajza. Unë dy vjet e gjysmë kam punuar në Austri në të zezë për këtë punë, me e martuar vëllain. 24 mijë euro më ka kushtuar e gjithë dasma. E pastaj ne me u kthy e me i bo këto vepra kjo është marri. I kemi pa deklaratat e fundit të familjes së vajzës. Kjo është marri se çka kanë bërë ata. Ai pas 6 vjetëve këqyrë me nxjerrë përfitime, pare. Këtu krejt në pyetje janë paret”, thotë vëllai i Hilmiut.

Në familjen e Hilmiut thonë se ai u martua rreth tri javë pas vdekjes së Antigonës. Thonë se vëllanë e martuan edhe nga inati pasi familja e Antigonës vazhdimisht deklaronte se Hilmiu ia vrau vajzën dhe se kishte qenë edhe në një lidhje me një femër tjetër. Me gruan e tashme, Resmijen, Hilmiu i ka dy fëmijë.

“Nuk është e vërtetë që vëllai jonë ka qenë në lidhje tjetër në kohën sa ai ka qenë i martuar me Antigonën. Ai i ka dy fëmijë me Resmijen (nusen e dytë). Është martuar me Resmijen tri javë mbas, veç pas fjalëve të familjes së vajzës që i kanë thënë për neve”, thonë nga familja e Hilmiut.

Gjykata: Lidhur me këtë rast ne e kemi dhënë vendimin vite më parë
Për gjithë këtë punë, në vitin 2011, Prokuroria e Shtetit kishte nisur hetime. Gjykata e kishte shpallur të pafajshëm Hilmi Zenën. Lënda kishte shkuar edhe në Gjykatën e Apelit. Por edhe kjo e fundit e ka vërtetuar pafajësinë e ish-dhëndrit të familjes Morina, Hilmi Zenës.

Gjykatësi Mizahir Shabani i ka thënë Express-it se vendimi për Zenën është dhënë duke u bazuar në fakte dhe në ligjet në fuqi. Ai thotë se për këtë punë nuk ka se çka të thotë tjetër përpos vendimeve që janë dhënë.

“Gjykata e ka shpallur të pafajshëm Hilmi Zenën, duke u bazuar në faktet dhe ligjet në fuqi. Madje, ky vendim është vërtetuar edhe një shkallë më lart në Gjykatën e Apelit, e cila e ka vlerësuar si vendim të bazuar mirë”, ka thënë Shabani.

Për gjithë këtë çështje, babai i së ndjerës, Antigona Morina, deklaron se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi. Ai po kërkon ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se nëse këta të fundit nuk reagojnë, atëherë ai i vetë do të merret me këtë çështje.

“Unë në këtë situatë nuk do të ndalem. Mesazhi im është i drejtohem ministrit të Drejtësisë mos të më lërë të vritem unë me ta, po le t’i hapë sytë, ta shikojë ligjin, edhe le ta marrë dënimin, unë shukatem. Nëse jo unë kam punë të tjera këtej. Mua me më pre në evlad, në besë, nuk e lejoj”, thotë babai i së ndjerës.

Prokuroria pretendonte se Zena kishte kryer veprën “Shkelja e detyrimeve familjare”
Në aktakuzën për këtë çështje, të bërë nga Prokuroria e Qarkut në Prizren, më datë 12 dhjetor të 2012-s, e të cilën e ka siguruar Gazeta Express, thuhet se Hilmi Zena, burri i së ndjerës Antigona Morina, i ka shkelur vrazhdë detyrimet e veta familjare, duke e lënë në gjendje të rëndë bashkëshorten e tij të porsamartuar, tani të ndjerën Antigona Morinën, në atë mënyrë që pas gjakderdhjeve që i ka pasur nga organet gjenitale mbrëmjen e parë të martesës në shtëpinë e burrit të saj në fshatin Malësi e Vogël, mes datave 25, 26 dhe 27.07.2011, dhe më datë 28.07.2011 në orën 15:00 kishte vdekur.

Në gjithë këtë çështje Prokuroria pretendonte se Hilmi Zena, kishte kryer veprën penale “Shkelja e detyrimeve familjare” nga Neni 212, paragrafi 2 i KPK-së.
I pandehuri, (Hilmi Zena), i pyetur nga prokurori se e ndjera kishte kërkuar ndonjë ndihmë që të shkojë te mjeku gjatë këtyre ditëve, pasi që ka pasur gjakderdhje të mëdha, i njëjti deklaron se ajo nuk ka kërkuar që të dërgohet te mjeku, edhe pse ishte me shëndet të dobët.

aktakuza Marigona

Në 2012-n në procesverbalin e marrjes në pyetje të të pandehurit nga ana e prokurorisë, Hilmi Zena kishte deklaruar se në natën e parë të martesës kishte kryer marrëdhënie seksuale me Antigonën. Sipas tij, ajo kishte qenë e virgjër dhe si pasojë e kësaj ajo kishte pasur gjakderdhje.

procesverbali2_

“Sa më kujtohet mua çdo gjë ka qenë në rregull, dhe unë mendoj se ka qenë në rregull dhe ne të nesërmen ka qenë mirë dhe prapë kemi krye marrëdhënie seksuale, por prapë ka pasur gjakderdhje. Pastaj në ditën e parë në mbrëmje nuk kemi kryer kurrfarë marrëdhënie seksuale, unë nuk kam vërejtur ndonjë shqetësim, por të nesërmen, me dt. 27.2011, kur jemi zgjuar në mëngjes më kujtohet se Antigona ka qenë mirë, nuk ka pasur ndonjë kërkesë”, kishte deklaruar Hilmi Zena para Prokurorisë.

proces1_

Megjithëkëtë, Zena kishte deklaruar se edhe pse Antigona kishte pasur gjakderdhje të vazhdueshme ajo nuk ishte dërguar te mjeku. Thotë se një gjë të tillë nuk e ka kërkuar asnjëherë e ndjera.
Ai kishte deklaruar se me Antigonën dhe familjen e saj deri në vdekjen e saj kishin pasur marrëdhënie të mira.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb