Nga: Fatmira Nikolli

TIRANE – Martin Leka, ka më shumë se një vit në krye të Radio Televizionit publik Shqiptar. Prej dy vitesh, ka qenë nën kujdesin e tij edhe Festivali i Këngës në RTSH, një prej aktiviteteve më të rëndësishme të institucionit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai tregon sfidat 1-vjeçare në krye të RTSH-së, që nga depolitizimi i lajmeve, te refuzimi i ndërhyrjeve të ndryshme, si për linjën redaksionale, edhe për fituesin e RTSH-së. Ai tregon risitë e sivjetshme dhe jep përgjigje edhe për disa ndryshime që kanë ndodhur së fundmi, siç janë tërheqja nga konkurrimi i Kozma Dushit dhe i ftuari special, që nuk do të jetë Konçita.
Sapo keni bërë publikë emrat e prezantuesve të Festivalit të RTSH-së. Pse këta të tre?
Pse këta të tre?! Sepse menduam se në një ndërmarrje të tillë kaq komplekse e të madhe, ia vlejnë! Brenda subjektivitetit të gjithçkaje, qoftë edhe si filozofi, mendojmë se janë gjetur tre moderatorë, secili me profilin e tij, të cilët janë përzgjedhur jo me preferenca individuale, por pas një mendimi e “konkurrimi” thellësisht serioz të stafit.
Pjesa e moderimit të Festivalit apo prezantuesit, fjalë kjo arkaike për kohën e përmasat që ka tani Festivali si institucion, është një nga komponentët e shumtë, por me një ndjeshmëri që i kalon përmasat e asaj çka duket! Nëse do të përmendja emrat e atyre që e dëshirojnë këtë, nëse do përmendja miq e shokë që ndërhyjnë për dikë, nëse do të përmendja andrallat që të sjell vetëm ky komponent, atëherë do të bindeni se sa i rëndësishëm e i pakonkurrueshëm është vetë Festivali i Këngës në RTSH. Nevoja për protagonizëm, edhe pse jo absolute, është pak a shumë si një sëmundje, si një ves, si një drogë… Gjithsesi, unë jam i lumtur për përzgjedhjen, me të tre, Florianën, Turin e Libertën.
Cilët emra u diskutuan?
Besoj nuk është e rëndësishme të përmend emrat e atyre që janë diskutuar. Janë shumë. Besoj e kemi ezauruar përgjigjen me atë që sapo theksova në pjesën e dytë të përgjigjes së parë…
Përpos Konçitës, kë keni të ftuar tjetër?
Pikërisht Konçita, ai/ajo, nuk do të jetë në Festival. Për shkak të impenjimeve të tjera të tij/saj, nuk mundi t’i përgjigjej ftesës sonë. Por, mendoj se publiku do të kënaqet me Alexander Rybak, norvegjezin fitues të Festivalit Europian në 2009-ën, një zë dhe personalitet artistik, i cili ka fituar miliona fansa nëpër botë.
Kozma Dushi e ka braktisur konkurrimin që pa nisur festivali. Përse?
Braktisja dhe largimi me dëshirë për shkaqe personale, janë dy gjëra krejt të kundërta. E para mbart konotacion negativ, ndaj më duhet ta sqaroj dhe faleminderit që ma bëni këtë pyetje. Dua ta sqaroj për ju, për publikun, por më shumë për dikë që është munduar të gjejë “gjilpërën në kashtë” me Kozin… Kozma Dushi konkurroi dhe u përzgjodh ndër këngët e pranuara në Festival. Për shkak të impenjimeve të tij koncertore (me sa di unë, do jetë në Australi, SHBA apo Evropë në koncerte) erdhi dhe na komunikoi tërheqjen e tij nga Festivali. Kaq është historia dhe nuk ka tjetër. E bëra këtë sqarim në detaje që ta marrë vesh ai/ajo dikushi që bën koncerte me playback!
Pse do ketë dy juri këtë vit?
Ka një juri… Ndërsa kjo e dyta, është menduar për një arsye thelbësore: që evenimenteve të tilla artistike e kulturore t’u krijohet mundësia t’u bëhet edhe kritika, përpos vlerësimit. Jemi lodhur edhe ne, por më shumë muzika, duke i bërë elozhe pa fund njëri-tjetrit, gjer në bezdi… Edhe juria pop i përgjigjet konceptit për ta hapur festivalin, për ta nxjerrë nga “kafazi” i akademizmit. Festivali i Këngës ndiqet nga publiku, ndaj përmes jurisë pop u japim një zë njerëzve që jo domosdo kanë lidhje me muzikën në kuptimin profesional, por që e kanë muzikën pjesë të jetës dhe pasioneve të tyre. Ky kampion publiku mund të jetë shumë kritik dhe i vërtetë.
Ka një koncept të ri për Festivalin nga Bledi Laço. Çfarë i sjell atij ky riideim?
Mund të them se Laço është nga ata pjesëtarë të stafit, tek të cilët kam besimin e plotë në përmbushjen e synimit apo bastit tim me veten: të bëj një festival që nuk e keni parë kurrë më të mirë!
Një italiane është skenografe e një italian drejtor fotografie. Të dy personazhe me emër të “RAI”-t, Patrizia Boçoni dhe Marcelo Iazzeti. Kjo përzgjedhje, ka të bëjë me risitë që mund të sjellin ata, apo emrat shqiptarë të fushës nuk iu bindën?
Eksperienca e tyre është një test, i pranuar nga unë pa pikë dyshimi. Kur ta shikoni Festivalin do më jepni plotësisht të drejtë.
Shumë herë, ky festival është krahasuar ose ka tentuar t’i ngjajë “Sanremos”. A mendoni se në këto vite ka krijuar profilin e vet, apo është një kopje e “Sanremos”?
Ky Festival ka identitetin e vet dhe të pangjashëm! Nuk është kopje e askujt! Duroni dhe pak ditë e gjithkush do t’i bëjë pyetjen vetes: “E ç’ka më tepër Sanremo?!”.
Çdo vit, e kanë bërë mediat një debat post-festival. Sivjet, do ta bëni vetë ju. A nuk keni frikë se do ketë shumë shigjeta drejt jush?
Frika ime është vetëm atëherë kur të gjithë të thonë: “Bravo, suksese, i shkëlqyer” etj., etj. E shpreha pak më sipër, por po e ritheksoj më fort: muzika këto vite ka humbur shumë nga mungesa e kritikës! Ndaj këto vite ka një yshtje drejt konsumit të muzikës çfarëdo, muzikës ku në mungesë të notave, u “këndohet” gjokseve me silikon.
Në konferencën prezantuese, u shprehët se këtë vit ka cilësi, për ç‘arsye, ju po e bëni festivalin, duke lënë të kuptohet se nëse nuk do ketë këngë të mira vitin tjetër, ai nuk do mbahet. Gjithsesi, cila është kostoja e këtij eventi?
Që t’i largohemi konfuzitetit: e ritheksoj se prurjet e këtij viti janë tërësisht në pritshmërinë tonë, në të gjithë komponentët që mund të ketë një këngë, që nga kompozitori, këngëtari, teksti, orkestrimi etj. Nuk ka arsye dhe nuk do të ketë arsye që ky Festival të ndërpritet ndonjëherë! Nëse pak më sipër theksova konsumimin gjer në “ndotje” akustike, atëherë çdo kosto monetare për këtë qëllim ia vlen, edhe pse është pothuajse kostoja e përvitshme e planifikuar për një event të tillë kombëtar.
Ia vlen barra qiranë nëse mendojmë prezantimet tona në Eurosong?
Festivali bëhet për shqiptarët, jo për Eurosong! Nëse ky do të bëhej qëllim në vetvete, atëherë ky do të ishte një dështim i madh. Po ju tregoj një histori nga Festivali i 50-të. Gjatë provave, edhe me ndërhyrjet preferenciale që nuk dinin se nga vinin, ishin krijuar dy opinione; e para, nëse duhej të përzgjidhej një këngë për Eurosong dhe e dyta, një këngë që t’i përshtatej traditës së Festivalit. Edhe pse në kundërshtim me ndonjë “epror”, kërkova më këmbëngulje që Festivali të ketë frymën e vet, jashtë këtyre termave e dëshirave preferenciale. Ky ishte rasti i Rona Nishliut, këngës që fitoi çmimin e 5-të në Festivalin Evropian!
Drejtor i RTSH-së prej më shumë se një viti, cilat kanë qenë sfidat tuaja më të mëdha?
Sfida ime më e madhe ka qenë frika e daljes nga liria ime. Besoj këtë sfidë e kam fituar. Një institucion kaq i madh kërkon përgjegjshmëri të lartë, përkushtim maksimal e sigurisht guxim në vendimmarrje. Pa këto, nuk mund të bëhet ndryshimi i mentalitetit. Edhe pse një sfidë e papërfunduar, mendoj se e kam thyer akullin, por kam mbetur ende këtu, për një mijë arsye që nuk varen thjesht nga kreu i institucionit. Kur për herë të parë shpalla një konkurs për Drejtor Departamenti të Sportit, m’u vërsulën të gjithë kundër. Madje kundërshtimet më erdhën edhe nga ndonjë drejtues. Argumenti ishte tragjik: “Të pyesim punonjësit njëherë”?! Fiks njësoj dhe po aq e vjetër sa “Vija e masave”. Mes shumë pengesave e presioneve, pas shumë e shumë letrave me emër e anonime drejtuar institucioneve brenda e jashtë vendit (!), jo vetëm nuk u tërhoqa, por shpalla një tjetër konkurs, atë të Drejtorit të Departamentit të Filmit. Një sfidë tjetër ka qenë depolitizimi komik dhe balancimi i informacionit apo lajmeve. Jam i lumtur që për një vit, nuk më ka rënë telefoni dhe nuk më kanë kërkuar takim për këtë qëllim as kryetari i Kuvendit, as kryeministri, as kryetari i opozitës. Të tjerë që vijnë pas tyre dhe që nuk i mbaj mend, thjesht i kam sqaruar dhe kaq! Përveç këtyre, sot RTSH-ja ka një programacion të kristalizuar, funksional dhe që u përgjigjet kërkesave të publikut e Deklaratës së Qëllimit! Vitin 2014, falë menaxhimit të disiplinuar e përkushtimit të stafit, RTSH-ja e mbyll me buxhetin më të lartë të realizuar ndonjëherë. Por kjo nuk është sfidë, është detyrë!
Por, këto që theksova, janë kaq pak, janë sa për të treguar se këto janë vetëm fillimi. Sfida më e madhe është reforma e thellë dhe e plotë që do të përfshinte të gjithë sistemin në prag të dixhitalizimit. RTSH-ja është një thesar që pakkush e di!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: