Nga FATMIRA NIKOLLI*

Kënga e re me të cilën Elhaida Dani do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong është një pop-baladë kompozuar nga “Zzap’n’Chriss”. Lajmi konfirmohet për “GSH” nga drejtori i RTSH-së, Martin Leka. Teksa sqaron situatën, ai tregon se aktualisht ka përfunduar demoja (melodia) dhe se teksti, që po e boton “GSH” është gati. Ndërkohë është në proces përkthimi i tij në gjuhën angleze, pasi në Vjenë, Elhaida nuk do ta këndojë atë shqip. “Regjistrimi i këngës do bëhet në anglisht, shqip dhe italisht. Zhanri i këngës së re është pop-baladë, një rrymë që anon më shumë drejt trendit të muzikës moderne. Fabula e këngës është një fabul dashurie”, thotë Leka. Ndërsa është tërhequr kompozitori Aldo Shllaku dhe tekstshkruajtësja Viola Trebicka, në ‘lojë’ kanë qëndruar Elhaida Dani dhe tekstshkruesi tjetër Sokol Marsi.

I pyetur se pse në Eurosong po dërgohet sërish Dani, tashmë me një këngë të re (melodi dhe tekst), kur mund të ishte dërguar kënga që në Festivalin e RTSH fitoi vendin e dytë (ajo e Bojken Lakos), Leka sqaron: “Rregullorja e Festivalit të 53-të të Këngës në RTSH ka vetëm një hapësirë, një nen që thotë, se kënga fituese e festivalit është kënga pjesëmarrëse në Festivalin Europian të Këngës. Nuk ka asnjë alternativë të dytë. Është spekulim i madh të thuhet që ekziston mundësia, në fakt nuk është e vërtetë, pasi nuk na e lejon rregullorja”.

tekstiMandej, Leka shpreh keqardhjen për situatën e krijuar dhe hedh poshtë zërat që qarkullojnë sa u takon arsyeve të tërheqjes së kompozitorit. “Me keqardhje e them se kjo nuk duhej të ndodhte. Nuk ka asnjë lloj paragjykimi, sepse i bindemi një jurie profesioniste. Kemi këmbëngulur që kënga dhe autorët e saj të shkonin në Eurovizion. Arsyet pse iku ju i dini (kompozitori nuk i kaloi të drejtat RTSH-së), e vetmja gjë që mund të bënim ishte të ruanim elementët kryesorë të këngës: këngëtarja dhe tekstshkruesi dhe të bënim një këngë tjetër”, tha Leka. Mandej, drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, fton shqiptarët të mbështesin këngën që do konkurrojë, pasi në Vjenë nuk shkon RTSH-ja, po Shqipëria. Leka paralajmëron sakaq se për vitin e ardhshëm do merren masa paraprake që situata të mos përsëritet. “Ky është një test shumë i mirë për ne. Është një provë që na ka vënë në punë për të hartuar një kontratë të re, sa më precize. Përmes konsultave me shumë muzikantë e autorë, ne do të diskutojmë që të gjejmë një mënyrë sa më efikase, ndoshta për të ndryshuar edhe rregullat për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurovizion”.

Një sqarim për të drejtat e autorit

Çfarë është kalimi i të drejtave të autorit nga kompozitori tek RTSH, gjë për të cilën nuk është rënë dakord? Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në RTSH, Kleart Duraj sqaron për “GSH” se çfarë nënkupton kalimi dhe pse u mor vendimi për të bërë një këngë të re. Sipas tij, për të marrë pjesë në Festivalin Europian duhet së pari të kesh konkurruar në një prej festivaleve që organizojnë vendet anëtare. Në këtë pikë, mes autorëve të këngës dhe medias publike (RTSH në këtë rast) lidhet një kontratë, në të cilën të drejtat e autorëve të këngës i kalojnë RTSH dhe RTSH-ja ia kalon EBU, që është organizmi që organizon Festivalin Europian. “Të drejtat janë nga më të ndryshmet, po shpjegoj disa: kënga të jetë pjesë e CD-së përfundimtare të Eurosong dhe të shitet; videoklipi të jetë pjesë e DVD-së zyrtare të festivalit Europian; performanca e saj skenike të jetë pjesë e DVD-së zyrtare; e drejta për shkarkimet në internet; e drejta për ta shkurtuar këngën; aranxhimi, orkestrimi, pra një sërë të drejtash”, thotë Duraj, i cili nënvizon se me kalimin e të drejtave nuk nënkuptohet që kompozitori nuk ka më autorësinë e këngës së tij.

Një kontratë fillestare është firmosur mes autorëve të këngës fituese “Diell” dhe RTSH, e megjithatë, kjo kontratë nuk e mbyll gjithë kuadrin, ndaj bëhet një kontratë tjetër, sepse ka të bëjë edhe me një pagesë për autorët. “Autorët e këngës kur vijnë në RTSH paguhen për këngën, dhe kur shkojnë në Eurosong, marrin një “Royalty fee”, pagesë për të drejtën e autorit që EBU ia paguan RTSH-së dhe RTSH-ja autorëve. Kjo pagesë bëhet kundrejt kalimit të drejtave. Por, kjo çështje nuk ka qenë çështje parash. Ndërkaq, nëse konkurrentët nuk pranojnë të kalojnë të drejtat, kënga nuk merr dot pjesë në festival, është taksative. Kontrata e EBU me RTSH është e njëjta që EBU lidh me RAI-n, me France Televizion, me BBC, etj”, – sqaron Duraj. Sipas tij, nëse autori nuk kalon të drejtat, kënga nuk shkon dot në Eurosong, ndaj u desh të merreshin masa. Në këtë rast, nuk u arrit një marrëveshje dhe Duraj refuzon të bëjë publike kushtet e vëna nga kompozitori, pasi ai thotë se RTSH “nuk dëshiron të çojë me zor njeri në Eurosong. Duam ta mbajmë komunikimin në nivel human. Ne të drejtat i kishim dhe mund ta çonim këngën, por nuk do të ishte e moralshme që ta bënim këtë, ta çojmë kompozitorin me zor. Është çështje morale”.

Duhet thënë se në rast se këto të drejta nuk kalohen, autorët e këngës mund të hedhin në gjyq RTSH-në apo EBU, për përdorim të prodhimit të tyre intelektual pa leje.

Por, në këtë pikë, çështja që shtrohet është, po sikur nesër, vetë Elhaida Dani (e cila po ashtu ka nënshkruar një kontratë), për arsye personale të tërhiqet nga konkurrimi? Apo sikur këtë ta bëjë tekstshkruesi, çfarë ndodh me prezantimin e Shqipërisë në Eurosong?

Duraj thotë se këtë vit u zgjidh, ndërsa për vitin tjetër, duhet riparë rregullorja e RTSH. “Do marrim masa që nëse hasim problem të tilla të ketë zgjidhje e penalitete të tjera, që çdokush të mendohet mirë”.

Reagimi i kompozitorit

I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, kompozitori Aldo Shllaku ka dhënë shkurtimisht qëndrimin e tij për ngjarjen. Ai ka deklaruar se “kërkesa zyrtare për tërheqjen e këngës është bërë me 5 Shkurt dhe deri në këtë vendim jonormal dhe për mua, kanë qenë në dijeni të gjitha palët e interesuara, përfshirë këtu edhe këngëtaren, edhe RTSH. Nuk është aspak e vërtetë që tërheqja është bërë për arsye personale”. Shllaku e konsideron si një rast të paprecedentë faktin që sipas tij “jo vetëm autorëve nuk iu dha e drejta elementare të realizojnë këngën e tyre, por për më tepër, autorët u përjashtuan nga çdo proces që nga 28 dhjetori – ditë kur kënga u shpall fituese e festivalit, e deri më sot”. Në fund, Aldo Shllaku, i cili ka tërhequr këngën e tij, për ç’arsye po bëhet një këngë e re për në Eurosong, thekson se i “gjendur në një situatë të tillë dhe përtej çdo limiti kohor për të pasur një mundësi sado të vogël për të realizuar këngën, nuk më është lënë asnjë zgjidhje tjetër përveç se më 5 shkurt të dërgoj kërkesën zyrtare për të tërhequr këngën, pasi nuk mund të marr përsipër përgjegjësi profesionale kur nuk jam vetë i angazhuar profesionalisht”.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb