Sot “Shqiptarët e Mrekullueshëm” në News 24 do t’ju njohin me historinë e bukur të Martinës, një shqiptare e vogël e mrekullueshme. Martina Avdullaj, 11-vjeçarja që lindi dhe u rrit në Itali, por që e flet shumë mirë shqipen, ëndërron të përfaqësojë Shqipërinë në Olimpiadën e 2026. Martina do të jetë sportistja e parë shqiptare, që merr pjesë në këto lojëra olimpike.

Martina 1
Martina 1

Intervistoi Rudina Xhunga
Rudina Xhunga: Sot do t’ju prezantoj me një yll, me një shqiptare të vogël të mrekullueshme, me Martinën. Që unë ta intervistoj kam marrë një pinguin, për të ardhur në pistë, sepse nuk ia dal dot ndryshe. Unë jam e madhe, ti je e vogël, unë vij si goca ime me pinguin. Kështu e ke nisur ti Martina, me pinguin apo direkt në pistë?

Martina Avdullaj: Direkt në pistë!

Rudina Xhunga: Po si ishte hera jote e parë direkt në pistë, sa vjeçe ishe?

Martina Avdullaj: 7

Rudina Xhunga: Tani është 11 vjeçe Martina. E kishe qejf patinazhin?

Martina Avdullaj: Po e kisha qejf. Sepse pashë motrën time dhe fillova edhe unë. Më pëlqente shumë.

Rudina Xhunga: Motra e la?
Martina Avdullaj: Po!

Rudina Xhunga: Motra e la, ti vazhdove. Martina është një prej yjeve të patinazhit në Itali, edhe pse nuk e thotë, nuk e pranon. E thotë sikur është e zakonshme ajo që bën. Por nuk është. Ata që i kanë parë videot në Youtube të Martinës dhe kanë parë punën e saj, e kanë vlerësuar profesionalisht dhe kanë thënë që është një italiane e mrekullueshme. Në fakt ajo është një shqiptare e mrekullueshme, apo jo?

Martina Avdullaj: Po.

Martina 2
Martina 2

Rudina Xhunga: Martina ti ke lindur në Itali, flet gjithë kohës italisht, por megjithatë të thonë “Ajo është shqiptare!” ty atje?

Martina Avdullaj: Disa herë po.

Rudina Xhunga: Ata që humbasin thonë?

Martina Avdullla: Po.

Rudina Xhunga: Ti nuk mërzitesh se ti shqiptare je. Ti edhe flet shqip shumë mirë, me kë mëson ti shqip, me kë flet?

Martina Avdullaj: Me mamanë, babanë dhe më shumë me nënën dhe gjyshin.

Rudina Xhunga: Martina më tregoi që kur e shoqëron në prova, gjyshi rri mbas pistës edhe qan.

Martina Avdullaj: Shikon sepse i pëlqen kur e bëj këtë gjë. Edhe disa herë kur rrëzohem, kur dal më thotë: “Ke rënë, kujdes herë tjetër!”

Rudina Xhunga: Ai të shoqëron gjithë kohës? Sepse mami edhe babi nuk kanë kohë, janë në punë.

Martina Avdullaj: Po.

Rudina Xhunga: Po pastaj kur vjen shfaqja Martina, ke frikë, ke emocione?

Martina Avdullaj: Disa herë kam.

Rudina Xhunga: Cila është medalja më e madhe që ke marrë, me e rëndësishmja?

Martina Avdullaj: E fundit në Kampionatin Italian dhe Kupa Europa.

Rudina Xhunga: Te Kupa Europa çfarë vendi përfaqëson, në çfarë skuadre je?

Martina Avdullaj: Skuadrën italiane. Vetëm te Kupa Europa, ishin goca nga të gjitha qytetet.

Martina 3
Martina 3

Rudina Xhunga: Më trego pak momentet kur e nise, dhe nuk u shkëpute më kurrë. Që shtatë vjeçe dhe deri tani ti përditë shkon?

Martina Avdullaj: Po përditë.

Rudina Xhunga: Po pse të pëlqen kaq shumë?

Martina Avdullaj: Është pasion, nuk di si ta them. Shkoj dhe vetëm bëj punë, shkoj gjithmonë një çik më lart.

Rudina Xhunga: Sa më lart do të shkosh ti?

Martina Avdullaj: Shumë lart.

Rudina Xhunga: Kë pëlqen ti, kë ndjek në Instagram?

Martina Avdullaj: Evgenia Medvedeva, nuk është në Instagram, por është shumë e mirë. Edhe Yuzuru Hanyu, që është japonez.

Rudina Xhunga: Çfarë kanë ata që s’do ta kesh ti prej tyre?

Martina Avdullaj: Elegancën, rrotullimet që bëjnë, janë shumë të bukura.

Rudina Xhunga: Dhe ti për shembull kur shikon ndonjë prej këtyre, mundohesh ta bësh edhe ti? E bën, ia ke dalë?

Martina Avdullaj: Po disa herë.

Rudina Xhunga: Për shembull sot ishe shumë e mirë, kur të shikoja në prova. Habiten këta kur të shikojnë ty në prova? Ke parë ndonjë tjetër kaq të mirë sa ti?

Martina Avdullaj: Ata janë të mëdhenj.

Rudina Xhunga: Sepse ky është dallimi. Ata që kërcejnë si Martina janë të mëdhenj. Martina është e vogël, është 11 vjeçe dhe ne duam ta marrim, duam ta kemi tonën. E di që duan të të marrin shqiptarët, duan që ti të përfaqësosh Shqipërinë në patinazh? Je ok, nuk e ke problem, është shumë mirë, edhe pse jeton në Itali?

Martina Avdullaj: Po shumë mirë.

Martina 4
Martina 4

Rudina Xhunga: Po gjyshi çfarë thotë?

Martina Avdullaj: Gjyshi do që të vazhdoj më shumë.

Rudina Xhunga: Po në shkollë, të pengon?

Martina Avdullaj: Pak, sepse vij shumë vonë dhe i bëj detyrat gjithmonë vonë. Edhe jam e vdekur nga lodhja.

Rudina Xhunga: Pastaj ikën edhe qejfi për mësimet, sepse qejfi real është te patinazhi. Por mami s’të lë t’i lësh mësimet.

Martina Adullaj: Jo mësimet i bëj gjithmonë.

Rudina Xhunga: Si është një nata para se të shkosh në konkurrim, si është darka? S’fle dot?

Martina Avdullaj: Varet sesi është gara. Po është e rëndësishme, nuk fle dot shumë. Por nëse janë gara në Itali, jam mirë, nuk fle keq.

Martina 5
Martina 5

Rudina Xhunga: Çfarë ndjen kur futesh në pistë?

Martina Avdullaj: E kam të gjithë te barku. Dhe vetëm dua të shkoj dhe ta mbaroj. Dhe kur e mbaroj pastaj lirohem. Jam më rehat.

Rudina Xhunga: Kaq shumë e do këtë që bën Martina?

Martina Avdullaj: Po shumë.

Rudina Xhunga: Ishin të tjerë, ishte mami, babi që të thanë bëjë, apo ishte dëshira jote?

Martina Avdullaj: E imja e gjitha!

Rudina Xhunga: Tani kur të lavdërojnë në italisht, si të thonë? Si të lavdërojnë ata që të shohin?

Martina Avdullaj: Janë të gjithë të kënaqur. Vij edhe më thonë të gjithë “Bravo Martina!” Jam gjithmonë e kënaqur.

Rudina Xhunga: Po në klasë, u mburresh atyre që je kaq e zonja?

Martina Avdullaj: Po, dal edhe disa herë përpara për të bërë stërvitje dhe shoqet e mia më pyesin: ”Si shkoi gara?”

Rudina Xhunga: Kjo është Martina është shqiptare e mrekullueshme që na bën krenarë dhe do të na bëjë edhe më shumë. Do ta shikoni një ditë, edhe do ta kujtoni këtë intervistë. Është intervista e parë Martina, kë dhënë tjetër?

Martina Avdullaj: Po, po e para

Rudina Xhunga: Të bukura janë garat, pasionet, intervistat janë të zakonshme. Sapo e njohëm Martinën, ndjemë dëshirën për ta ndarë me ju. Unë u futa në pistë me një pinguin, vetëm për ta ndjekur nga pas vogëlushen, që me emocioni sot dhe më bëri të besoj se nuk ka asgjë që ti të mos ia dalësh. Mjafton të duash si Martina. Ku do të shkosh Martina, ku ke qejf, ku mendon ti se është kjo gjëja që do të bëhesh? Do të marr pjesë në këtë garë, do të shkoj në këtë vend, ku ëndërron ti?

Martina 6
Martina 6

Martina Avdullaj: Në Olimpiadën e 2026-ës.

Rudina Xhunga: Tani në 2019-ën, ti po bëhesh gati për olimpiadën e 2026-ës. Dhe punon çdo ditë, për këtë ditë?

Martina Avdullaj: Po!

Rudina Xhunga: Shpirt i vogël, ti ke pak kohë për fjalë se ke shumë kohë për pistën. Kështu që unë me pinguinin tim po iki.

Intervistë me Elvis Toçin, presidentin e Federatës së Skive dhe Lojërave Dimërore

Elvis Toci
Elvis Toci

Rudina Xhunga: Si e njohe këtë shqiptare të vogël të mrekullueshme, Elvis? Unë nuk e dija fare që ti drejton Federatën e Skive dhe Lojërave Dimërore, shumë urime! Sepse unë të di konsull të Rumanisë.

Elvis Toçi: Faleminderit! Pasionet shtohen rrugës. Por pasioni i madh për skitë dhe lojërat dimërore pra akullin është e lidhur edhe me Rumaninë. Megjithatë, federata jonë gjithë kryesia, bordi kemi vënë një strategji, ngaqë sporti i akullit, i borës në Shqipëri nuk është aq i zhvilluar.

Rudina Xhunga: Nuk është i zhvilluar fare.

Elvis Toçi: Jo aq i zhvilluar, sepse sot kemi një numër mbi 10 mijë 20 mijë sportdashës të skive, por te patinazhi kemi handikapet tona. Pra ne kemi vënë një strategji për të rekrutuar sa më shumë nga ata shqiptarë që jetojnë në zonat ku këto sporte janë shumë popullore. Dhe pikërisht kështu arritëm të kemi kontakt me prindërit e Martinës dhe kur pamë u emocionuam sesi një vajzë e vogël që ka nisur që 7 vjeçe, sot është 11 vjeçe dhe ka fituar goxha çmime, për moshën e saj.

Rudina Xhunga: Po pra e pabesueshme, kur po kontrolloja në Youtube, një vajzë me kaq shumë çmime, me kaq shumë lavdërime, nuk të besohet.

Elvis Toçi: Jo të besohet, patjetër, sepse ne shqiptarët, shprehjet tona i kemi jashtë Shqipërie, brenda saj nuk jemi shumë të famshëm me njëri-tjetrin, por jashtë dimë ta shprehim veten tonë. Dhe Martina ka treguar që është në rrugë të mbarë dhe natyrisht do edhe impenjim, qoftë tonin si federatë, qoftë të shtetit dhe pse jo të sponsorëve privatë. Që të kemi një patinatore të niveleve ndërkombëtare, është një nder për vendin tonë. Pra ne shpresojmë që në lojërat e ardhshme olimpike, Martina të përfaqësojë Shqipërinë dhe do të jetë hera e parë që një sportiste shqiptare, merr pjesë në lojëra olimpike.

Toci 2
Toci 2

Rudina Xhunga: Asnjëherë nuk kemi pasur, ne nuk përfaqësohemi nga ndonjë shqiptar?

Elvis Toçi: Përveç Martinës, unë nuk njoh ndonjë njeri tjetër. Pra unë si president nuk njoh njeri tjetër në sportin e patinazhit.

Rudina Xhunga: Martina ndërkohë përfaqëson Italinë?

Elvis Toçi: Jo, Martina nuk përfaqëson Italinë. Jemi duke tentuar ta inkurajojmë që ajo të përfaqësojë ngjyrat e flamurit tonë sepse Martina është edhe italiane, sepse ky fat është i gjithë shqiptarëve emigrantë në Itali që janë dy nacionalitete. Sot Martina është pjesë e Klubit të Patinatorëve në Torino dhe trajnohet nga një trajnere shumë e famshme që quhet Lorenza Barnada.

Rudina Xhunga: Po do ta lërë Lorenza, Martinën kaq kollaj.

Elvis Toçi: Ky është një klub lokal. Klubi lokal është tjetër dhe nacionali është tjetër. Tamam siç është në futboll dhe sportet e tjera. Por sot, ne duhet ta falënderojmë këtë klub. Sepse falë tij sot ne kemi një kontingjent që mund të përfaqësojë Shqipërinë. Pra neve edhe sot, nuk mund t’i ofrojmë Martinës trajnerë të niveleve ndërkombëtare, sepse ajo kërkon shumë. Martina kërkon trajnim në nivele shumë të larta botërore, për të përfaqësuar Shqipërinë në nivele të larta. Jo vetëm të marrim pjesë siç jemi mësuar gjithmonë, por ne duhet të ngremë flamurin shqiptar. Brenda shtatorit ne kemi lënë një takim me klubin e Torinos, për të bërë një program më afatgjatë për Martinën, për ta përgatitur atë për lojërat olimpike të ardhshme.

Toci 3
Toci 3

Rudina Xhunga: Po pra për këtë më foli, ëndrra e saj ishin lojërat olimpike të 2026-ës. Fillon që tani puna?

Elvis Toçi: Me këtë lloj kontingjenti, patinazhi është një sport që zgjat deri në moshën 25 vjeçe, maksimalja. Pra ti duhet të fillosh që nga 7 vjeç, dhe standardin tënd e kupton në moshën 16-vjeçare. Ne me Martinën jemi në kohë. Pra nëse do të ketë suport nga të gjithë neve, nga klubi ku ajo merr pjesë, nga federata jonë, nga sponsorë të ndryshëm. Dhe ky është një moment ku ne duhet të ofrojmë sponsorë, sepse për shumë pak para, ne mund të kemi një kampione dhe për Shqipërinë tonë të vogël është një fat i madh.

Rudina Xhunga: Jo vetëm s’e ke si sport, por mund të kesh edhe një kampione.

Elvis Toçi: Nganjëherë me një lule mund të vijë behari.

Rudina Xhunga: Je i kënaqur d.m.th? Sepse të shoh shumë të fokusuar te Martina, te fati i saj.

Elvis Toçi: Unë jam i motivuar, sepse kjo është edhe sfida jonë. Sfida jonë është që flamuri shqiptar të jetë kudo dhe kur ke një talent për të cilin ia vlen të luftosh, pse jo. Unë do të luftoj për Martinën me aq sa mundësi kemi dhe mendoj se nuk i kemi të pakta. Pra familja e saj bën një sakrificë të jashtëzakonshme me paratë e veta. Ne si Shqipëri nuk kemi investuar asnjë lek deri më sot. Dhe nga sot ne duhet t’u biem të gjitha sirenave, sepse kemi një talent, se jo mos investojmë për të.

Toci Rudina
Toci Rudina

Rudina Xhunga: Të falënderoj që e bën këtë.

Elvis Toçi: Rudina unë të falënderoj ty, që iu përgjigje ftesës se federatës sonë për të intervistuar një talent shqiptar. Sepse ne shqiptarët kemi nevojë për shembuj, edhe Martina është shembull frymëzimi për të gjithë fëmijët. Dhe shembull sesi përmes sportit, njeriu mund të bëjë të famshëm familjen dhe pse jo kombin.

Rudina Xhunga: E vërtetë, prandaj ishim sot për të takuar Martinën. Do të doja edhe nënën e saj. Nëna nisi t’i mësonte patinazhin edhe kërcimin klasik vajzës së madhe. Martina e pa edhe ngeli aty e dashuruar. E madhja është në rrugën e vet.

Jot bijë në pistë. Je e kënaqur, çfarë ndjen në këto momente.

Mamaja E Martines
Mamaja E Martines

Mamaja e Martinës (Entela Avdullaj): Është kënaqësi shumë e madhe për një nënë, të rrëqethet mishi. As unë nuk arrij ta kuptoj.

Rudina Xhunga: Nuk e besoje ndonjëherë? Nuk është se ajo tërhiqej në filma, por rastësi.

Mamaja e Martinës: Po rastësi. Ishte goca e madhe që bënte patinazh. Shkoi Martina një ditë bashkë me babanë e vet dhe e pyeti nëse mund ta provonte edhe ajo. “Po”, i tha i ati “sa herë të duash ti.” Bëri një herë, dy herë dhe i tha të atit se i pëlqente.

Rudina Xhunga: E provoi edhe aty filloi pasioni i Martinës. Nuk e ndaluat kurrë, nuk i thatë kurrë: “Martina e vogël, mëso tani, lëri këto.”? Edhe pse jo mirë me mësimet.

Mamaja e Martinës: Me mësimet është mirë.

Maja E Martines 2
Maja E Martines 2

Rudina Xhunga: Po ai gjyshi i famshëm që merret kaq shumë me Martinën kush është?

Mamaja e Martinës: Gjyshi është Benjamini. Kur unë dhe bashkëshorti jemi në punë, në momentin kur nuk kemi mundësi është gjyshi që e merr nga shkolla, e çon në stërvitje e merr nga stërvitja.

Rudina Xhunga: Gjyshi krenohet më shumë?

Mamaja e Martinës: Nuk diskutohet. Kur vjen me kupën në shtëpi, gjyshi emocionohet dhe fillon direkt të qajë.

Rudina Xhunga: Ju jetoni në Torino, punoni aty? Kur keni ikur nga Shqipëria?

Mamaja e Martinës: Po në Torino. Kemi mbi 20 vjet që kemi ikur nga Shqipëria.

Rudina Xhunga: Keni njeri kur vini në Tiranë?

Mamaja e Martinës: Unë jam nga Berati, ndërsa në Tiranë është bashkëshorti im që është alidems.

Mamaja E Martines 2
Mamaja E Martines 2

Rudina Xhunga: Vajzat kanë lindur të dyja në Itali. Nuk kishte asnjë shenjë më përpara, që do të kishte një patinatore në familje?

Mamaja e Martinës: Jo. Në fakt ne jemi familje sportistësh. Por në patinazh jo, në futboll po.

Rudina Xhunga: Është e vështirë financiarisht, sepse ma do mendja që është luks?

Mamaja e Martinës: Po, po shumë e vështirë.

Rudina Xhunga: Nuk i thuhet asnjëherë jo Martinës?

Mamaja e Martinës: Deri sa Martina të ketë kënaqësi, unë edhe bashkëshorti im në asnjë mënyrë nuk do t’i themi kurrë jo. Do të bëjmë çdo sakrificë, aq sa të mundemi. Siç po bëjmë, do të shkojmë edhe më përpara.

Rudina Xhunga: Do të punoni dy punë, do të jeni 24 orë në punë.

Mamaja e Martinës: Unë punoj në dy punë.

Rudina Xhunga: Martina thotë ndonjëherë: “Mami është lodhje kjo.” Sepse ti flet dhe mua më vjen për të qarë kur mendoj sesa e vështirë është për nënat jo vetëm t’i mësojnë fëmijët por edhe t’i ushqejnë hobet.

Mamaja e Martinës: Po është lodhje, por edhe kënaqësi. Biles këtë vit kur fitoi kampionatin italian, kur zuri vendin e tretë ishte një emocion shumë i madh. Është kënaqësi. E gjithë kjo sakrificë ia vlen për të.

Rudina Xhunga: Çfarë dhuratë e madhe është të jesh nënë në këtë botë. Është një nga dhurata më të mëdha. Edhe lodhjet e një nëne për fëmijën janë bekimi më i madh për të të dhënë krahë, edhe këmbë në rastin e Martinës.

Martina ka ëndërr Olimpiadën e 2026-ës, mendoni se do të shkoni aty? Do t’ia dilni?

Mamaja e Martinës: Nëse e do Martina, po. Është ëndërr, si për atë edhe për neve.

Rudina Xhunga: Ke dy vajza fantastike, i pashë të dyja, lum ti për to. Edhe lum ne që kemi Martinën. Jam e sigurt që do ta shohim prapë dhe do të flasim prapë. Kjo është intervista e saj e parë dhe juaja e para, por të tjera dhe rrugë e gjatë ju presin.

Martina Ok
Martina Ok

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb