Nën tingujt instrumentalë të ‘Luleborës’, kompozuar nga Simon Gjoni, versioni i ‘Etno-Classic Band’, “BBC” shfaq një portret të Shqipërisë: gra të mbuluara, gra të veshura me kostume tradicionale, e njëherësh edhe gra të artit e skenës, veshur allafrënga, me fustane, vëthë, me flokë të krehur sipas modeleve të kohës, janë murgeshat, janë gratë në karnavale, janë familjet- burri, gruaja e fëmija! Në imazhet në vijim janë burrat, fiset, të armatosur, të bashkuar, është Kel Marubi, janë ngjarjet historike, është paria e Shkodrës, por janë edhe të varfrit.

Është “BBC”, që përmes një materiali prej dy minutash, shoqëruar me disa prej fotografive më përfaqësuese të Dinastisë Marubi, me tingujt e “Luleborës” dhe shpjegimet e kuratores Kim Noppers, flet për ekspozitën e çelur në Muzeun e Fotografisë në Amsterdam.

Mes fotografive, veçohen ajo e Ester de Lilla, realizuar nga Kel Marubi më 24 gusht 1922, apo fotoja e mbretit Zog me të motrën në Durrës në 1938-ën, ku mbreti shihet me rroba banje.

“Fotografët e Marubit: Një portret i Shqipërisë” titullohet materiali, në të cilin bëhet me dije se pak kohë pasi u shpik fotografia, një italian do të ngrinte studion e parë të fotografisë në Shqipëri.

“Tani, ekspozita e fotografive të marra nga tri gjenerata fotografësh, është hapur në ‘FOAM’, një muze i fotografisë në Amsterdam, Holandë. Kim Knoppers është kuratorja e ‘Dinastia Marubi – njëqind vjet i studios fotografike shqiptare’. Ajo i ka treguar (gazetarit) Dan Damon se fotografitë janë dëshmi e pasurisë kulturore e politike të vendit”, shkruan “BBC”, ndërsa si imazh qendror ka zgjedhur atë të një gruaje me kostum tradicional shqiptar, foto e realizuar më 1922-shin nga Kel Marubi.

“Ky koleksion është shumë i rëndësishëm. Ai reflekton shoqërinë shqiptare, në mënyrë antropologjike, por reflekton edhe historinë; Pietro, Kel dhe Gegë Marubi kanë dalë edhe jashtë studios së tyre, dhe kanë fotografuar ngjarje të rëndësishme. Ka shumë të dhëna historike, por ka edhe kaq shumë bukuri në këtë koleksion”, thotë për “BBC”, Kim Noppers, kuratore e ekspozitës “Dinastia Marubi”, që është çelur në muzeun ‘FOAM’ në Amsterdam.

“BBC” shënon se koleksioni i Marubit tregon historinë e Shqipërisë në tre breza. Po aty, Noppers shpjegon se: “Imazhet historike shfaqen tani në Amsterdam. Më 1856, një i ri, i quajtur Pietro Marubi, nga Italia erdhi në Shkodër dhe ngriti një studio fotografike. I biri i kopshtarit të tij, u bë asistenti i tij, Kel Kodheli. Kur Keli e mori në dorë studion, si shenjë respekti ndaj Pietros, ai mori mbiemrin e tij, Marubi. Shqipëria ka pasur një histori kaotike dhe të dhunshme. Ishte pjesë e Perandorisë Osmane, pak e izoluar, e fshehur pas maleve, me kulturën e saj. Më 1912-ën u paraqit nevoja për pavarësi. Në fotografi, ju shihni fise të ndryshme me armët e tyre, që mbajnë në duar armët e tyre. Dhe ky qe një akt simbolik. Kel Marubi, Marubi i dytë, i realizoi këto fotografi”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, sa i takon këtij materiali, ka shkruar në profilin e saj në “Facebook”, se kjo është “fytyra kulturore e Shqipërisë, është Shqipëria e brezit tjetër”. Sipas Kumbaros, thesaret e kulturës sonë kombëtare që i nxorëm në dritë pas harresës dhjetëravjeçare, janë ato që na përfaqësojnë më mirë dhe na hapin dyert e Europës. Ekspozita e Historisë së Fotografisë Shqiptare në Foam Fotografi Museum Amsterdam është sot në lajmin kulturor të ditës të prestigjiozes “BBC World Service”. fa.ni.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: