NGA OLA MITRE

TIRANE- Duke filluar nga dita e sotme, të gjithë kan didatët e interesuar mund të aplikojnë për ndjekjen e një prej programeve të specializimeve në mjekësi. Gjithçka përcaktohet në udhëzimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pas miratimit në qeveri të kuotave të pranimit për vitin akademik 2015- 2016. Sipas dokumentit të firmosur nga Nikolla, aplikimi do të bëhet pranë Universitetit të Mjekësisë, ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve është data 26 tetor 2015. Sipas të njëjtit udhëzim, të drejtën për të aplikuar e kanë kandidatët që: kanë përfunduar në Shqipëri me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në vendin tonë, si dhe ata që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Shqipëri.

Të interesuarit duhet të paraqesin edhe një sërë dokumentesh, të cilat i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Ndërkaq, pas përmbylljes së këtij procesi, dekanati brenda datës 27 tetor 2015 do të shpallë në faqen zyrtare në web listën emërore të kandidatëve të regjistruar për konkurrim, të cilët plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në procesin e konkurrimit.

Ndërkohë që, kandidatët brenda 2 ditëve nga shpallja duhet të verifikojnë listën emërore dhe, në rast pasaktësish, duhet të bëjnë kërkesë për saktësim pranë dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë brenda datës 29 tetor 2015. Pas kryerjes së këtyre verifikimeve, dekanati do të shpallë brenda datës 2 nëntor 2015 listën përfundimtare të kandidatëve, si dhe kalendarin e zhvillimit të intervistave me gojë dhe testimit të informatizuar.

KUOTAT
Në total, Këshilli i Ministrave ka miratuar 97 kuota, ndër të cilat, 92 janë për kandidatët brenda territorit të vendit dhe 5 për ata me kombësi shqiptare nga trojet jashtë kufijve. Sa i takon ndarjes së kuotave për kandidatët brenda vendit, 80 janë kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë, 2 janë kuota të pambuluara nga ajo e Drejtësisë, 5 kuota të mbuluara nga Mbrojtja dhe 2 kuota të pambuluara nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përveç tyre, qeveria ka akorduar edhe 3 kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë për transferime. Edhe për transferimet, MAS ka përcaktuar se ku do të përdoren ato, e më konkretisht: 1 në dermatologji, 1 në diagnozë me imazhe dhe 1 në obstetrikë-gjinekologji. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh të plotë tabelën me kuotat e ndara sipas programit përkatës në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

DOKUMENTET PËR APLIKIM
• Formular aplikimi;
• Një letër motivimi e aplikantit;
• Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë;
• Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e diplomës universitare, të programit të studimit të ciklit të parë “Bachelor” si dhe të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, ose të programit të integruar të studimeve të ciklit të dytë, dhe listës/ listave të notave. Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origjinalin e vërtetimit të njohjes në Republikën e Shqipërisë, e shoqëruar me diplomën/diplomat dhe listën/listat përkatëse të notave ose të një dokumenti tjetër të vlefshëm për regjistrimin në universitet në vendin ku janë kryer studimet, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë përkatës. Në rast se njohja e diplomës nuk ka përfunduar ende, kandidati paraqet vërtetim që ka dorëzuar dokumentacionin për njohje në MAS, dhe duhet të dorëzojë dokumentin e njohjes jo më vonë se data e parashikuar për testimin e informatizuar, si dhe përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni i Vlerësimit;
• Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, sipas parashikimeve në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë;
• Fotokopje e noterizuar në Republikën e Shqipërisë, e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe e dëshmisë së regjistrimit në Urdhrin profesional përkatës;
• Dëshmi penaliteti e vlefshme;
• Mandat-pagesa për tarifën e konkurrimit prej 5.000 lekësh;
• Kandidatët që aplikojnë për kuotat e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dorëzojnë një letër mbështetëse të ministrisë përkatëse
• Dy foto personale.
KUOTAT

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: