TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të jetë sot në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda ku do të vendoset nëse do të vijojë të qëndrojë në “arrest shtëpie” apo jo.

Seanca vjen pas ankimimit të vetë Tahirit dhe avokatit të tij, të cilën kundërshtuan masën e vendosur dy javë më parë “arrest shtëpie”. Por nga ana tjetër edhe prokuroria ka kërkuar ndryshimin e masës në “arrest me burg”.

Gazetari Klajdi Bodlli që ndodhej pranë banesës së Tahirit, ka siguruar edhe pamjet për “BalkanWeb”, ku një automjet i policisë hyn në garazhin e pallatit për të marrë ish-ministrin dhe për ta transportuar në gjykatë.
Treshja e gjyqtarëve që do të vendosë sot për “fatin” e Tahirit, përbëhet nga Saida Dollani, Sokol Binaj e Fehmi Petku.

Dje ambasadori amerikan Donald Lu tha se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione.
Në një prononcim ekskluziv për “BalkanWeb” Donald Lu i ka bërë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, pasi sipas tij ka raportime nga burime te pavarura për presione dhe ryshfete ndaj gjykatësve.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, u shpreh ambasadori Lu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb