TIRANË- Një tjetër seancë e rëndësishme do të mbahet sot tek Gjykata e Krimeve të Rënda pas asaj për Shullazin dhe grupin e tij. Ndërsa dje u dha masa për gjashtë anëtarë të arrestuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”, sot tre të tjerë pritet të njihen me masën e sigurisë.

Bëhet fjalë për Ismet Idrizin, të arrestuar në Shkodër, Denis Brajoviq, të arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliun, të arrestuar gjithashtu në Tiranë.

Por Safet Bajri i cili u përball dje në dy gjykata do njihet sot me një masë të tretë sigurie nga Krimet e Rënda. Safet Bajri ka dy masa sigurie, një nga Apeli i Shkodrës dhe një Krimet e Rënda.

Dje Krimet e Rënda kanë lënë në burg Safet Bajrin dhe 5 anëtarë të tjerë të grupit kriminal “Bajri”: Ilir Rustemin, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Emrah Plakun, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Astmer Bilalin, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Armir Grimajn, arrestuar në Shkodër dhe Fabiol Rexhepin, të arrestuar në Shkodër;

Arbër Hoxha, avokati i Safet Bajrit e ka cilësuar të paligjshëm vendimin e Krimeve të Rënda dhe tha se nga pala mbrojtëse u ofrua garancia pasurore por kjo nuk u mor parasysh. Sipas tij akuza e vetme nga klientit të tij është jo për ndikim në gara sportive.

Operacioni i përbashkët i policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda që u zhvillua pas muajsh të tërë hetimesh, u shtri në Tiranë e Shkodër, por edhe jashtë kufijve në Roterdam dhe Holandë. Ndërkohë dy të tjerë janë shpallur në kërkim, në sajë të aksionit ‘Oaz’.

Në Roterdam, Holandë janë arrestuar Behar Brajoviq, (Bajri) dhe Samet Halluni.
Truri i bandës konsiderohet Enver Bajri, i cili është ende në kërkim. Dyshohet se 45-vjeçari fshihet në Belgjikë. Po ashtu, referuar burimeve zyrtare “BalkanËeb” ka mësuar se 45-vjeçari merrej me trafik drogash të forta, që i merrte nga Amerika Latine dhe i transportonte drejt vendeve të Bashkimit Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb