Administrata e presidentit Donald Trump ka pezulluar disa programe të posaçme për disa grupe emigrantësh.

Në bazë të vendimit agjencia federale ‘Shërbimet për Shtetësi dhe Emigracion të Shteteve të Bashkuara’ (USCIS) ka ndaluar shqyrtimin e kërkesave për qëndrim të përhershëm të emigrantëve që hynë në Amerikë duke përfituar nga këto programe.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se arsyeja e pezullimit ishte rishikimi i programeve për shkak të rreziqeve ndaj sigurisë së vendit.

“Vendimi ka lidhje me përfundimin e hetimeve shtesë për të identifikuar mashtrimet dhe shqetësimet mbi rrezikun ndaj sigurisë publike dhe asaj kombëtare”, tha ai

Këto programe për emigrantët filluan gjatë administratës së Presidentit Joe Biden si pjesë e një përpjekjeje për të frenuar migrimin e parregullt duke ofruar rrugë ligjore për grupe të caktuara. Degës ekzekutive të pushtetit iu dha ky autoritet nga Kongresi më 1952, duke i lejuar presidentit të pranojë individë në Shtetet e Bashkuara për arsye urgjente humanitare.

Rreth 530,000 shtetas nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela u lejuan të hynin në Shtetet e Bashkuara nën programin CHNV. Për më tepër, rreth 350,000 amerikanë ofruan ndihmë për hyrjen në Shtetet e Bashkuara të rreth 240,000 ukrainasve përmes programit ‘U4U’.

Administrata Trump tani kërkon verifikim shtesë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të siguruar integritetin e sistemit të imigracionit, sipas zyrtarit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Administrata Trump nuk ka dhënë detaje se çfarë e nxiti këtë rishikim ose sa kohë mund të zgjasë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb