KALIFORNI- Të shtënat me armë zjarri kanë tronditur sërish Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj here raportohet se të shtëna ka pasur në Kaliforni. Paraprakisht mediat flasin për 14 viktima dhe 14 të plagosur. Megjithatë policia ende nuk e ka konfirmuar numrin e viktimave.

Dyshohet se 3 persona kanë hapur zjarr, duke qëlluar mbi kë t’ju dilte përpara. Burime të BBC-së thonë se personat ishin të armatosur rëndë dhe në trup mbanin antiplumb. Në një reagim të shkurtër pas masakrës me 14 të vrarë në San Bernardino, Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama shkruan se “vrasjet janë të pakrahasueshme me vendet e tjera”.

Sipas mediave vendase mësohet se objektiv i të shtënave ishte një qendër sociale “l’Inland Regional Center”, e cila kujdeset për personat me aftësi të kufizuara në San Bernardino, por ata kanë qëlluar edhe jashtë saj. Edhe pse nuk qartësohen rrethanat, raportohet se policia po kërkon tre personat e dyshuar si agresorë. Ata janë të bardhë dhe kanë veshur uniforma ushtarake. Pasi kanë kryer masakrën këta persona janë arratisur me një makinë sportive.

Forca të shumta policie por edhe FBI shkuan në vendngjarje dhe evakuuan ndërtesën.

05:40 Mediat amerikane kanë njoftuar se dy nga personat e armatosur janë vrarë nga policia. Një nga personat e vrarë ishte femër, ndërsa dyshohet se shkëmbyen zjarr me policinë.

Ora 22:17- Mediat raportojnë se autorët e masakrës kanë arritur të shpëtojnë, duke u arratisur në borin e një mjeti sportive, me ngjyrë të zezë. Përveç veshjeve ushtarake, të tre ishin të maskuar dhe mbanin në duar armë të tipit pushkë. Policia është vënë në ndjekje të tyre.

Ora 21:30- Një burrë ka marrë një mesazh nga vajza e tij, e cila thotë se është fshehur poshtë tavolinës së zyrës ku punon, pasi në ndërtesë kishte të shtëna armësh. Terry Petit u tha gazetarëve se vajza e tij shkruan: “Njerëzit janë fshehur nëpër zyra duke pritur policët. Lutuni për ne! Unë jam e mbyllur në një zyrë… ”

Ora 21:15- Pako e dyshimtë është gjetur në zonën e shkëmbimit të zjarrit. Pakoja është gjetur brenda një ndërtese pranë zonës së shkëmbimit të zjarrit në San Bernardino, raportojnë mediat amerikane.

Policia në ndërtesë kërkon vrasësit dhomë për dhomë. Agjentët e policisë kanë hyrë brenda ndërtesës në ndjekje të agresorëve duke i kërkuar në çdo dhomë të kompleksit. “Ndërtesa nuk është marrë ende nën kontroll”, shkruajnë mediat amerikane.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: