E kemi filluar këtë vit vendimtar për përparimin tonë në familjen e madhe evropiane në mënyrën më të keqe të mundshme. Kostoja e mospasjes së një ministri të Jashtëm të mirëfilltë për të filluar turet, bisedimet, takimet dhe dhënien e bollshme e bindëse të informacionit për detyrat e shtëpisë të realizuara në këtë gjysmë periudhe prove(viti i plotë është qershor 2018-maj 2019) do të jetë e lartë. Kur do të kujtohemi: dy muaj përpara se sa të vijë afati i vendimit, qershori 2019? Me stinën dimërore të protestave, me kauzën studentore (e cila, për fat është mbajtur ende larg kthetrave të politikës), si dhe me opozitën që betejën e vetme që sheh përpara e ka protestën dhe rritjen e tensionit politik, vendi ynë do të duket nga Brukseli krejtësisht i papërgatitur për të hapur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një shtyrje e re e afatit të çeljes së bisedimeve do të ishte krejtësisht e padrejtë për qytetarët e këtij vendi. Sepse ajo përkthehet në dhjetëra miliona euro projekte të panisura me BE-në, të humbura nga mungesa e klimës së duhur të besimit dhe bashkëpunimit që prodhon hapja e bisedimeve. Përkthehet në vijimin e stepjes së investuesve të rëndësishëm dhe strategjikë që e presin këtë çelje negociatash si shenjë për të hyrë bindshëm me projekte të rëndësishme tek ne.


Menjëherë pas anëtarësimit në NATO, nisën bisedimet për investimet për hidrocentrale në lumin Devoll dhe u miratua gazsjellësi TAP, projekte që i sollën deri tani Shqipërisë 1.6 miliardë euro. Shpresonim që edhe hapja e bisedimeve për anëtarësim me BE-në të ishte një levë e tillë arkimedi, si anëtarësimi në NATO, për investime të huaja po aq serioze, afatgjata dhe me kapital konkret (jo me partneritete publik-privat në erë që dorën e kanë tek xhepi i Buxhetit të Shtetit shtrirë ndër vite). Investimet serioze janë gati të vijnë, jo vetëm nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga përtej oqeanit. Struktura shumë të fuqishme bankare dhe financiare, të interesuara për vendin tonë si qendër investimesh në Ballkanin Jugperëndimor, janë gati të hyjnë, në rast të përgjegjshmërisë së ngritur shtetërore që do të sjellë hapja e negociatave. Mirëpo kjo shpresë, me këtë fillim katastrofik viti po rrezikohet seriozisht.


Duket paradoksale, por tensioni politik në rritje dhe klima e protestave ditore mund të arrijnë edhe të mpakin tek perëndimorët efektin e reformës në drejtësi, e cila tek ne po vazhdon dhe ka patur përparime të dukshme në periudhën qershor-dhjetor 2018. Kryerja e kësaj reforme ka qenë kushti kryesor i Brukselit për çeljen e bisedimeve, por tani katrahura me gjendjen kemi ministër apo jo ministër të jashtëm dhe aradha e protestave po e zbeh këtë kusht që po plotësohet! Kjo do të ishte gati fatale për fatet e rrugëtimit tonë në familjen e madhe evropiane. Asnjë thirrje deri tani nga shoqëria jonë civile, që të ndalet masakra e gjasave për integrim. Asnjë dalje nëpër rrugë për të mos ia prishur këtë shans unikal Shqipërisë, në emër të politikës së ditës. E dimë papërgjeshmërinë e skajshme të politikanëve tanë, por ende edhe mediat nuk u ka rënë tambureve të integrimit që po rrezikon të ngelet në cektinë. Në lojë janë shumë më tepër interesa jetësore për qytetarët e këtij vendi, në krahasim me interesat e ndërrimit të pushtetit tek ne. A e kemi fuqinë të ndalim apo fshikullojmë paturpësinë e politikës në këto momente? Do të duhej një lëvizje qytetare me tiparet e lëvizjes së mrekullueshme studentore të 4-26 dhjetorit 2018, për ta shkundur fort këtë politikë mjerane të ditës dhe për të prishur planet e saj ogurzeza të humbjes së drejtpeshimit të vendit, me shpresë paralizimin e reformës në drejtësi dhe gjuajtjen e ndonjë shansi për pushtet. Do të duhej rikthimi i frymës në Shqipëri të protestave kundër armëve kimike nga Siria të 5 viteve më parë. Por a do të jemi në gjendje si qytetarë, apo ato pak struktura të shoqërisë civile, ende të përgjegjshme, që të ngremë zërin si dha sa duhet, për të ftuar qytetarët në rrugë, në mbrojtje të integrimit të vendit? Rrjetet sociale janë aty si armë të jashtëzakonshme për të mobilizuar njerëzit, sidomos të rinjtë. Sikur protesta studentore, krahas kauzës së përmirësimit thelbësor të arsimit të lartë publik, të rrokte edhe mbrojtjen e gjasave të integrimit, që realisht po masakrohen.


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb