Për të dytën herë brenda dhjetë ditësh, Fredi Bejleri, nën hetim për të masakrën e Peshkëpisë, u mor në pyetje nga prokuroria për Krime të Rënda. Për më shumë se dy orë, Bejleri dha shpjegime përpara oficerit te policisë gjyqësore në prani të prokurorit të çështjes Eugen Beci.

Burimet thanë se kreu i OMONIAS-s së Himarës, ka mohuar sërish përfshirjen në ngjarjen e rëndë, ku një organizatë terroriste greke, sulmoi postën kufitare në Gjirokastër, duke vrarë dy ushtarakë, plagosi tre të tjerë dhe gjatë tërheqjes grabiti edhe armatimin.

Të njëjtat burime Fredi Bejleri është pyetur për njohjen e tij me disa nga të dyshuarit e tjerë, lëvizjet përgjatë ditëve kur u shënua masakra, si dhe detaje të tjera të vlefshme për hetimin e çështjes, që u rihap pas 25 vitesh. Në dalje Fredin Bejleri, refuzoi të bënte komente për mediat.

Gjatë sulmit në postën e Peshkëpisë në prill të 1994, mbetën të vrarë ushtarakët, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini, dhe u plagosën tre të tjerë. Për llogari të hetimit të çelur, institucioni i akuzës ka marrë dëshmitë e disa personave, mes tyre dhe Fredi Bejlerin, të cilit iu refuzua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kandidimi për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Krahas Bejlerit, prokuroria ka renditur në listën e personave nën hetim edhe 25 emra të tjerë, kryesisht shtetas grekë. Përmes një letër-porosie dërguar Greqisë Krimet e renda kërkojnë informacion lidhur me arrestimin e disa prej anëtarëve të organizatës gjatë një tentative të mëvonshme për të sulmuar një repart tjetër ushtarak në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb