Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka kujtuar sot masakrën e Reçakut e cila ndodhi 20 vjet më parë, ndërsa vendosi kurora me lule përpara memoralit të viktimave. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Thaçi pohoi se 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën.

“Para 20 vjetësh, Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot. 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë. Pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak, u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare.

Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare.
Martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. HTH”, shkruan në ‘Facebook’ Thaçi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: