NGA ANILA JOLE*-
ATHINE
-Në një pistë të re është futur çështja e sulmit të armatosur ndaj lokalit të natës në Mikrolimano, pas arrestimit të agresorit, Arbër Bako.


Nga hetimet e policisë rezulton se Arbër Bako personi që plagosi 15 persona të shtunën në të gdhirë në Athinë, ishte pjesë e një grupi kriminal, që kishte kryer edhe sulme të tjera të armatosura.


Gjatë hetimeve, policia është gjendur edhe para një grupi vrasësish me pagesë dhe ka arrestuar në Sepolia ekzekutorin shqiptar, me emrin Klodian L., i njohur me pseudonimin Meci, i cili prej shumë kohësh ishte person në kërkim, pasi kryente vrasje me pagesë për llogari të personave që ndodhen në burg.


Midis kontratave për vrasje, siç ka rezultuar nga hetimet, përfshihet edhe emri i një oficeri të lartë të policisë greke, për vrasjen e të cilit ishin paguar 200 000 euro nga burgu. Vrasja nuk u krye, pasi qëllimet e grupit u zbuluan në kohën e duhur nga sigurimi i Atikës.

Klodian L., sipas të gjitha provave dhe shenjave ishte pjesëtar i një grupi ekzekutorësh, bashke me dy grekë, njeri prej të cilëve u vra para disa kohe në Koridalos. Sipas policisë, nuk përjashtohet që vrasja të jetë kryer nga bashkëpunëtorët e tij për t’i mbyllur gojën, pasi ai ishte autori i një vrasje serioze. Klodian L. dyshohet të jetë i përfshirë edhe në vrasjen e 2 anëtarëve të ‘Agimit të Artë’ një vit më parë.

Ndërkaq policia ka arrestuar edhe një femër shqiptare dhe është në kërkim të një shqiptari me emrin Olti, një shtetasi polak dhe një shoferi grek taksie.

Emrat e tyre kanë dalë në dritë nga marrja në pyetje e Arbër Bakos dhe akuzohen për fshehje dhe përkrahje të autorit të krimit.

Vetë 31 vjeçari shqiptar Arbër Bako ka pranuar para hetuesve se ka qenë i përfshirë në 5 përplasje me armë, gjatë të cilave janë shkaktuar edhe viktima.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb