“Kujtimi na ka marrë fytyrën. Na ka turpëruar jo vetëm këtu në fshat e në zonë, por në të gjithë vendin. Që nga dita kur ndodhi ngjarja, ne nuk guxojmë të dalim as tek oborri i shtëpisë. Nuk e dimë pse e bëri dhe si e bëri atë krim të tmerrshëm. Edhe sikur të na falin familjarët e viktimave, ne nuk mund t’u dalim më para syve”.

Kështu janë shprehur dje familjarët e 51-vjeçarit Kujtim Koxha nga fshati Shëlli i njësisë administrative Lis të Matit, i cili pasditen e së enjtes bëri masakër të vërtetë, duke vrarë me breshëri kallashnikovi tre punonjësit e bashkisë dhe duke plagosur një tjetër. Vrasja e trefishtë ka shokuar familjarët e vrasësit.

Menjëherë pas ngjarjes ku mbetën të vrarë shtetasit Mentor Hoxha 36 vjeç, Erzen Aliaj 49 vjeç dhe Hamit Buçi si dhe mbeti i plagosur Astrit Hani, 40 vjeç familja Koxha është ngujuar. E ndërsa pjesëtarët e familjes Koxha kanë dënuar aktin e rëndë, vetë autori i krimit makabër nuk ka shprehur pendesë për marrjen e tri jetëve dhe lënien jetimë të fëmijëve të viktimave. Dy ditë më parë ai është justifikuar para oficerëve të policisë gjyqësore me fjalët se njëri nga viktimat e kishte fyer dhe e kishte qëlluar me shuplakë.

“Njëri nga ata më qëlloi me shuplakë dhe më tha je i dehur. Më pas nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur”, është shprehur 51-vjeçari, i cili pohohet të jetë person problematik. Ndërkohë, burime zyrtare nga Prokuroria e Burrelit dje bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se të hënën do të jepet masa e sigurisë ndaj autorit të masakrës që tronditi gjithë opinionin publik, Kujtim Koxha. “Ne kemi mbledhur të gjitha materialet e duhura. Kemi bërë dokumentimin e ngjarjes që ndodhi pak ditë më parë në fshatin Shëlli. Të hënën do të kërkojmë masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ ndaj autorit të krimit”, tha prokurori i çështjes, Abaz Muça. Nga ana tjetër, mësohet se policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit të vrasjes së trefishtë duke kryer shërbim përgjatë 24 orëve, pasi i druhen një hakmarrjeje të mundshme ngatë afërmit e viktimave.
Lajmin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print: http://www.gsh.al/2018/10/14/kujtimi-na-turperoi-dhe-na-e-mori-fytyren-qe-beri-sdalim-dot-te-pragu-deres/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb