VLORE- 8 arkivole dolën nga një derë. 8 jetë të prera në mes nga dora gjakatare e 24-vjeçarit Ritvan Zykaj, i cili i ekzekutoi dje me kallashnikov kushërinjtë e tij. 6 arkëmorte në ngjyrë kafe dhe 2 të bardhë, ku prehen Sara dhe Ledjoni, motra 17 vjeçe dhe vëllai vetëm 6 vjeç, pasi u është dhënë lamtumira e fundit, mes lotëve dhe britmave, janë përcjellë për në vendin ku do të prehen.

Gazetari Enrik Mehmeti raporton në një lidhje live për ‘News24’ se familjarët e familjes Zykaj do të plotësojnë amanetin e fundit që kishte lënë sa ishte gjallë Demir Zykaj, kryefamiljari i këtij trungu, se kur të vdiste, donte të prehej në tokat e tij. E ndaj ata kanë vendosur që të gjithë viktimat të prehen në të njëjtin vend, mes pemëve të ullinjëve, që janë simbol i paqes. Teksa burrat fusin arkivolet në gropat e hapura, gratë vajtojnë me ligje.

Ndërkohë, në ceremoninë e varrimit janë mbajtur edhe fjalime prekëse, ku është kërkuar që shteti të dënojë autorin e krimit të rëndë. Ngjarja e djeshme cilësohet si nga më të rëndat që është dëgjuar në këto 30 vitet e fundit, ndërsa në ceremoni marrin pjesë jo vetëm familjarë, e të afërm, por banorë të fshatit e qindra qytetarë.
VIKTIMAT
1- Demir Zykaj, 75 vjec (Vellai i gjyshit të autorit)
2- Ferie Zykaj, 72 vjece, (Gruaja e Demirit)
3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i demirit)
4- Vasilika Zykaj, (Gruaja e Besimit)
5- Sara Zykaj, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)
6- Ledjon Zykaj, 6 vjec (Djali i Besimit)
7- Azem Zykaj (Djali i Demirit)
8- Afërdita Zykaj (Gruaja e Azemit)

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

SI NDODHI NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Resulaj të Vlorës. Në rrethana ende të paqarta, Ridvan Zykaj pasi ka rrëmbyer një kallashnikov në dorë, ka shkuar në drejtim të banesave të kushërinjve të tij. Si fillim ai ka hyrë në oborrin e banesës së Besim Zykajt, ndërsa e ka gjetur kryefamiljarin aty dhe më pas ka hapur zjarr ndaj tij. Ai ka vrarë si fillim Besimin dhe gruan e tij, Vasilikën. Dora gjakatare e 24-vjeçarit ka shtënë edhe ndaj vajzës së Besimit, Sarës, 17 vjeçe, e cila qëndronte pak më larg prindërve dhe vëllain e saj të mitur, Ledjonin, vetëm 6 vjeç.

Pasi ka shuar familjen e parë, Ridvani ka ecur në drejtim të banesës së Demirit, (vëllait të gjyshit) ndërsa e ka vrarë atë teksa qëndronte në divan në ballkonin e shtëpisë, dhe më pas ka shtënë në drejtim të gruas së tij, duke e lënë dhe atë të vdekur në vend.

Ndërkohë, djali i Demirit, Azemi, pasi ka dëgjuar të shtënat me armë, ka dalë i tronditur bashkë me gruan për të parë se çfarë po ndodhte dhe iu drejtuan shtepisë se babait, por janë vrarë me breshëri plumbash të dy bashkë në rrugë. Pas 12 orësh në arrati, 500 forca policie kanë bërë të mundur arrestimin e 24-vjeçarit, i cili nuk shprehu asnjë shenjë pendese për krimin e rëndë.

‘BalkanWeb’ bashkohet me dhimbjen e të afërmeve të viktimave dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta për ngjarjen e rëndë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: