VLORË- Policia e Vlorës ka dhënë informacionin zyrtar në lidhje me arrestimin e vrasësit të Selenicës i kapur sot në mëngjes pas 12 orësh arrati. Ekspertë të policisë kriminale ndodhen në Drejtorinë e Policisë Vlorë për të marrë në pyetje autorin e 8 vrasjeve, i cili deri në këto momente nuk ka shprehur pendesë por ka qëndruar i ftohtë dhe madje ka bërë edhe ironi me efektivët e policisë.
“Grupi hetimor me ekspertë të Policisë Kriminale të DVP Vlorë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vijojnë hetimet lidhur me motivin e plotë të krimit të kryer prej 24-jeçarit në fshatin Resulaj”, deklaron policia e Vlorës.
Që prej momentit që u shoqërua në ambientet e DVP Vlorë, autori po pyetet në disa seanca nga strukturat policore përkatëse mbi rrethanat e krimit.
Policia deklaron se nga hetimet e deri tanishme dhe nga deklarimet paraprake të shprehura prej tij, ka rezultuar se e ka kryer aktin kriminal për motive të dobëta/banale, (autori është shprehur se pjesëtarë nga dy familjet Zykaj e kanë akuzuar për vjedhje).
Lidhur mbi këtë por edhe në pista të tjera Policia po vijon hetime të imtësishme deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(m.k/BalkanWeb)