Vëllai i autorit të masakrës së Selenicës ka qenë ndërmjetësuesi kryesor dhe ai që ka bindur Ritvan Zykajn që të dorëzohej në të gdhirë të ditës së shtunë, disa orë pasi kishte kryer krimin e 8-fishtë. Burime nga Policia thanë se Hoveljando Zykaj, i cili është 3 vjet më i madh se Ritvani, ka negociuar gjatë kohës që i vëllai ishte në arrati, derisa ka arritur ta bindë që të mos fshihej më.
Gjatë gjithë kohës ai ka biseduar me mesazhe me autorin e krimit, deri në momentin që Ritvanit i është fikur telefoni, pasi i ka mbaruar bateria. I vëllai e pyeste vazhdimisht se ku ishte dhe ai gjatë gjithë kohës i tregonte se ishte rrotull fshatit, nuk ishte larguar.
Ndërsa në një nga mesazhet që i ka dërguar të vëllait, Ritvani ka shfaqur një lloj pendese për masakrën që kishte kryer. “Bobo çfarë kam bërë!” Ky është një ndër mesazhet që Ritvan Zykaj i ka shkruar Hovelajdos, teksa ky i fundit i kërkonte të dorëzohej. Pak sekonda para se t’i fikej telefoni, Ritvani i ka treguar adresën e përafërt të vendit se ku po fshihej, mes disa kallamishteve.
Ishte pikërisht ky vend, i njohur nga banorët e lagjes “Resulaj” të Selenicës si “Çezma e misrit”, ku Policia mundi të arrestonte autorin e masakrës me 8 viktima. Burimet thanë, se pasi është rrethuar nga efektivët e RENEA-s, 24-vjeçari nuk ka bërë rezistencë, duke ngritur menjëherë duart lart.
Më pas i ka çuar vete efektivët disa hapa më tej, ku kishte fshehur armën e krimit. Burimet thanë se më pas gjetën dhe sekuestruan automatikun me 2 karikatorë, në njërin prej të cilëve kishte 30 dhe në tjetrin 20 fishekë, si dhe një sasi tjetër prej 51 fishekësh, të kalibrit 7.62 mm.
Burimi: panorama.com.al