Polici i kufirit në Korçë, Gjergji Gjorgji që masakroi 59-vjeçarin Ilir Terolli është pezulluar nga detyra. Gjorgji, me detyrë Ndihmës specialist kontrollor në SPKM Pustec, dhunoi jashtë orarit të punës Terollin.


“BalkanWeb” mësoi se ngjarja ndodhi më 18 nëntor, por pavarësisht denoncimit nga 59-vjeçari nuk ishte marrë asnjë masë ndaj policit. Konflikti ndodhi pasi Terolli, kishte dashur t’i paguajë kafenë në qytetin e Kosturit në Greqi, bashkëshortes së policit dhe një shoqeje të saj, meqë njihej prej 15 vitesh me Gjorgjin.


Terolli në një prononcim për mediat tregoi se kur ishte takuar rastësisht me policin Gjorgji, ai e kishte goditur dhe rrahur keq. 59 vjeçari denonci mediatikisht rastin duke thënë se Gjorgji i kishte kërcënuar bashkëshorten dhe nusen e djalit që të tërheqin denoncimin.


“Të gjitha këto pasi unë kam refuzuar sekserët e tij, të cilët më ofruan 10 milion lekë të vjetra për të tërhequr denoncimin”, – u shpreh më herët Terolli. Materialet me veprimet e para hetimore i kaluan Prokurorisë Korçë për veprime të mëtejshme.
Komunikata e Policisë
Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë Inspektor Gjergji Gjorgji, me detyrë Ndihmës specialist kontrollor në SPKM Pustec.
Ndaj tij, zyra e SHÇBA së Korçës kishte marrë një kallëzim nga shtetasi I.T. për ushtrim dhune psikologjike dhe fizike.
Nga veprimet e para hetimore është konkluduar se ka patur një konflikt fizik mes punonjësit të Policisë dhe kallëzuesit, por në momentin e konfliktit punonjësi i policisë nuk ka qenë në detyrë apo shërbim.
Konflikti fizik dyshohet se është provokuar nga motive të dobëta.
Materialet me veprimet e para hetimore i kaluan Prokrurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, e cila ka regjistruar procedimin  për veprën penale: “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga neni 89 i Kodit penal

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: