Kushtetuesja shqyrton nesër në orën 09:00 ankimin e kreut demokrat Sali Berisha, i cili kërkon shpalljen anti-Kushtetuese të masave të dhënë nga SPAK, pa autorizimin e Kuvendit.
Bëhet fjalë për masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit” të cilat SPAK i aplikoi ndaj ish-Kryeministrit, pa iu drejtuar më parë Kuvendit për autorizim. Berisha i shpërfilli këto masa duke i cilësuar si anti-Kushtetuese, përderisa ato i kufizonin të drejtat si deputet.
Pikërisht lidhur me këto dy masa të SPAK, Kushtetuesja pritet të shqyrtojë nesër dhe të shprehet nëse Prokuroria Speciale ka zbatuar ose jo Kushtetutën.
Më herët Berisha përmes mbrojtësve të tij ligjorë kërkoi që nga trupa që do të merrte në shqyrtim çështjen e tij të përjashtohej gjyqtarja Marsida Xhaferllari, bashkëjetuese e deputetit Enkelejd Alibeaj.
Përplasjet mes Berishës dhe Alibeajt përbënin thelbin e kërkesës së avokatëve të ish-Kryeministrit që kërkonin përjashtimin nga trupa të Xhaferllarit, duke e cilësuar gjyqtaren si në konflikt interesi. Kushtetuesja e rrëzoi këtë kërkesë të avokatëve të Berishës.
Për të njëjtën çështje Kushtetueses iu drejtuan kohë më parë deputetë të opozitës, por kërkesa e tyre nuk u shqyrtua nga Gjykata.
Pasi ish-Kryeministri shpërfilli masat e para të sigurisë të vendosura nga Prokuroria Speciale, SPAK iu drejtua Kuvendit duke i kërkuar autorizimin, por me kërkesën për masën e sigurisë “arrest shtëpie” ku prej 11 muajsh Berisha është i izoluar.