TIRANE– Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i është përgjigjur deklaratës së kreut të Emergjencave Civile Shemsi Prençi se situata për përmbytjet në Shkodër është paralajmëruar dhe se masat janë marrë me vonesë nga ana e bashkisë. Gjatë një lidhje direkte në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në News24, Ademi tha se ka kërkuar që para dy javësh që të shpallet gjendja e emergjencës.

“Turp që Shemsi Prenci thotë se situata është paralajmëruar dhe masat u morën me vonesë nga bashkia. Unë në datë 5 i kam dërguar shkresën e parë prefektit duke paralajmëruar një situatë të tillë që duhet të paralajmërohej nga Prenci dhe është e pafalshme që  jemi në situatën që ende nuk e dimë se çfarë do ndodhte të nesërmen. Ne kemi kërkuar informacion për të lajmëruar njerëzit. Kam kërkuar shpalljen e emergjencës së pjesshme prej 2 javësh. Ka një papërgjegjshmëri nga Prenci dhe faktorët e tjerë nga pushteti qendror. Kam kërkuar që prej 2 javësh të nisë evakuimi i banorëve. Nuk ka përplasje politike mes bashkisë dhe qeverisë për situatën e përmbytjeve. Duhet të marrë përgjegjësinë çdo institucion”- tha Ademi.

Ademi tha ndër të tjera se situata është menaxhuar vetëm në nivel lokal dhe se deri në orën 6 të pasdites së sotme janë  5 mijë hektarë toke dhe territore nën ujë.

“Situata është menaxhuar nga niveli lokal. Kryeministri, ministrat e linjës duhet të ishin në terren të vlerësonin situatën për të menaxhuar situatën. Qeveria nuk ka dhënë asnjë investim për gjënë e gjallë. Ne tani jemi në situatën ekstrem. Shkaku themelor janë shkarkimet e tejskajshme. Ne kemi kërkuar të dimë nga punonjësit e hidrocentraleve,  por atyre nuk u është lejuar edhe telefoni që të mbajnë nga frika se na japin informacione ne. Deri në orën 6 pasdite ne kemi rreth 5 mijë hektarë toke dhe territore nën ujë, me mbi dy metra ujë”- tha Ademi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb