Opozita e bashkuar mbajti sot protestën e 8-të kombëtare në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, me të njëjtën kërkesë, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të lira.

PAMJE NGA DRONI

Me flamuj të PD, BE, SHBA, Gjermanisë e pankarta të shumta, mijëra qytetarë kanë mbushur Bulevardin për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Simboli i kësaj proteste ishte kafazi prej hekuri brenda të cilit qëndronin dy të rinj të FRPD me maskën e Ramës e të Dakos, për të treguar se vendi i tyre është burgu. Situata vijoi e qetë përpara godinës së kryeministrisë. I vetmi moment kur protestuesit hodhën fishekzjarre e kapsolla ishte teksa po fliste kreu i PD Lulzim Basha. Situata ndryshoi kur turma u zhvendos drejt Parlamentit.

Protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur para derës kryesore nga policia. Ata hodhën fishekzjarrë dhe kapsolla të fuqishme në oborrin e parlamentit. Policia u përgjigj me ujë me presion e gaz lotsjellës duke shpërndarë turmën ndërsa në zonë u ndërpre edhe ndricimi. Me reagimin e policisë dhe thirrjen e presidentit për largim nga parlamenti të protestuesve këta të fundit u larguan të nxitur nga organizatorët e PD e LSI, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi dhe nënkryetari i LSi Petrit Vasili. Për protestën e kësaj të shtune në terren policia angazhoi rreth 1700 efektivë.

Me gjithë vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për shtyrjen e zgjedhjeve, protesta u zhvillua për 180 minuta por për t’u mbyllur me sa duket sërish para kohës së parashikuar. Nga ana tjetër kreu i PD-së Lulzim Basha përshëndeti vendimin e Presidentit por tha se beteja vijon për largimin e kryeministrit Edi Rama duek iu bërë thirrje socialistëve të marrin drejtimin e partisë dhe të ulen për dialog.

Basha: Orët e tiranisë po marrin fund, troket ora e Europës

Ora 21:19 – Mbi 2 orë nga nisja e protestës së tetë kombëtare të opozitës së bashkuar, kryedemokrati Lulzim Basha iu drejtua mbështetësve nga selia e PD, cka shënon edhe fundin e protestës për ditën e sotme. Basha tha se orët e tiranisë po marrin fund, ora e lirisë se rë e Shqipërisë si Europa po troket.

Ai iu tha protestuesve se është forca juaj zgjoi vetëdijen e fjetur e të strukur nga terrori e propaganda.

“Është zëri juaj që kumboi nga Berlini në Bruksel, në Londër e Uashington dhe që e tregon qartë se kurrë jo popullit shqiptar, askush nuk mund t’ju vejë çizmen despotike orientale kriminale në qafë. Askush dhe aq më pak kreu i bandës kriminale në pushtet. Rama ik. Forca jonë, forca juaj sa vjen e shtohet, siç shtohen radhët e protestave tona, siç bëhet çdo orë e çdo ditë bashkimi ynë, bashkimi i shumicës morale, politike e njerëzore që është sot për Shqipërinë si gjithë Europa. ndaj vëllezër e motra sot kulari është në qafën e tiranisë, kulari nuk do jetë më në qafën e shqiptarëve do ta heqim me vendosmërinë tonë, derisa ta rrëzojmë tiraninë.

E sotmja është një mbrëmje e rëndësishme për betejën tonë, e duam Shqipërinë si gjithë Europa. E sotmja vazhdon deri në largimin e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore për zgjedhje të lira e të ndershme.

Unë e di zemërimin e zemrave që dhembin nga fëmijët e pabukë, nga prindërit e papunë, me dinjitet të nëpërkëmbur. Nga qindra mijëra të shpronësuar. Unë e di dhe e njoh dhimbjen tuaj. E kam prekur dhe prek çdo ditë. E di zemërimin tuaj të ligjshëm, ndaj jam në krahun tuaj”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së iu kërkoi protestuesve mirëkuptim për të mbyllur protestën pas vendimit të Presidentit Ilir Meta.

“Dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj që kjo natë të mbesë me mesazhin e qartë dhe të prerë se shumica jemi ne, jeni ju se ne nuk do të hedhim asnjë hap pas deri në realizimin e objektivit tonë. Ne duam vlera e standarde europiane, duam zgjedhje të standardeve europiane. Shqiptarët duan e meritojnë qeveri europiane. Planet ogurzeza të provokatorëve të dhunës që edhe sot duan të ndalin trajektoren e pandalshme të ngjarjeve që sapo kanë nisur dhe do të çojnë në rrëzimin e tiranisë së krimit, gazin që hodhën mbi qytetarët krejtësisht paqësore dhe pa shndërruar në një natë dhune, për të tërhequr vëmendjen nga një bandë kriminale, kjo përpjekje dështon me turp, siç dështon me turp përpjekja për zgjedhje moniste kriminale, pas anulimit nga Presidenti të 30 qershorit.

Tani orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë më në këmbë se kurrë, më të fortë se kurrë, më të vendosur se asnjëherë më parë për ta çuar këtë betejë drejt fitores totale.

Bisha e plagosur kriminale do bëjë gjithçka për të ndalur grahmat e fundit të kufomës politike dhe kreu të bandës kriminale Edi Rama por si asnjëherë më parë tik-taku po dëgjohet e do dëgjohet edhe më fort deri sa gongu i lirisë dhe demokracisë të shtrijë përdhe tiraninë e krimit. T’u kthejë shqiptarëve gjënë më të shtrenjtë, votën e lirë pa të cilën nuk ka mirëqenie, nuk ka demokraci e zhvillim. Dua t’ju pyes, a jeni gati ta çojmë këtë betejë deri në fund, të bëjmë gjithçka për orën e lirisë së re. Zonja e zotërinj, gjithçka na ka bashkuar në këtë betejë është vlera. Njeriu nuk është asgjë në qoftë se nuk është vlera. jeni fisnikët e vlerave familjare, shqiptare, europiane, jeni çlirimtarët e Shqipërisë nga krimi. Kjo armatë lirie e demokracie ka bërë këto 4 muaj të paimagjinueshme për Tiranën por atë që sot ndjen çdo krijesë, kur njerëzit bëhen bashkë për kauzën e drejtë, nuk ka forcë që i ndal”, tha Basha.

Situatë e tensionuar tek parlamenti, policia hedh gaz lotsjellës

Ora 20:55- Ndonëse para Kryeministrisë nuk pati incidente, një situatë tjetër paraqitet tek parlamenti. Protestuesit kanë hequr gardhin metalik të vendosur para derës kryesore nga policia. Ata po hedhin fishekzjarrë dhe kapsolla të fuqishme në oborrin e parlamentit. Policia ka hedhur ujë me presion e gaz lotsjellës duke shpërndarë protestuesit. Po kështu në momentin që u hodh gaz lotsjellës u fikën edhe dritat e ndriçimit në zonë.

Protestuesit zhvendosen drejt parlamentit

Ora 20:40- Menjëherë pas mbylljes së fjalës së kreut të PD-së Lulzim Basha, protestuesit me celularë të ndezur i janë drejtuar parlamentit. Deri tani nuk ka pasur incidente në protestë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Basha iu bashkohet qytetarëve në Bulevard

Ora 19:45- Pak minuta pas vendimit të Presidentit të Republikës për të shtyrë zgjedhjet, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka lënë selinë e PD për t’iu bashkuar qytetarëve para Kryeministrisë. Ai është pritur me ovacione e brohorima, ndërsa ka përshëndetur me dy gishta.

Basha Del Nga Selia Pd
Basha Del Nga Selia Pd

Mijëra qytetarë në shesh

Ora 19:10- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur përplot me qytetarë të thirrur nga opozita për të protestuar kundër qeverisë. Me flamuj të PD, BE, SHBA, Gjermanisë e pankarta të shumta, mijëra qytetarë kanë mbushur Bulevardin për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Basha fton shqiptarët në protestë, mesazhi i fortë

Ora 16:58 – Kreu i opozitës Lulzim Basha fton sërish shqiptarët për në protestë. Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të gjithë bashkë në shesh, për t’i treguar kryeministrit Edi Rama se populli ia ka hequr vizën. “Protesta, përballja, bashkimi kundër padrejtësisë është e vetmja shpresë për shumicën e shqiptarëve që duan një vend normal, ku qeveria të punojë për ta e jo për krimin. Sonte në ora 19.00 të bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin në protestën kombëtare, për t’i treguar kryeministrit ilegjitim të Avdylajve, se populli ia ka hequr vizën. Asnjë hap pas! #ShqipëriasiEuropa”, shkruan lideri i opozitës

Fierakët drejt Tiranës, Luan Baçi: Në 30 qershor s’ka zgjedhje

Ora 16:35 – Qytetarë të shumtë janë nisur nga Fieri për në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e thirrur sot nga opozita e bashkuar. Në nisje, kreu i PD-së Fier, ish-deputeti Luan Baçi foli për deklaratën e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ai tha se frika e tyre është për Edi Ramën, sepse ai duhet të largohet. Baçi deklaroi se protesta do të jetë paqësore.

Protesta/ Nisen drejt Tiranës qytetarët nga Berati (Video)

Ora 16:07 – Ashtu siç edhe ishte parashikuar, protestës së sotme të opozitës në Tiranë, do t’i bashkohen si në çdo protestë tjetër edhe demokratë të Beratit. Të organizuar përpara selisë blu ata sapo janë nisur drejt Tiranës, me autobusë dhe mjete të vogla.

Shehu: Qarku i Gjirokastrës “ndez motorët” drejt Tiranës

Ora 14:49 – Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka postuar në këto mometne foto të simpatizantëve nga Qarku i Gjirokastrës që janë nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e opozitës, e cila zhvillohet sot në orën 19:00.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb