LEZHE- Krerët e Policive të Shqipërisë dhe Kosovës janë takuar ditën e sotme në Lezhë për të diskutuar mbi masat që garantojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik, që tashmë ka filluar. Ardi Veliu, drejtori i Policisë së Shtetit, dhe Naim Rexha, drejtori i Policisë së Kosovës, nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit “Për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, në territorin e Republikës së Shqipërisë”, gjatë sezonit turistik 2018.

Ky memorandum ka qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret për parandalimin e shkeljeve administrative në fushën e trafikut rrugor, uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor për krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore, që lidhin dy vendet.

Në një prononcim të përbashkët për mediat, pas nënshkrimit të Memorandumit, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se:

“Sot, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës nënshkruam Memorandiumin e bashkëpunimit për sezonin turistik ku si edhe në vitet e tjera, shërbimi policor i Kosovës do të jetë prezent së bashku me shërbimet e Policisë së Shtetit për sigurimin e akseve rrugore, njëkohësisht edhe disa zonave turistike të cilat frekuentohen masivisht nga shtetasit kosovar. Kjo është një përvojë, e cila tashmë ka disa vite dhe është një përvojë shumë e mirë në drejtim të shkëmbimit qoftë të eksperiencave, por njëkohësisht edhe të parandalimit të aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në Shqipëri. Gjej edhe njëherë rastin që të falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, njëkohësisht dhe Policinë e Kosovës për kontributin që është duke dhënë në drejtim të sigurimit dhe mbarëvajtjes të sezonit turistik në vendin tonë”.

Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, shprehu angazhimin për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik.

“Faleminderit për mundësinë, faleminderit i nderuar zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, miku im Ardi! Me këtë rast dëshiroj të potencoj që qëllimin e kahershëm, të njëjtë me angazhimet tona të përbashkëta po e begatoj me modalitete të reja të ofrimit të shërbimeve të sigurisë në trafikun rrugor, dhe jo vetëm në trafikun rrugor, si hallkë e re shtesë të zinxhirit të gjatë të bashkëpunimit tonë të përbashkët me një model shtesë jashtëzakonisht të rëndësishëm të zvogëlimit të fataliteteve gjatë qarkullimit në rrugët publike si pasojë e aksidenteve të trafikut dhe ofrimit sa më të mirë të shërbimeve të trafikut të dy policive respektive, brenda afateve kohore me fokus të veçantë në mbulimin e tërë sezonit veror me këtë rast, gjithë pushuesve, përfitoj nga rasti t’ju dëshirojë pushime të këndshme dhe t’ju lus që t’ju përmbahen rregullave të trafikut rrugor dhe për çfarëdo nevoje që kanë kudo që gjenden në rrugë t’ju drejtohen zyrtarëve tanë respektiv të dy policive që janë në shërbim të tyre. Faleminderit!”, u shpreh drejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb