TIRANE- Për skandalin e falimentimit të kompanisë së tregtimit të naftës “Gulf” e cila rezultoi të kishte ngritur një skemë gati piramidale shitjeje tollonash nafte dhe benzine me çmime deri 30 përqind më të ulëta se tregu, reagon edhe Partia Demokratike.

Përmes një paneli deputetësh dhe ekspertësh ekonomikë demokratët janë të mendimit se një kompani si “Gulf” që ka si pronarë një kompani “offshore” në parajsat fiskale, me aksionerë krejt të panjohur, nuk mund të mos ketë pasur bekimin e qeverisë.

Zonja Tabaku theksoi në konferencën për shtyp me gazetarët se kjo kompani ndryshe nga biznesi i vogël, i cili gjobitet deri në 500 mijë lek, është lënë i lirë nga shteti të ushtrojë veprimtarinë e tij, pa paguar asnjë detyrim. Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë deklaroi se “ministri Gjinknuri heshti kur kjo komani u hodh në treg”. Të tilla kompani sipas saj, janë arsyet pse në Shqipëri nuk vijnë investitorët seriozë.

Zonja Pelinku theksoi se kjo skemë nuk është hetuar për vetë faktin se kjo kompani administrohej nga Beso i Tajvanit, një nga klientët më të afërt të Ramës.

Sakaq, drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion, Lealba Pelinku tha se “një skemë e tillë nuk mund të ngrihet pa bekimin e qeverisë”. Ajo theksoi se kjo skemë nuk është hetuar për vetë faktin se kjo kompani administrohej nga Beso i Tajvanit, një nga klientët më të afërt të Ramës.

Këshilltari ekonomik i grupit të PD-së, Dorian Teliti tha se nga kjo skemë janë dëmtuar konsumatorët shqiptarë dhe buxheti i shtetit. Teliti vuri në dukje se fushata e nisur nga qeveria mbi kontrollin e hidrokarbureve, u la në gjysëm që në ditën e gjashtë të saj dhe kjo shpjegohet nga lidhjet e qeverisë me këtë sektor të biznesit.

“Tre janë pikat kryesore ku është dëmtuar konsumatori: Cilësia, të gjithë e dimë që ARMO përpunon por cilësia nuk iu afrohet standardeve të BE. Elementi i javës së fundit: U shitën me mijëra tollona tek konsumatorët që kanë në dorë letra bakalli. Buxhetit të shtetit do i mungojnë miliona dollarë”.

Deklarata e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku.

Në 12 Shtator të 2013 filloi biznesin “Gulf” në Shqipëri ku Ministri Gjiknuri i pranishëm, theksoi se nga kjo ditë do të fillonte një histori e re suksesi në fushën e karburanteve.

Po çfarë ndodhi në të vërtetë?

Në fakt sot 5 vite pas operimit të kësaj kompanie ajo ka mbyllur dyert, pasi ka krijuar një piramidë duke shitur karburantin me tollona me çmim 25% më të ulët se tregu dhe ka grumbulluar rreth 5 milionë Euro.

Nga dita e themelimit e deri në 2018 kur falimentoi kompania ka dalë me humbje të mëdha ndonëse mesatarisht në tre vite kompania ka pasur një xhiro vjetore prej 3.8 miliard lekësh, humbjet e saj duken të pajustifikuara.

Siç grafiku e tregon, nafta e prodhuar e importuar ka rënë nga 500 000 ton në 400 000 ton (me një vlerë në treg prej 120 milionë euro).

Ndërkohë që nafta e prodhuar në vend është rritur nga 12 000 ton në 167 000 ton (me një vlerë në treg prej 200 milionë euro). Kjo tregon se nafta e “ARMO” është hedhur në treg dhe është shitur pamvarësisht cilësisë së ulët të saj. “Gulf” ka qënë i vetmi rrjet që ka tregtuar naftën e ARMO-s.

Këto dy kompani kanë qënë të lidhura me njëra-tjetrën me klientin e preferuar të qeverisë. Albano Aliko është njëkohësisht pronar dhe i biznesve të tjera me Beson. Njësoj si ARMO që kishte detyrime të papaguara prej 60 mln euro dhe “Gulf” operonte me të njëjtën skemë.

Ministria e Financave ende sot e kësaj dite nuk ka dhënë një përgjigje shteruese mbi falimentin e një kompanie që bënte mesatarisht 3.8 miliardë lekë xhiro vjetore, megjithëse nisi një fushatë tek kompanitë e naftës.

Ministri Gjiknuri gjithashtu hesht megjithëse ka deklaruar për standardin e lartë të investitorëve të huaj.

Kompania raportohet se ka deryrime të papaguara ndaj shtetit, raportohet se ka sigurime shoqërore të papaguara. Por si ka mundësi që një biznesi të vogël i vendoset gjobë prej 50 000 lekësh megjithëse janë të vetëpunësuar dhe kjo skemë mashtrimi fiskal nuk është parë nga sytë e shtetit?

A duhet të flasë për këtë ministri Ahmetaj, Gjiknuri apo dhe institucione të tjera? Drejtoria e Pastrimit të Parave? Drejtoria e Hetimit tatimor?

Kjo është dhe arsyeja pse investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri.

Kjo është arsyeja pse largohen nga shteti i Edi Ramës sepse qeveria mbështet vetëm një grup biznesesh që përfitojnë tendera e konçesione, sepse Edi Rama mbështet vetëm miqtë e klientët e tij.

Kjo është arsyeja pse policia nuk raportoi denoncimet e qytetarëve.

Kjo është arsyeja pse të gjitha institucionet heshtin.

Deklarata e drejtueses së departamentit Antikorrusion në Partinë Demokratike, Lealba Pelinku
Është marrë në shqyrtim dhe është analizuar nga Departamenti Antikorruspion dhe Partisë Demokratike, skema e veprimtarisë së kompanisë “Gulf”, dhe është arritur të konfigurohet kjo skemë komplekse, ku bëjnë pjesë shoqëri që operojnë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Është një skemë pronësie dhe administrimi.

Siç është raportuar nga mediat, janë të përfshirë në këtë skemë ish-zyrtarë me kombësi gjeorgjane dhe ajo çfarë e pasuron këtë skemë janë kompani të tjera që kanë pronësi të ndryshme nga ajo e tregtimit të hidrokarbureve, madje njëra prej këtyre kompanive ka kontratë me Bashkinë Tiranë.

Ajo që vlen të theksohet në të gjithë këtë skemë gjigande, është fakti që ajo të çon tek klienti i preferuar i kryeministrit dhe është lehtësisht e kuptueshme që një skemë e tillë nuk mund të ngrihet brenda ditës dhe pa bekimin apo miratimin e qeverisë dhe kjo është arsyeja përse organet përgjegjëse nuk e kanë hetuar pavarësisht fakteve të qarta lidhur me pjesën e errët të veprimtarisë së kësaj shoqërie dhe skemës në tërësi.

Deklarata e Këshilltarit ekonomik të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Dorian Teliti

Unë do doja ta vazhdoja aty ku e la zonja Tabaku, pikërisht tek fushata e kontrollit që u bë para dy vitesh në pikat e karburantit në të gjithë Shqipërinë. Është një fushatë e cila u la përgjysëm që ditën e gjashtë të saj, ku pati informacion nga qeveria shqiptare dhe strukturat përgjegjëse vetëm 6 ditët e para dhe që në ditën e gjashtë fushata u braktis pasi kjo shpjegohet me lidhjet e politikës shqiptare me biznesin, lidhje të cilat kanë shkuar në kurriz të qytetarëve shqiptarë, të bizneseve e të konsumatorëve. Duke vazhduar edhe me prezantimin që bëri zonja Tabaku sa i përket sasisë së prodhuar në vend dhe sasisë së importuar gjatë vitit të kaluar (2017), vihet re rënia e madhe e importit të karburanteve gjatë vitit të kaluar. Një rënie e cila nuk ndodhte prej shumë vitesh, pra vit pas viti importi i karburantit vazhdon të rritej, por viti 2017 është një situatë atipike, dhe importi ka rënë pikërisht duke u zëvendësuar nga prodhimi vendas, një prodhim i cili është rritur 15 herë krahasuar me vitin e kaluar. Ku ka shkuar ky karburant? Ka shkuar në makinat tona, ka shkuar në transportin tonë, në ajrin që ne thithim, ka shkuar në shendetin tonë, të qytetarëve dhe të gjithëve ne. Tre janë pikat kryesore ku duhet të fokusohemi dhe ku është dëmtuar konsumatori shqiptar dhe buxheti I shtetit, që është buxheti jonë i qytetarëve shqiptarë. E para është cilësia! Të gjithë ne jemi dëshmitarë se Armo me të vërtetë është një rafineri e cila përpunon, por cilësia e karburantit të përpunuar nuk është dhe nuk i afrohet absolutisht cilësisë së standardeve të paracaktuara nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Bashkimi Europian. Pjesë tjetër ku janë dëmtuar konsumatorët shqiptarë është elementi që ka ndodhur javën e fundit të operimit të kompanisë së ashtuquajtur “Gulf”, ku janë dhënë me mijëra me mijëra tollona që i janë shitur konsumatorëve, të cilët sot shkojnë dhe kanë vetëm letra bakalli në dorën e tyre dhe nuk marrin dot shërbimin, nuk marrin dot mallin për të cilët ato kanë parapaguar me një çmim i cili ishte i favorshëm, por që ishte tërësisht i rremë. Dhe në anën tjetër buxheti i shtetit, të cilit do ti mungojnë miliona e miliona dollar, dëm i cili është konstatuar sërish nga Drejtoria e Tatimeve, por që në bazë edhe të skemës që u paraqit edhe pastrami i parasë apo fshehja financiare që mund të ketë ndodhur, mund të jetë disa herë më e lartë, gjë për të cilën ne nuk kemi informacione zyrtare. I vetmi reagim që kemi pasur deri më sot është ai i djeshëm i pjesshëm, i drejtorisë së Përgjithëshme të tatimeve dhe absolutisht nuk kemi reagim as nga ministria përgjegjëse, dhe as nga ministria përgjegjëse për financat. Mungesa e reagimit shpreh një gjë shumë të qartë: që fakti se për një kompani kaq e madhe dhe një kompani me kaq rëndesi në tregun vendas, të mos ketë asnjë reagim nga autoritetet qëndrore shqiptare, është dicka e papranueshme, kur janë përsëri vet këto autoritete të cilat reagojnë pë rata qytetarët e thjeshtë, për ato dy kile domate apo dy kile kastraveca që I shesin në tregjet e tyre dhe dalin me pompozitetin më të madh për ti ndëshkuar ata në kuadër të fushatës Kundra Informalitetit. Pra kemi një pamje e cila ka dy fytyra. Nga njëra anë nëse ti je i vogël, nëse je qytetar i thjeshtë, nëse ti je një biznes për të mbajtur frymën tënde gjallë, ndëshkohesh dhe kapesh në mes të ditës nga strukturat shtetërore, kompanitë e mëdha të cilat operojnë në Shqipëri me bekimin e politikës shqiptare, absolutisht lihen të lira të bëjnë çfarë të duan. Nuk i kontrollon as kush i ka në pronësi, as se çfarë transaksionesh bëjnë dhe as se sa mijëra miliona tollona litra naftë shesin ditët e fundit dhe kjo është diçka që nuk është e tolerueshme, sepse bie ndesh me intetresin tonë të përgjithshëm, që është zhvillimi jonë dhe mirëqenia e qytetarëve shqiptarë. Vlen për t’u theksuar se Kontrolli Tatimor nuk ka funksionuar. Ky ishte një biznes me rrisk, e pranon dhe zyrtarisht Drejtoria e Tatimeve. Në Shqipëri kemi një legjislacion të qartë dhe DPT dhe ministrisa e financave duhet të japin llogari, informacion, duhet tu japin shpjegim qytetarëve shqiptarë pse kontrolli tatimor nuk ka funksionuar për një biznes me risk. Në anën tjetër, kjo vlen edhe në kuadër të filozofisë së qeverisë që ato miliona miliona euro të cilat janë të konstatuara tashmë si dëm në buxhetin e shtetit, nuk do të mbahet asnjë përgjegjësi pasi kompania dhe pronarët e saj aktualisht nuk gjenden, kjo dëmton rëndë klimën e të bërit biznes. Kjo përkthehet pasi edhe investitorët e huaj që nëse duan të vijnë në Shqipëri duhet të bëjnë vetëm diçka, të krijojnë lidhje me qeverinë. Ne qytetarët shqiptarë duam që shqipëria të ketë biznese të shëndetëshme, të sigurta. Biznese të cilat na japin ne një kthyeshmëri positive. Gjërat janë të qarta dhe shumë të thjeshta: bizneset e vogla ndëshkohen dhe kjo vjen edhe me filozofinë që kemi ne si subject politik pasi ne kemi thënë se qeveria shqiptare duhet të fokusohet tek biznesi i madh dhe të mos merret me biznesin e vogël, pasi biznesi i madh siç ndodhi me një falimentim kompanie e cila ka dëmtuar rëndë qytetarët shqiptarë dhe cilësinë tonë të jetetës.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: