TIRANE – Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim 9 persona, ndër të cilët zyrtarë të Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe drejtues farmacish, të përfshirë në një skemë mashtruese financiare me rimbursimin e ilaçeve. Sipas prokurorisë, nga kjo skemë mashtrimi i është shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 56 milionë lekë të reja.

Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se në krye të kësaj skeme qëndrojnë shtetasi Hysni Roçi, pronar i disa farmacive në kryeqytet, si edhe ish-drejtori rajonal i Fondit, Pjerin Xhuvani. Këta dy shtetas, në pozicionet e tyre, kanë përfshirë në veprimtari të paligjshme edhe shtatë shtetas të tjerë, përkatësisht 4 drejtues teknik farmacish dhe 3 punonjës të Fondit rajonal të Tiranës.

Në përfundim të hetimeve për këtë rast, nga i cili kanë rrjedhur edhe disa hetime të tjera në zhvillim, Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza për personat si më poshtë:
1. Hysni Roçi, pronar farmacish, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”
2. Pjerin Xhuvani, ish-drejtor i Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, hetuar fillimisht me masë sigurimi “arrest në burg”, ndryshuar nga Gjykata e Apelit në “arrest në shtëpi”, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim;
3. Edlira Mara, zyrtare e Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, hetuar me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, akuzuar për veprën të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim dhe “fallsifikimit të dokumentave”;
4. Frida Lamçe, zyrtare e Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, hetuar me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, akuzuar për veprën të “fallsifikimit të dokumentave”;
5. Fatbardh Budo, zyrtare e Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, akuzuar për veprën të “fallsifikimit të dokumentave”;
6. Mimoza Tufi, drejtore teknike e farmacisë “Lundër”, hetuar me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”;
7.. Nikollaq Thanasi, drejtor teknike i farmacisë “Nutrimed”, hetuar me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”;
8. Adelina Manaj, drejtore teknike e farmacisë “Adelina”, hetuar me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”;
9. Arens Spahiu, drejtor teknike i farmacisë “Bërzhitë”, hetuar me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”;

Prokuroria sqaron se hetimet kanë zbuluar se skema ka funksionuar në dy plane, të cilat lidhen me njëra-tjetrën, me qëllimin final përfitimin e paligjshëm të shumave të parave nga rimbursimi i ilaçeve.

Sipas prokurorisë së Tiranës, shtetasi Hysni Roçi, pronar i disa farmacive, u ka marrë liçencat drejtuesve teknikë të farmacive “Lundër”, “Bërzhitë”, “Adelina” dhe “Nutrimed”, me qëllim përfaqësimin e tyre në raportet me Fondin Rajonal të Kujdesit Shëndetësor për përfitimin e rimbursimit të ilaçeve. Nga hetimi ka rezultuar se këto farmaci, gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, kanë përfituar shuma të konsiderueshme në mënyrë të padrejtë, nga rimbursimi i ilaçeve që kanë deklaruar se kanë shitur, por që në të vërtetë rezulton se nuk kanë shitur ato sasi. Madje, rezulton se kanë deklaruar si të shitura ilaçe, të cilat nuk i kanë pasur asnjëherë në dispozicion.

Drejtuesit teknikë të farmacive, të cilët janë marrë të pandehur, kanë deklaruar gjatë hetimit, se nuk kanë kryer veprime me Fondin. Por, ka rezultuar e provuar se liçencat e tyre ia kanë dhënë shtetasit Hysni Roçi, i cili, nëpërmjet mashtrimit, ka rimbursuar në llogari të tyre shuma të ndryshme dhe në këtë mënyrë, edhe drejtuesit teknikë janë përfitues të kësaj skeme mashtrimi.

Nga ana tjetër, shtetasi Pjerin Xhuvani, në cilësinë e drejtorit rajonal të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, ka urdhëruar zyrtarë të tij për të formuluar akte fiktive kontrolli mbi farmacitë e sipërcituara dhe, në përfundim, i ka nënshkruar aktet e kontrollit, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë rimbursimit të padrejtë këtyre subjekteve private. Po ashtu, edhe zyrtarët e Fondit, të marrë të pandehur në këtë procedim, pavarësisht se ishin në dijeni të plotë të veprimeve të kundërligjshme, kanë nënshkruar akte kontrolle fiktive (të pakryera) për farmacitë, duke lejuar në këtë mënyrë përfitimin e padrejtë të rimbursimit monetar për subjektet private.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb