Rreth 15 biznesmenë u vunë dje në pranga e policisë nën akuzën e shmangies së detyrimeve tatimore, duke përdorur një skemë mashtrimi për rimbursimin e TVSH. Gazetarja Dorjana Bezat ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” kompanitë dhe aktivitetet ku operonin biznesmenët e arrestuar nga policia.

Paqësor Buzi ishte aksioner në kompaninë “GPG company” e cila ka aktivitet në fushën e ndërtimit të rrugëve. Sipas burimeve që citoi gazetarja Bezat, kjo kompani ka patur një sërë kontratash me Bashkinë e Tiranës ku kryente punime në rrugë të ndryshme të kryeqytetit gjithashtu mësohet se “GPG company”  ishte kompania që ka kryer by passin e Tepelenës si edhe disa akse rrugore në qytetin e Beratit.


Shpresa Joanidhi, e vënë në pranga mbrëmjen e së mërkurës nga policia e shtetit në bashkëpunim me Hetimin Tatimor, është aksionere në kompaninë “Shpresa.al” si edhe në një tjetër kompani me aktivitet në fushën e kateringut.



Besnik Pelivani, gjithashtu i arrestuar nga policia është pronar i kompanisë  “ABBE” e cila ka si objekt të saj ndërtimin dhe tregtimin e mallrave industrialë. Gjithashtu Pelivani kishte në zotërim edhe një lavazh.

Një tjetër biznesmen i arrestuar nga policia është Fatmir Firi, pronar i kompanisë “ARB Trans. 2010” me fokus import eksportin e mallrave industrialë.  Në pranga u vunë edhe pronarët e kompanisë “Leksi Security” që kanë në fokus ruajtjen e objekteve,  Haxhi Sala dhe Astrit Lala.

Si pjesë e mashtrimit me skemën e TVSH, është arrestuar edhe pronar i kompanisë “BABE co.” Ardjan Bejko, kompania e të cilit ka në fokus gërmimin e transportin e dherave dhe inerteve.

Gjithashtu pronar të arrestuar në fushën e ndërtimin janë Mehill Ndreca, pronar i “Gener Cors Albania”, si edhe Albert Ahmeti, pronar i “Construction Aleni”.

Ndërsa Riza Roshi, kishte në zotërim tre kompani me fokus transportin, ndërtimin si edhe një bar kafe

Gazetarja Bezat tha se të arrestuarit përdornin fatura tatimore fiktive, të cilat i dorëzonin më pas në shtet për të marr rimbursimin e TVSH.

(BalkanWeb)