Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me arrestimin e një 20-vjeçari, i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.

Bëhet fjalë për shtetasin Ermes Hoxhalli, banues në Devoll, i cili me anë të këtyre programeve iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA ka falënderuar policinë dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë.

Postimi i plotë:

Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë. Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta. Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës. Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb