Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i ftuar në emisionin “Opinion” në “News 24”, u pyet për dy vëllezërit indianë, njeri prej të cilëve ishte bërë konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri. Në pyetjen sesi ka mundësi që individë të tillë që akuzohen per mashtrim me shuma kolosale parash dhe që ishin në kërkim policor bëhen konsuj nderi, Balla tha se “në rastin e tyre u veprua drejt”.

“Nuk mund ta konsideroj një skandal. Shteti shqiptar ka vepruar në rregull në të gjitha procedurat. Eshtë propozuar nga shteti nga  ka origjinën. Sipas procedurave, njëri person është arrestuar dhe dy të tjeret do mbajnë përgjegjësi për veprën që akuzohen. Ata nuk ishin pajisur me pasaportë diplomatike”, tha Balla.

Për Taulant Ballën, Gent Cakaj po bën një punë të mirë në krye të Ministrisë së Jashtme, ndërsa shtoi se ai ka bërë ndryshime me rëndësi.

“Ministri i komanduar Gent Cakaj po bën punë të mirë në diplomaci. Diplomatët po zëvendësohen. Gjithashtu, në Ministrinë e Jashtme janë hapur vende edhe për studentët më të mirë, të cilët qëndrojnë aty për një vit, duke angazhuar kësisoj pjesën më të mirë të studentëve të diplomacisë. Cakaj është ndër ministrat e Jashtëm më të mirë që ka pasur Shqipëria”, vlerësoi Balla.

(d.xh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb