VLORË – Një biznesmen është grabitur në hyrjen e pallatit të tij në qytetin e Vlorës nga tre persona me maska, ende të paidentifikuar. Ai quhet Bukurosh Malaj dhe denoncimin e ka bërë vetë në “News 24”. Sipas Malajt, atij i është rrëmbyer me dhunë “Benz”-i me targa AA 154 dhe 3.5 milionë lekë e 185 euro CE. Vetë Malaj e ka rrëfyer ngjarjen tek gazetari Enrik Mehmeti i “News 24”.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e shkuar, kur ai po shkonte në shtëpi me lekët e xhiros ditore. Tre grabitësit, të armatosur, pasi ia kanë marrë gjithçka dispononte, janë larguar me makinën e tij, e cila më vonë është gjetur në fshatin Kot. Atje, ata kishin tentuar ta digjnin automjetin, por nuk ia kishin arritur qëllimit plotësisht.

“BalkanWeb” disponon fotot e automjetit të grabitur, ku duken gomat e djegura.

RREFIMI I BIZNESMENIT MALAJ: SHTETI DUHET TE NA ARMATOSE QE TE MBROHEMI

“Mbrëmë, rreth orës 1:08, kam ardhur në shtëpi si çdo natë, pasi e mbyll biznesin. Gjatë parkimit të makinës, tre personat që mbanin kapuç, kanë ardhur me nxitim dhe mbanin armë në duar. Njeri prej tyre kishte kallashnikov, tjetri pistoletë. Kur u bë ndeshja me ta, pasi u bë gjithë ajo rrëmujë, unë mendova të le lekët dhe makinën para shëndetit dhe fëmijës. Më kanë goditur dhe kam shenjat e dhunës fizike në kokë.

Nga shteti, meqë nuk jemi zonë e përmbytur, nuk kërkojmë as dele, as ndonjë gjë, por kërkojmë të na armatosë për të mbrojtur veten dhe familjet si dhe biznesin tonë, se shtetit ia kemi paguar çdo lloj takse. E vetmja gjë që kërkojmë është të na mbrojë jetën dhe familjen. Shpresoj se duhet të dëgjohemi.”

POLICIA E SHTETIT: SHOQERUAM DISA TE DYSHUAR

Policia e Qarkut ka njoftuar sot lidhur me grabitjen e biznesmenit nga Vlora se ka shoqëruar disa persona si të dyshuar për ngjarjen. Në deklaratën e saj thuhet se më datë 15.02.2015, rreth orës 01:15, në Sallën Operative të Dejtorisë së Policisë Vlorë është marrë njoftim se 3 persona të maskuar, nën kërcënimin e armës, i kanë vjedhur automjetin dhe një sasi të konsiderueshme parash një shtetasi. Menjëherë shërbimet e policisë Vlorë kanë marrë kontakt me telefonuesin, shtetasin B. M, vjeç 43, banues në Vlorë, pronar i Fast Food “Anxhelos”.

Pas kontaktit me këtë shtetas, shërbimet e policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve si dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset kryesore të qytetit dhe në ato që lidhen me fshatrat.

Mbas disa orë ndjekjeje dhe kërkimesh nga Policia, autorët kanë mundur të largohen në këmbë të favorizuar nga errësira dhe terreni duke braktisur automjetin tip Mercedes-Benz me targa AA184CE në afersi të fshatit Kote në vendin e quajtur Fusha e Murrës. Në lidhje me këtë rast, nga Policia janë shoqëruar disa persona të dyshuar si dhe janë duke u kryer veprime të tjera procedurale,”- thuhet në fund të deklaratës.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb