NGA AGRON LISI

LEZHE– Maskat terrorizojnë dhe grabisin një çift bashkëshortësh nga Lezha. Katër persona të armatosur me kallashnikovë kanë hyrë në banesën e shtetasit me iniciale P.P. dhe pasi e kanë lidhur së bashku me të shoqen, kanë marrë bizhuteri që kapin vlerën e 2 mijë eurove si dhe 85.000 lekë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës bënë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Zejmen. Pas sinjalizimit për grabitjen e çiftit, blutë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Mësohet se në lidhje me këtë ngjarjeje janë shoqëruar dhe marrë në pyetje më shumë se 20 persona.

NGJARJA
Rreth orës 04:00 të ditës së djeshme, katër persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në oborrin e banesës së shtetasit P.P.. Sipas hetuesve të çështjes, dy nga grabitësit kanë hyrë në ambientet e brendshme të shtëpisë nëpërmjet dritares së dhomës së gjumit, një tjetër ka qëndruar te dera e banesës. Ndërsa, personi i katërt ka qëndruar në hyrje të rrugicës së banesës për të kontrolluar çdo lëvizje të dyshimtë. Më pas dy maskat kanë kapur në befasi bashkëshortët (fëmijët i kanë emigrantë në Itali), të cilët ishin në gjumë.

Nën kërcënimin e armëve, agresorët u kanë kërkuar të zotëve të shtëpisë që t’u dorëzojnë paratë, por këta të fundit kanë kundërshtuar dhe kanë bërë rezistencë. Në një situatë të tillë, grabitësit kanë lidhur kryefamiljarin dhe e kanë keqtrajtuar. Burrë e grua janë detyruar të tregojnë vendin ku mbanin bizhuteritë në vlerën e 2 mijë eurove si dhe paratë. Agresorët kanë marrë shumën në fjalë dhe janë larguar në drejtim të Milotit me një autoveturë.

Pas largimit të tyre, P.P. është zgjidhur nga bashkëshortja, e cila ka lajmëruar edhe fqinjët për grabitjen. Ndërsa më pas është njoftuar edhe policia e Lezhës, e cila ka mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes. E ndërsa kanë marrë dëshmitë e dy bashkëshortëve, blutë kanë sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së disa lokaleve që ndodheshin në afërsi të banesës së P.P. si dhe përgjatë rrugës, nga ku edhe janë larguar grabitësit.

(el.sp/Gazeta Shqitpare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: