Një hetim i gjerë i policisë britanike ka zbuluar një rrjet të madh krimi ndërkombëtar të udhëhequr nga shqiptarë, që ishin infiltruar në sektorin e energjisë dhe drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Hetimi, i cili filloi pas dyshimeve të ngritura nga banorët e Middlesbrough, zbuloi një skemë të sofistikuar ku një grup kriminelësh maskoheshin si punëtorë të zakonshëm dhe vidhej energji për të mbështetur prodhimin e drogës.
Në fillim të hetimeve, një grup punëtorësh që u dukën të veshur me xhaketa pune dhe që po punonin në linjat elektrike, ranë në sy të qytetarëve për shkak të shpërthimeve të vogla që ndodhën gjatë punës së tyre. Ata shpëtuan nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, duke lënë pas zjarrin që shkatërroi pjesë të infrastrukturës elektrike. Kjo ngjarje çoi në fillimin e një hetimi të thelluar që zbuloi lidhjet e tyre me një rrjet të fuqishëm mafioz shqiptar.
Gjatë hetimit, që ka zgjatur katër vjet, policia zbardhi se ky grup kishte krijuar një kompani legjitime që operonte në sektorin e energjisë, me qëllim të lidhjes ilegale të energjisë për fermat e kanabisit. Ata përdornin energjinë e vjedhur për të fuqizuar prodhimin e drogës, duke krijuar një industri me vlerë disa milionë paund. Dyshimet se kriminelët shqiptarë ishin përfshirë në këtë aktivitet u konfirmuan pasi u zbulua se ata ishin të përfshirë në rreth 100 ferme kanabisi dhe 32 zona të forcave të policisë.
Metoda e përdorur për kultivimin e bimëve ishte e avancuar, duke përdorur teknologjinë ‘hidroponike’, një teknologji e cila mundëson rritjen e bimëve në kushte të mbyllura dhe pa nevojën për tokë. Kriminelët shpesh shfrytëzonin punëtorë të trafikuar, të cilët punonin nën kushte të tmerrshme në këto ferma droge.
Në vitin 2023, pas një seri bastisjesh dhe hetimesh, u arrestuan 8 persona të përfshirë në këtë rrjet, ndërkohë që liderët kryesorë të bandës, të cilët udhëhoqën operacionin nga Dubai, vazhdojnë të jenë të lirë. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e lidhjeve të tjera të krimit të organizuar shqiptar dhe për të zbuluar më shumë detaje mbi aktivitetin e këtij grupi mafioz.
(BalkanWeb)