Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella ka vlerësuar lart figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu gjatë vizitës me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta në Kolegjin e “Shën Adrianit” të Shën Mitër Koronës të Kalabrisë.

Ai ka vlerësuar shqiptarët dhe kontributin e tyre në Itali duke dhënë një mesazh të fortë.
“Vetëm nëse ushqehemi me rrënjët tona, duke shoqëruar këtë me respektin dhe hapjen ndaj atyre të të tjerëve, mund të vazhdojmë me vendosmëri dhe qetësi rrugën drejt së ardhmes”, tha Matarella ndër të tjera.

Presidenti italian ka dëshmuar për një njohje të mirë të shkrimtarëve me origjinë shqiptare që veprimtarinë e tyre krijuese e kanë zhvilluar në Itali por jo vetëm, duke kujtuar veprat dhe shkrimet e tyre.

Matarella gjithashtu foli për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Një e ardhme në të cilën – jam i bindur – Shqipëria do të jetë gjithashtu pjesë përbërëse e Bashkimit Europian, pas hyrjes në komunitetin euroatlantik. Ky është një qëllim, i rëndësishëm për të gjithë komunitetin, dhe që Italia mbështet me bindje dhe vendosmëri të mëdha.
Na bashkon, mbi të gjitha, vokacioni i përbashkët për të ndërtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes europiane, një kontinent të bashkuar, të integruar dhe paqësor”, u shpreh Presidenti i Italisë në aktivitetin me Presidentin Meta.

Twitter Matarella
Twitter Matarella

Fjala e Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella në veprimtarinë e përbashkët me Presidentin Meta në Kolegjin e “Shën Adrianit” të Shën Mitër Koronës të Kalabrisë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Zoti Presidenti i Republikës së Shqipërisë, mik President Meta!
Përshëndetje Presidentit të Rajonit, Kryetarit të Bashkisë, dhe nëpërmjet tij
bashkëqytetarëve të tij, Presidentit të Provincës, kryetarëve të bashkive të tjera të pranishëm që dëshmojnë sa e përhapur është prania arbëreshe në shtatë rajone të Italisë.

Një përshëndetje të veçantë delegacionit që shoqëron Presidentin Meta. Do të doja të falënderoja shumë Prof. Altimari për prezantimin interesant dhe të plotë të fakteve historike dhe dy studentët për përshëndetjet dhe reflektimet e tyre.

Do të doja të falënderoja gjithashtu edhe korin e të rinjve, që kënduan me të njëjtën përfshirje himnin kombëtar shqiptar dhe himnin kombëtar italian dhe korin që më parë në oborr na ofroi dy këngë arbëreshe: e para ishte një këngë malli për Mëmëdhenë.

Të gjithëve një përshëndetje shumë dashamirëse, mirëdita, falem, mirëmëngjes!
Për mua është një kënaqësi të jem me ju sot – së bashku me Presidentin Ilir Meta – në Shën Mitër, njëra nga qendrat më aktive të kulturës arbëreshe në Itali. Një vend domethënës, në të cilin të gjithë – shqiptarë, italo-shqiptarë, italianë – mund të ndihemi me të vërtetë në shtëpi.

Pasardhësit e Arbërit, kanë rrënjë në një vend të afërt, mik dhe aleat, përveç se për Italinë me të vërtetë një partner i rëndësishëm strategjik.

I dhashë mirëseardhjen në Itali Presidentit të Republikës së Shqipërisë në korrikun e kaluar, me rastin e vizitës së tij të parë zyrtare jashtë vendit dhe iu bashkova me kënaqësi propozimit të tij për t’u takuar sërish, në një kornizë që do të na lejonte të shprehnim, në mënyrë veçanërisht të qartë, lidhjet e thela historike dhe kulturore, përveç se politike dhe ekonomike, që bashkojnë vendet tona dhe sidomos popujt tanë.

Në një kuadër të lashtë marrëdhëniesh të ndërsjella, afërsi dhe interesa të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, arbëreshët përfaqësojnë njërin nga shembujt më autentik të raportit të vëllazërimit mes dy popujve tanë.

Shqiptarë për nga origjina dhe italianë prej më shumë se 500 vjetësh, kanë ruajtur me krenari traditat e lashta, ritet fetare, gjuhën e të parëve, duke dhënë, në të njëjtën kohë – me kurajë dhe nëpërmjet idealeve të tyre – një kontribut të rëndësishëm lindjes dhe bashkimit të Vendit tonë.

Kolegji italo-shqiptar i Shën Adrianit, që na pret sot, dëshmon mbi rëndësinë dhe kuptimin e këtij gërshetimi, mbi këtë përzierje të thellë e të frytshme.

Nën këto mure u formuan patriotë të flaktë, nxitës kurajoz të motove kalabreze të 1844 e të 1848, eksponentë të ndritur të Rilindjes italiane, e më tej të asaj shqiptare. Këtu studioi, ndër të tjerë, Jeronim De Rada, poet dhe themelues i L’Albanese d’Italia – e para gazetë ne gjuhën shqipe në botë, – që dha kontributin e saj në pavarësinë italiane dhe shqiptare si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm studimeve të rrënjëve të popullit shqiptar.

Nga ky Kolegj janë edhe disa studentë, ardhur nga Quarto me trupat e Garibaldit, bashkë me “të mijtë” të cilët besnikë i qëndruan çështjes kombëtare dhe përkujtohen në lapidarin e mermertë të vendosur në hyrjen e këtij kompleksi sugjestionues.

Me origjinë arbëreshe ishin edhe Francesco Crispi dhe Antonio Gramsci, protagonistë të historisë së vendit tonë dhe të rrugëtimit drejt bashkimit kombëtar, të identitetit të tij.

Përfshirja e pasardhësve shqiptare në (Mëmëdheun e ri) krijoi një lidhje të ngushtë, të pandashme të ngjarjeve historikeve të dy vendeve tona. Një gërshetim që frymëzoi poetin Zef Serembe i cili shkruan “një luftëtar i madhërishëm me këmishë të kuqe barazohet me tonin Skënderbe). Heroi Kombëtar Shqiptar është quajtur shpesh dhe “Garibaldi i Shqipërisë”. Ngjashmëri që e bën këtë përkujtim edhe më kuptimplotë. Si Garibaldi për Italinë Skënderbeu nuk qe vetëm protagonist i bashkimit kombëtar, por me kalimin e kohës u kthye në simbol të krenarisë kombëtare. Një simbol në të cilin “populli i Shqiponjave” identifikohet, edhe jashtë kufijve shqiptare. Ai mbrojti pareshtur vlera dhe parime, të cilat ruajnë dhe sot një aktualitet të patundshëm: pranimi i diversitetit, respekti i identitetit të individit, si pikënisje për ndërtimin e një identiteti kombëtar që përcillet në breza dhe përfshin, duke vlerësuar specifikën e gjithkujt.

Prejardhja e tij nga prindër me prejardhje fetare të ndryshme, dhe eksperienca e tij prej një fëmijë i rritur si mysliman dhe me pas konvertuar ne katolik, në krye të një ushtrie shumëetnike dhe disa fetare, diti të veshë interesin e përbashkët i cili përfshin dhe përmbledh përkatësi etnike dhe fetare.

Figura e tij na përcjell një mesazh të një rëndësie të veçante, jo vetëm për Shqipërinë, vend i disa kulturave dhe disa besimeve fetare, në të cilin sipas poetit Vaso Pasha e vetmja fe është shqiptaria, por edhe për Italinë, për Ballkanin dhe për të gjithë kontinentin europian.

Trashëgimia më autentike dhe aktuale që ky strateg i aftë dhe i ndjeshëm, diplomat dhe politikan na le pas është një model i formës së shtetit që bashkëlidh dhe di të respektoje diferencat. Një mesazh që na ndihmon të orientohemi dhe të veprojmë në një epokë në të cilën duket sikur shumëzohen dhe mbivendosin e mbivlerësojnë artificialisht tensionet, ashpërsimi i përplasjeve, evidentimi i diferencave, ngritja e kufijve ideologjike ndarëse, të cilat nënkuptojnë një përballje të përhershme me “tjetrin”.

Mesazhin e Skënderbeut, Arbëreshët ndër shekuj e kanë promovuar dhe përcjellë. Diaspora shqiptare, që me heroin kombëtar identifikoi fillin lidhës, me anë të të cilit vijoi të mbajë fort lidhjet me mëmëdheun, tej e më tej, duke vijuar ndërkohë integrimin në zona të ndryshme të Italisë.

Një përvojë që përbën dhe më jep kënaqësi të veçantë që ta rikujtoj – një shpalosje konkrete të parimit përmbajtur në nenin 6 të Kushtetutës tonë, dedikuar mbrojtjes së pakicave. Një parashikim që përfaqëson një çështje të rëndësisë të veçantë, lidhur ngushtë me unitetin dhe pandashmërinë e Republikës tonë, me njohjen dhe vlerësimin e kulturave të ndryshme kombëtare. Një parashikim që vendoset në bazat e pluralizmit, pikë kyçe e demokracisë dhe element i pandashëm i një sistemi që nuk synon asimilimin e diferencave, por njohja e tyre vlerësimi dhe respektimi i tyre si një detyrë.
Arbëreshët përbëjnë një histori integrimi dhe mikpritje që ka pasur sukses të plotë, një shembull se si njohja dhe respekti reciprok i kulturave sjell rritje për territoret dhe Shtetet ku jetojnë komunitetet e ndryshme. Ruajtja e origjinës së lashtë, ndikimi reciprok, përzierja harmonike e gjuhës, kulturës dhe traditave, kanë qenë për shekuj dhe janë ende “vlera e shtuar” e këtyre komuniteteve. Realitete që luajnë një funksion thelbësor lidhës midis dy “popujve përballë”, siç u referohemi shpesh shqiptarëve dhe italianëve.

Zoti President,
Autorite,
Të dashura bashkëqytetare dhe të dashur bashkëqytetarë!

Kësaj amalgame historik i është shtuar, duke e pasuruar dhe përforcuar, kontributi i shqiptarëve që, në kohë më të afërta, kanë zgjedhur të vijnë në Itali për studime ose punë. Një komunitet me rreth gjysmë milioni njerëz që kanë kërkuar dhe gjetur në këto vite mundësi për integrim. Këtë e dëshmojnë, ndër të tjera, 112 000 nxënësit shqiptarë në shkollat italiane, 10 000 studentët universitarë të angazhuar në universitetet tona dhe dhjetëra mijëra veprimtarive e sipërmarrësve, të ndërtuara nga qytetarë shqiptarë.

Italianët me origjinë shqiptare dhe shqiptarët e Italisë janë dy anët e një medalje të çmuar. Ajo përcjell kontributin e jashtëzakonshëm që gjatë 500 viteve të fundit ka ardhur nga Shqipëria për zhvillimin social, civil, kulturor dhe ekonomik të Italisë. Një kontribut që, në mënyrë reciproke, shfaqet edhe me anë të pranisë gjithnjë e më të rëndësishme italiane në “Tokën e Shqiponjave”, vend i mundësive të reja për qytetarët italianë që shkojnë atje në numër të madh.

Zoti President,
Trashëgimia e jashtëzakonshme që Skënderbeu ka lënë nuk duhet të humbet, sot po ndihmojmë ta ruajmë atë dhe kjo duhet të bëhet pikërisht nga gjeneratat e reja të vendeve tona. Në këtë drejtim, dëshiroj të përgëzoj Gjimnazin e Shën Mitrit për nismat e tij largpamëse, që kanë për qëllim nxitjen e shkëmbimeve të frytshëm midis nxënësve shqiptarë dhe italianë nëpërmjet udhëtimeve studimore dhe projekteve për alternancën shkollë-punë, të tillë si ai i kryer, disa javë më parë, në Shqipëri.

Vetëm nëse ushqehemi me rrënjët tona, duke shoqëruar këtë me respektin dhe hapjen ndaj atyre të të tjerëve, mund të vazhdojmë me vendosmëri dhe qetësi rrugën drejt së ardhmes.

Një e ardhme në të cilën – jam i bindur – Shqipëria do të jetë gjithashtu pjesë përbërëse e Bashkimit Europian, pas hyrjes në komunitetin euroatlantik. Ky është një qëllim, i rëndësishëm për të gjithë komunitetin, dhe që Italia mbështet me bindje dhe vendosmëri të mëdha.

Na bashkon, mbi të gjitha, vokacioni i përbashkët për të ndërtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes europiane, një kontinent të bashkuar, të integruar dhe paqësor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb