Avokati Elis Bilali në emisionin “Open” në News24 duke folur për aplikacionin ‘Matrix’, i cili është çkoduar, ashtu si edhe Sky dhe Encrochat, tha se ato mund të shërbejnë si indicie, por që duhet të shoqërohen me prova të tjera që të provojnë nëse është konsumuar ose jo vepër penale.

Bilali tha se pas filtrimit të mesazheve nga autoritetet e huaja, edhe mesazhet e Matrix mund të mbërrijnë në Shqipëri për t’iu dorëzuar SPAK.

“Do të veprohet njëlloj si në rastin e SKY, një proces që do të marrë kohë. Duke marrë në analizë mënyrën se si vepron SPAK, mendoj se do të jetë një proces 2-vjeçar pune”, tha avokati. Ai tha se i gjithë procesi është shumë i vështirë për faktin se duhet të ketë prova, pra duhet të bësh lidhjen e bisedave me provat, ngjarjet, duke kryqëzuar të dhënat me provat e tjera.

Gazetarja Klodiana Lala tha se jo çdo bisedë mund të përdoret si indicie, pasi mund të ketë biseda normale, të zakonshme.

“Një në 10 biseda mund të shërbejë si indicie. Hapja e aplikacionit nuk përbën vepër penale, por mënyra se si mund të përdoret, pra çfarë bisedash janë bërë”, tha Lala.

Ajo solli në vëmendje rastin Ergys Dashit, shqiptarit të parë, që dyshoi se po përgjohej aplikacioni SKY teksa fliste për 4.5 mln euro të humbura, për shkak të ngarkesave të drogë që i ishin kapur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb