ITALI– Partia Demokratike e Matteo Renzi-t ka fituar thuajse në 5 nga 7 rajonet e Italisë në zgjedhjet lokale të mbajtura ditën e diel, por ka pësuar një goditje të madhe në rang këshillash. Mediat italiane raportojnë si fitues të vërtetë të këtyre zgjedhjeve partinë populiste Liga e Veriut dhe Lëvizja “5 Yjet” e Bepe Grillos.

Liga e Veriut, e udhëhequr nga Matteo Salvini, fitoi në Veneto, bastion i saj tradicional dhe është gati të fitojë në Liguria me një kandidat të mbështetur nga “Forza Italia” e Silvio Berluskonit.

Rajoni i Ligurias njihet si një bastion i Partisë Demokratike, e cila në zgjedhjet e përgjithshme fitoi bindshëm.
Lëvizja e aktorit komik Bepe Grillo siguroi një sukses të papritur në nivel rajonal, shkruan “RTK”.

Pavarësisht fitores në 5 nga këto rajoni, Partia e Renzit nuk ka treguar të njëjtën forcë si në zgjedhjet e Parlamentit Europian vitin e kaluar. Kjo është interpretuar si pakënaqësi në rritje e popullit italian që duket i pakënaqur me reformat e qeverisë për punësimin dhe taksat.

Pjesëmarrja në votimet e së dielës ishte shumë e ulët, gati sa gjysma e personave me të drejtë vote dhe për këtë sipas analistëve në vendin fqinj ka ndikuar e diela si ditë pushimi që është, pasi njerëzit kanë preferuar më mirë plazhin se sa kutitë e votimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: