SHBA tha se nuk pajtohet me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva i cili e krahasoi luftën izraelite kundër Rripit të Gazës me Holokaustin e Adolf Hitlerit kundër hebrenjve.
“Natyrisht ne nuk pajtohemi me ato komente,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller . “Ne kemi qenë mjaft të qartë se nuk besojmë se ka ndodhur gjenocid në Gaza.”
Zyrtarët izraelitë denoncuan deklaratat e da Silva, me Ministrinë e Jashtme që njoftoi se do të thërriste të dërguarin e vendit të Amerikës së Jugut për të paraqitur një protestë zyrtare.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor . Sulmet izraelite që pasuan kanë vrarë rreth 29,000 dhe kanë shkaktuar shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme, ndërsa më pak se 1,200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Lufta izraelite ka shtyrë 85% të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me bazë në Hagë, e cila lëshoi një vendim të përkohshëm në janar që urdhëron Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.