Deputetja e PS-së, njëkohësisht pedagogia e Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi, ka nxjerr sot një sërë problematikash të tjera të maturës. Nisur nga informacionet që zotëron, Hafizi udhëzon të rinjtë se si të veprojnë dhe të përgatisin ankimimet. Hafizi shton se në sistemin e pikëzimit ka lëndë me zgjedhje të cilat prej vitesh nuk zhvillohen në disa shkolla.

“Kam ndjekur me shqetësim e dhimbje situatën e krijuar me maturantët e të gjithë vendit, të cilët janë alarmuar bashkë me familjet e tyre për fatin e vazhdimit të shkollës së lartë. Me kalimin e ditëve do të jetë shumë më e qartë për ta dhe për ne, sesi terri informativ, procedura e gjatë e zvarritëse, e palejueshme në epokën e sotme dixhitale, moskoordinimi mes institucioneve, ministrisë, universiteteve dhe shkollave të mesme, kanë prekur procesin jetik të përcaktimit të degës së studimit dhe të ardhmes së 18-vjeçarëve”, shkruan Hafizi në facebook.

Ajo thotë se ka marrë shkas nga një informacion që më ka ardhur lidhur me procesin e vlerësimit dhe ua kalon të rinjve që të jenë të kujdesshëm në këto ditë, kur po përgatisin ankimimet.

“Së pari, jam sinjalizuar se ka lëndë të cilat emërtohen ndryshe në shkolla të ndryshme. P.sh, lënda Informatikë quhet TIK, ose Gjuhë Programimi, ose Informatikë-Tik; lënda Matematikë e Avancuar quhet dhe Matematikë e Thelluar; ose ka Filozofi por ka dhe Teori Filozofie. Mund të ketë dhe raste lëndësh të tjera, prandaj desha t’ju tërheq vëmendjen të jeni të kujdesshëm kur të kontrolloni pikët e lëndëve me zgjedhje. Nëse ndodh që pikët tuaja janë zero në një shtyllë vetëm për arsye të emërtimit, ankohuni!
Së dyti, ka lëndë me zgjedhje të cilat prej vitesh nuk zhvillohen në disa shkolla. Këto lëndë ndodh që janë vënë në listën e pikëzimit dhe numri i pikëve që një maturant merr prej tyre varion mes 50 dhe 100. A ka faj maturanti kur nuk e ka atë lëndë? A duhet që një lëndë tjetër ta zëvendësojë tek lista e vlerësimit? Kjo mendoj se duhet të jetë një nga çështjet e ankimimit gjithashtu.
Ju uroj suksese! Do jem po aq e vëmëndshme dhe e shqetësuar sa dhe ju!”, shkruan Hafizi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb