Nga ERMELINDA HOXHAJ*

Ministria e Arsimit javën që vjen do të publikojë formularin A1 dhe A1Z, ku maturantët do të përzgjedhin dy lëndët që do të japin si provim me zgjedhje. Në total maturantët do t’u nënshtrohen pesë provimeve, tre prej të cilëve janë provime me detyrim, Gjuha Shqipe dhe Letërsia, Matematika dhe Gjuha e huaj e parë, ndërsa dy janë provime me zgjedhje, që zgjidhen sipas dëshirës së maturantit, me përjashtim të shkollave profesionale. Këtë vit është bërë një ndryshim që maturantët e shkollave profesionale “Teorinë profesionale” e kanë provim me zgjedhje të detyruar. Kriter për përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje është që shuma e krediteve të tyre nuk duhet të jetë më pak se 8. Në rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, e cila është firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në datë 10 shkurt, përcaktohet se edhe këtë vit që një maturant të konsiderohet kalues, duhet të marrë jo më pak se 20% të pikëve të secilit test. Përcaktimi i pragut minimal në rregullore është një risi, e cila për herë të parë u përdor vitin e shkuar. Pasi në vitet e mëparshme, pikët minimale përcaktoheshin pas përfundimit të korrigjimit të të gjitha testeve. “Të gjitha provimet e maturës do të zhvillohen vetëm me shkrim. Struktura, datat dhe kohëzgjatja e provimeve caktohen me udhëzim të posaçëm të MAS. Struktura e testit dhe kohëzgjatja e të gjitha provimeve të maturës do të jetë e njëjtë: maturanti apo kandidati që merr pjesë në këto provime nuk quhet kalues nëse ka marrë më pak se 20 për qind të pikëve të testit”, – shkruhet në rregullore. Edhe këtë vit një rëndësi e madhe i është dhënë ruajtjes së sekretit të tezës së provimit si dhe moslejimit të kopjimit nga maturantët.

Aplikimi&Afatet
Ministria e Arsimit dhe Sportit brenda datës 24 shkurt miraton Formularin A1 dhe A1Z si dhe udhëzuesit përkatës, tabelën e programeve të studimit të ofruara nga universitetet publike për vitin akademik 2015-2016, tabelën e indeksit të profileve, degët dhe drejtimet për çdo shkollë të mesme si dhe koeficientët e shkollave dhe lëndëve me zgjedhje të propozuara nga universitetet. Në rregulloren e maturës përcaktohet se në datë 25 shkurt, MAS duhet që formularin A1 dhe A1Z si dhe udhëzuesin për plotësimin oline të tyre ta publikojë në faqen elektronike të ministrisë dhe të AKP. Po ashtu, edhe koeficientët e shkollave dhe të lëndëve me zgjedhje. Këtë vit aplikimi online do të bëhet dy herë, maturanti aplikimin e bën fillimisht në portalin qeveritar, e-albania në periudhën 1-15 mars 2015 dhe më pas në portalin e maturës në periudhën 10-31 mars 2015, sipas një plani kalendar që do të publikohet nga AKP. Ndërsa plotësimi i formularit A1Z bëhet në shkollat ekzistuese, ku kandidati ka bërë shkollën e mesme ose në shkollën ku e përcakton Komisioni i Maturës Shtetërore.

Kush jep provimet e maturës
Provimet e maturës i jep maturanti ose kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme dhe është pajisur me “Dëftesë Pjekurie”, si dhe ka plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Provimet e maturës mund t’i japë edhe çdo kandidat që ka fituar në vitet e shkuara një apo disa nga provimet qofshin këto me zgjedhje apo të detyruara. Në provime kanë të drejtë të hyjnë edhe maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por që nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie, apo Diplomë Mature. Të gjithë këta kandidatë nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar të maturës. Pasi kanë fituar provimet e maturës, marrin Diplomën dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore, modeli i vitit 2011. Diploma për të gjithë këta kandidatë lëshohet vetëm një herë.

Ruajtja e sekretit
Në nenin 6 të kësaj rregulloreje përcaktohet se të gjithë personat që do të përfshihen në çdo nivel të administrimit të procesit të provimeve të maturës duhet të deklarojnë më shkrim se nuk kanë fëmijë, nipër, mbesa motër apo vëlla, maturantë që do të japin provimet e maturës. Ndër të tjera, masa janë marrë edhe për transportimin e testeve në ambientet e provimit, të cilat do të bëhen nga Posta Shqiptare dhe Ministria e Brendshme. Ndërsa në nenin 21 thuhet se shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimeve bëhet me procesverbal. Një ndër masat që do të merret për të mos lejuar kopjimin në provime do të jenë bllokuesit e valëve të celularëve, ku sipas rregullores ato do jenë të pranishme në çdo mjedis në ditën kur do të zhvillohet provimi. Këto aparatura janë përdorur në dy maturant e fundit, por sërish ka patur probleme, pasi në shumë raste nuk kanë funksionuar ose dhe janë fikur me qëllim.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: