Drejtoresha e politikave arsimore në Ministrinë e Arsimit, Zamira Gjini, foli në rubrikën Opinion në Neës24, lidhur me provimet e Maturës Shtetërore.

Ajo vlerësoi procesin dhe standardet e aplikuara, ndërsa dha garanci se i gjithë procesi i Maturës Shtetërore është i monitoruar në çdo hap të tij.

Gjini tha se personat që hartojnë testimin janë të mbyllur në një ambient, nuk kanë asnjë komunikim me personat e tjerë, dhe ata dalin nga ‘ngujimi’ pasi ka përfunduar provimi, pra rreth orës 12:30.

Në vijim Gjini sqaroi se testet lidhur me provimet e Maturës Shtetërore janë të mbyllura në kutia, që kanë elementë sigurie, dhe transportohen nga qendrat arsimore nëpormjet Postës Shqiptare duke u shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Policia. Në këtë kuadër, Gjini tha se është kjo arsyeja pse para nisjes së Provimit, pra para orës 10:00, nuk ka rrjedhje të tezës.

Në vijim Gjini theksoi se pas çdo provimi bëhet një analizë lidhur me çdo problematikë për të parë ecurinë e procesit.

“Celularët dhe orët dixhitale janë rreptësisht të ndaluara. Qendra e shërbimeve arsimore harton një raport kombëtar, i cili lidhet me rezultatet e maturantëve, por identifikohen detaje lidhur me gjithë procesin, raport ky që ndihmon Ministrinë e Arsimit jo vetëm me nivelin e maturantëve, bazuar në vlerësimin që ata marrin për provimet, por për të gjithë ecurinë e procesit nga fillimi deri në fund”, tha Gjini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: