NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE-
Shpallja e fituesve në universitetet publike ka shkaktuar kaos te maturantët, dhe sidomos tek ata me mesatare të lartë, pasi çuditërisht janë me qindra ankesa të maturantëve që kanë mbetur jashtë dyerve të institucioneve të arsimit të lartë. Për shkak të numrit të madh të maturantëve që janë djegur në këtë raund të parë, ata kanë vendosur që sot, më 7 shtator të protestojnë para Kryeministrisë. Ankesat e tyre maturantët i kanë shprehur me komentet që kanë lënë në faqen zyrtare të kryeministrit Edi Rama, dhe atë të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Mes historive të maturantëve është edhe ajo e Ana Sinanit, e cila në Librin e Transparencës të publikuar nga AKP-ja ka rezultuar me mesatare 9.53, por fatkeqësisht, nga 10 preferencat që ka listuar, nuk ka fituar asgjë. E trishtuar vajza shprehet se do ta riprovojë sërish në rundin e dytë, por se ka pak shpresë. “Meritën tonë, e marrin ata që kanë prindërit në pozitë të lartë në piramidën shoqërore dhe ata që paguajnë më shumë”, – tha maturantja ekselente Ana Sinani.


ANKIMI & REGJISTRIMI

gjithë kandidatët të cilët kanë pakënaqësi për pikët që kanë marrë, kanë të drejtën e ankimimit brenda datës 8 shtator. Ndërkohë që, universitetet detyrohen të shprehen me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin, brenda dy ditëve punë nga dita e paraqitjes së ankesave. Vendimi i universitetit ankimohet në gjykatën kompetente. Pas procesit të ankimimit, në datën 11 shtator universitetet shpallin listën përfundimtare të fituesve, dhe javën që vjen, në datat 13-20 shtator nis regjistrimi në sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse.

Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në një program studimi ku është fitues. Sekretaritë mësimore do pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues, siç janë: mjeti i identifikimit, fotokopja e noterizuar e diplomës së maturës shtetërore ose, së bashku me certifikatën e notave, deklaratën për verifikimin e të dhënave personale si dhe dy fotografi. Këtë vit, sipas udhëzimit të MAS-it, ndryshe nga vitet e tjera, kandidatët nuk kanë të drejtën të ndërrojnë degën ku regjistrohen, pra ata nuk kanë më të drejtën të aplikojnë për kuotat bosh në raundin e dytë, i cili nis në 23 shtator. Në pikën 20 të udhëzimit të MAS-it përcaktohet se: “Sekretaritë mësimore të fakulteteve të IALve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve të regjistruar. Kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, nuk ka të drejtë të ndryshojë programin e studimit për atë vit akademik”.

HISTORIA
“Kam përfunduar gjimnazin ‘Kostandin Kristoforidhi’ në Elbasan. Mesatarja e AKP-së më doli 9.53, çka mendoj se është një mesatare relativisht e lartë. Unë kam dëshirë te vazhdoj për Mjekësi të Përgjithshme, por në listë rendita dhe degë si Farmaci, Logopedi apo Imazheri. Fatkeqësisht nuk u pranova në asnjë degë. Pavarësisht se gjatë 12 viteve shkollë (dhe jo thjesht 3 viteve gjimnaz), kam mësuar aq sa nuk di ç’të të them! Dhe meritën tonë, e marrin ata që kanë prindërit në pozitë të lartë në piramidën shoqërore dhe ata që paguajnë më shumë”, – deklaroi maturantja, Ana Sinani për “Gazeta Shqiptare”, e cila sqaron se nuk mund të vijojë studimet në universitet privat për degën që preferon, por do presë raundin e dytë dhe të përzgjedhë ndonjë degë tjetër.

(el.sp/Gazeta Shqiptre/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: