TIRANË- Dhjetëra maturantë kanë protestuar sërish sot duke kërkuar të drejtën e tyre për të vijuar studimet e larta në degët që preferojnë dhe duke kundërshtuar sistemin e ri të përzgjedhjes dhe reformën e arsimit të lartë. Në protestë ka edhe një prani të shtuar të forcave të policisë.


Pas më shumë se 30 minutash protestë, maturantët i janë afruar edhe më shumë parlamentit dhe kanë tentuar të çajnë rrethimin e policisë, por janë zmbrapsur nga efektivë. Situata ka patur momente tensioni, ndërsa furgonët e policisë janë përbri protestuesve.

Me parullat “Rikthim i sistemit-Meritë, preferencë”; “Dhunën studentëve, paratë klientëve”; “Lindita ka dështuar, reforma është rrëzuar” apo “Mos e shisni Universitetin”, maturantët të shoqëruar edhe nga prindër kanë kërkuar rikthimin e formulës së vjetër.
maturantja
Një prej maturanteve, që vinte nga një shkollë në Kamëz, tregon se është me mesatare 9.4 por nuk e ka fituar atë degë që dëshironte. Ajo tha se gjatë gjithë kohës ka munguar informacioni dhe se as vetë drejtuesit e shkollës nuk kanë ditur çfarë të thonë.


“Jam me mesatare 9.4 kam fituar një degë që nuk e doja unë. E futa për të plotësuar numrin. Nuk jam vlerësuar ashtu siç duhet. Unë vij nga një shkollë e Kamzës dhe asnjëherë nuk jemi njoftuar ashtu siç duhet. Nuk janë zbatuar asnjëherë kriteret, asnjëherë nuk kemi qenë të qartë. Zonja Lindita Nikolla nuk na ka sqaruar asnjëherë as me deklaratat e djeshme. Nëse vazhdon kështu përzgjedhja, do shkojnë 10 raunde. Duam të drejtën tonë, të kthehet sistemi siç ishte, të marrim atë që meritojmë dhe duam. As 5 % e maturantëve në shkollën time nuk i kanë fituar degët. As drejtuesit e shkollës nuk kanë patur informacion”, tha maturantja.


Të tjerë maturantë thonë se degët që ata kanë dashur janë zënë nga të tjerë maturantë edhe me mesatare më të ulët, për shkak të sistemit të ri.

“Jam me mesatare 9.44 dhe nuk kam fituar në asnjë prej degëve që kam listuar. Askush nuk na ka informuar”.

Maturantët kanë qendruar para hyrjes së parlamentit në pritje të ministres së Arsimit Lindita Nikolla, e cila merr pjesë në seancën plenare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb