Nga: ERMELINDA HOXHAJ*TIRANE-Maturantët kërcënojnë me bojkot të zgjedhjeve vendore në 21 qershor nëse nuk do të tolerohen në korrigjimin e provimit të detyruar të Gjuhës dhe Letërsisë. Në fillim të kësaj jave, dhjetëra maturantë protestuan para ministrisë së Arsimit dhe Sportit në lidhje me problemin e hartimit të tezës së provimit të Letërsisë, pasi sipas tyre, kishte probleme të theksuara në mënyrën se si ishin hartuar pyetjet. Janë rreth 35 mijë maturantë të cilët pritet të votojnë ketë vit për herë të parë, por nëse Ministria e Arsimit nuk u jep një përgjigje pozitive në lidhje me korrigjimin e provimit të Letërsisë, mijëra maturantë pritet të mos shprehin vullnetin e tyre në këto zgjedhje.


Kërkesa
Pas protestës së të hënës, maturantët ende nuk kanë pasur një kontakt nga Ministria e Arsimit apo AKP-ja në lidhje me kërkesat e tyre. Për këtë arsye ata kanë vendosur se nëse nuk do të tolerohen në korrigjimin e provimit të Letërsisë, ata nuk do të votojnë. Sipas të dhënave, këtë vit votojnë për herë të parë 140 mijë të rinj, ku prej tyre, 35 mijë janë maturantë të këtij viti.


“Si qytetar dhe si votues për herë të parë, kërkojmë edhe ne të drejtën tonë, sepse e dimë se sa e vlefshme është vota për partitë politike. Nëse nuk do të ketë tolerim në korrigjim të provimit të Letërsisë dhe notat do të bazohen te skema e vlerësimit, apo Çelësi, si i thuhet ndryshe, një pjesë e madhe e maturantëve nuk do të votojnë, pasi kemi vendosur të bojkotojmë zgjedhjet vendore. Mospjesëmarrja e të rinjve në votim do të jetë një minus i madh”, – u shpreh për “GSH’, maturantja e gjimnazit “Arben Broci”, Kristina Kajrani. 18-vjeçarja është një prej organizatoreve të protestës së maturantëve para MAS ditën e hënë. Ndaj ajo, në emër të mijëra maturantëve bën apel që MAS dhe AKP të bëjnë një reagim për situatën dhe kërkesat që ata kanë në lidhje me korrigjimin e provimit të Letërsisë. “Personalisht teza mua nuk më ka penalizuar shumë, pasi dhe me përllogaritjen që bëra kisha humbur pak pikë, dhe i bie të marr notën 9. Por kjo tezë kishte probleme të mëdha, dukej sikur ishte përkthyer nga një gjuhë e huaj. Drejtoresha e AKP-së na u drejtua sikur të ishim nxënës të 5-ës apo 6-ës, edhe pse pjesa dërrmuese e maturantëve që ishin në atë protestë janë me mesatare të lartë; personalisht e kam mesataren e tri viteve të gjimnazin 9”, – u shpreh maturantja.


Ndër të tjera, ajo tregon se dëshiron të ndjekë studimet e larta për drejtësi. “Dua të vazhdoj për drejtësi dhe protestën e organizova sepse e urrej korrupsionin dhe padrejtësinë; dhe ajo që po u bëhet maturantëve është padrejtësi”, – tha maturantja, Kristina Kajrani. Në lidhje me kërkesat e maturantëve, drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi tha se testi është hartuar brenda të gjitha kritereve të përcaktuara më parë në program, ndërsa për sa i përket skemës së vlerësimit, tha se nuk është përfundimtar, por thjesht orientues.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Etiketa: