Mërgim Mavraj, mbrojtësi i Kombëtares, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot për ndeshjen e ardhshme miqësore kundër Ukrainës foli edhe për humbjen ndaj Kosovës. Mavraj deklaroi se ekipi duhet të reagoi për atë humbje, ndërsa shtoi se për Kosovën ajo ishte ndeshja e jetës.

“Ishte një ndeshje nga e cila unë mendoj që përgjegjësia është vetëm e jona. Pasi nuk kemi transmetuar në fushë atë që trajneri ka kryer gjatë seancave stërvitore. Kosova e kishte ndeshjen e jetës, ndërsa skuadra jonë kishte testin për të provuar edhe disa elementë të rinj. Sidoqoftë më duhet të them që ne mbajmë përgjegjësi të plotë.

Trajnerin e mirëkuptoj për zgjedhjen e tij për të mos qenë titullar dhe e falenderoj për trajtimin e tij. Kemi përpara Ukrainën dhe do përqendrohemi fort për të bërë një paraqitje sa më të mirë. I kemi një borxh publikut tonë por edhe trajnerit, dhe besoj se skuadra jonë i ka kapacitetet e duhura për të reaguar shumë.

Edhe të rinjtë që vijnë në ekipin kombëtar duhet ta shfrytëzojnë sa më mirë këtë mundësi që u jepet për të veshur këtë fanellë, teksa edhe ndihma e mbështetja jonë për ta nuk do të mungojë. Jemi mirë. Skuadra është e përqendruar dhe kam besim se do të reagojë maksimalisht në sfidën miqësore të radhës”, u shpreh Mavraj.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb