Greqia e mori Presidencën e Bashkimit Europian në një kohë të vështirë. Kriza që kishte kapur Europën, do të mbërthente më së shumti dy vendet tona fqinje, Greqinë dhe Italinë.

Greqia u përpoq ta shfrytëzonte Presidencën për të përballuar krizën, ndërsa Shqipëria për të marrë statusin kandidat për anëtar në BE. Por nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Ambasadori ynë në Athinë asokohe, Dashnor Dervishi, jo vetëm ka ndjekur nga afër, por ka qenë një nga organizatorët e të gjitha përpjekjeve për të rivendosur ura të sigurta bashkëpunimi me Greqinë. Qëndrimi i saj ishte vendimtar, ndaj dhe duheshin sheshuar një sërë çështjesh që kishin mbetur pezull. Ambasadori na kthen pas në kohë, duke na treguar për prapaskena takimesh të rëndësishme, një ndër të cilët ai i ish-ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli. Dervishi e konsideron atë një ngjarje shumë të rëndësishme, pasi kishin kaluar kohë që kur një ministër Mbrojtjeje pritej në Athinë. Për të ardhur në momentin e dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë, konsideratat, perspektivat dhe detyrat që dilnin para vendit tonë, deri në hapjen e negociatave.

DASHNOR DERVISHI AMBASADOR

“MOMENTUM”-I QË NDIHMOI SHQIPËRINË NË MARRJEN E STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT NË BE (GJASHTËMUJORI I PARË 2014)

Kodheli

Viti 2013-14 ishte periudha më e vështirë për krizën që po kalonte Europa, pasojat e së cilës u përjetuan më keq në Greqi dhe Itali. Duke përdorur fjalorin e analistëve vendas, Greqia ishte mbërthyer në kthetrat e një përplasjeje të rëndë, me retorikë ekstreme nihiliste dhe zemërim të verbër të qytetarëve, bazuar në pasigurinë sociale dhe dëshpërimin nga kolapsi ekonomik. Me krizën e rëndë që po kalonte, Greqia që dikur konsiderohej si avokat i vendeve të rajonit në proçeset përafruese me familjen evropiane, vlerësohej si një faktor që kishte vënë në rrezik proceset integruese të rajonit, pasi me gjëndjen e saj i kujtoi BE-së se duhej të ishte më e kujdesshme në procesin zgjerues e më e rreptë me vendet aplikuese për anëtarësim, në drejtim të përmbushjes reale të stadardeve, që parashikonin proceset e integrimit evropian. Ndërkaq, kriza jo vetëm e kishte kthyer rolin e Greqisë në Ballkan nga pol evropian në faktor destabilizues, por, në të njëjtën kohë e detyroi politikën e jashtme greke të braktisë projektet ekonomike të bëra publike në kuadrin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe bashkë me to edhe politikën e saj prej “të grinduri” me të gjithë fqinjët e saj. Radha e Greqisë për të qenë në krye të BE me fillimin e vitit 2014 ishte një “momentum” për Greqinë, duke iu dhënë edhe një herë mundësia për të marrë përsipër rolin e vendit aktiv në rajon, gjë që në fakt e shfrytëzoi në favor të imazhit dhe forcimit të pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare, si dhe në funksion të interesit të saj ekonomik.

Papulias Dervishi

Synimi për të dhënë idenë e ndryshimit u reflektua edhe në përzgjedhjen e prioriteteve të kryesisë greke, duke shfrytëzuar edhe faktin që presidenca në vijim do të ishte nga Italia, një vend tjetër jugor i BE-së, e përfshirë gjithashtu nga kriza. Duke e cilësuar si viti i Mesdheut, kryesia greke në koordinim me atë italiane, tërhoqi vëmendjen në çështjet e pellgut jugor, për t’i bërë pjesë të vëmendjes institucionale të partnerëve evropianë. Në këtë këndvështrim, risi në prioritetet, përbënin politikat detare, emigracioni i paligjshëm, politikat e punësimit, çka bënin pjesë në problematikën me të cilën po përballeshin ndjeshëm vendet e jugut. Në kuadër të marrjes së Presidencës, Venizelos njoftoi se do të ndërmerrte një tur në të gjitha kryeqytetet e rajonit, duke përfshirë edhe Shkupin, pasi “çështja e anëtarësimit të tyre nuk ështe një çështje dypalëshe, por ka të bëjë me respektimin e kritereve të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet kandidate, në përputhje me kriteret e Kopenhagenit dhe Konkluzionet e Këshillit Evropian”.

Më 27 janar 2014, në Konferencën e Kryetarëve të Komiteteve për Çështje Evropiane të parlamenteve të BE-së, MPJ Venizelos, duke u ndalur në politikën e zgjerimit, vlerësoi shumë të rëndësishme konkluzionet e Këshillit të datës 19-20 dhjetor 2013. Ai shprehu kënaqësinë për kryesimin e Konferencës Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë me BE-në, si një zhvillim shumë i rëndësishëm për Serbinë, por edhe për Kosovën dhe perspektivën evropiane për gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne kemi vlerësuar dhe vlerësojmë qëndrimin e Greqisë për integrimin e vendeve të rajonit, pa e vënë atë asnjëherë në dyshim, qysh me shpalljen nga ana e saj të Axhendës 2004 të Selanikut. Gjatë ushtrimit të kryesisë së radhës së BE, Greqia vepronte në kuadrin e klimës që po kalonte vendi, Europa në tërësi dhe BE në veçanti, duke iu përshtatur më së miri realitetit dhe duke e pasqyruar atë realitet në frymën dhe veprimet pragmatike të momentit. Në përshëndetjet e tyre, Jose Manuel Barroso dhe Herman Van Rompuy u përqëndruan kryesisht në vlerat e BE dhe besimin se edhe Greqia do të ndjekë shembullin e vendeve të tjera që kapërcyen krizën. Pranë zyrave të kryesisë greke me qendër në “Zappio” të Athinës u vendosën edhe zyrat e komisioneve të ndryshme të BE, që ndiqnin dhe zbatonin programin e BE. Në muajin maj të atij viti, komisionet e BE do të angazhoheshin edhe me organizimin e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, gjatë së cilës do të debatohej gjërë edhe për të ardhmen e Europës. Ishte momenti kur Britania e Madhe shpalli BREXIT dhe flitej se edhe Greqia do të ndiqte rrugën e saj.

Ishte ajo konjukturë që solli edhe “momentum”-in e pështatshëm për Shqipërinë, për të bërë një hap përpara në proceset e integrimit europian. Praktikisht, Shqipëria insistonte për t’u futur në BE në kulmin e krizës së saj, kur u shfaq Brexit dhe BE po bënte llogaritë e kostos, në rast se Greqia dilte nga Eurozona. Ndaj, niveli i kërkesave për lartësinë e parametrave europiane ndaj Shqipërisë nuk u konsiderua, pasi vetë Europa kishte më shumë nevojë për optimizëm dhe “gjak të ri”. Atmosferën e krijuar në tre muajt e fundit të vitit 2013, ambasada jonë në Athinë e mbajti gjallë në mënyrë edhe më aktive me fillimin dhe përgjatë vitit 2014. Takimet me kolegët e mi në MPJ u bënë më të shpeshta, në mënyrë të veçantë me drejtorin që merrej me vendet fqinje, Georgios Argouistis. Jorgo ishte një diplomat i vjetër që kishte shërbyer në disa vende të rajonit tonë. Ai kishte krijuar një eksperiencë të bollshme dhe njohje të mjaftueshme mbi realitetet që karakterizonin gjendjen në rajon dhe marrëdhëniet komplekse midis dy vendeve tona. Shpesh, në takimet tona mbasi shprehnim “qëndrimet zyrtare”, kalonim në shpjegimet dhe interpretimet personale duke pasqyruar dëshirat tona “sikur të ishte ndryshe”, për të arritur më të mirën. Ndër të tjera, Jorgo më konfirmoi se MPJ Venizelos kishte dhënë porosi për të gjitha ministritë kryesore, që kanë marrëdhënie me Shqipërinë, si dhe ambasadës greke në Tiranë, për të nxitur aktivitetet e përbashkëta dhe vizitat reciproke me institucionet homologe me Shqipërinë, në kuadër të frymës së bashkëpunimit dhe të vitalizimit të komisioneve të përbashkëta; dhe në fakt, ambasadori grek në Tiranë Leonidas Rokanas pati një aktivizim maksimal, duke rritur kontaktet me institucionet në Tiranë, për organizimin e shkëmbimeve reciproke.

Praktikisht, në gjashtë muajt e parë të 2014 vizituan Athinën zyrtare pothuaj të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar shqiptar dhe disa prej drejtuesve të institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë edhe Parlamentin dhe Opozitën e vendit. Kishte një përputhje të përgjithëshme, deri në formën e një “gare”, midis të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë, për të dhënë kontributin e vet në rigjallërimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke shfrytëzuar atë që ne e quajtëm “momentum”, bazuar në platformën e përbashkët të integrimit europian, për arritjen e statusit të vendit kandidat, në fund të qershorit 2014. Janari i vitit 2014 filloi me vizitën spektakolare në Athinë të ministres sonë të mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Përveç të tjerave, zanafilla e ftesës për vizitën filloi në bisedën që pata me ministrin e mbrojtjes Avramopoulos, gjatë një stërvitjeje ushtarake, nga më të mëdhatë që kishte bërë Greqia deri në atë kohë, e koduar si “PARMENION 2013”, në rajonin e Evros, në kufirin midis Turqisë dhe Bullgarisë, në 3 tetor 2013. Si antar i NATO-s dhe vend fqinj, ishim të ftuar së bashku me atasheun ushtarak, Drini Nikolla. Vajtëm e u kthyem me të njëjtin helikopter, së bashku me Avramopoulos dhe grupin e ftuar nga Athina me personalitete politike dhe ushtarakë të lartë, kështu që patëm mundësi të flisnim gjatë. U deshën tre muaj që vizita të bëhej realitet, më 14-15 janar 2014. Bashkë me atasheun ushtarak, Kol. Drini Nikolla, më 9 janar, bëmë disa takime në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë. Në takimin me Këshilltarin Diplomatik të Ministrit të Mbrojtjes Greke, Z. Paresoglu, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të strukturave që do të ishin në mbështetje të vizitës, u njohëm me Projekt-Programin e vizitës, si dhe masat e marra nga pala greke. Pasi u njohëm me Projekt-Programin, vlerësova interesimin e palës greke për vizitën e Ministrit tonë të Mbrojtjes, si dhe për nivelim e lartë të përfaqësimit në takimet që do të zhvilloheshin.

Më pas u takuam me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare, Gjeneral Mikail Kostarakos; takimet e asaj dite u mbyllën me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes Greke, ndërkohë që Atasheu i Mbrojtjes vazhdonte punën me grupin mbështetës për detajet e shoqërimit dhe të sigurisë. Ashtu siç parashikohej, vizita e Ministres sonë të Mbrojtjes u realizua me një organizim perfekt nga pala greke, për një delegacion ushtarak të huaj, jo vetëm nga pikpamja e zbatimit me përpikmëri të protokollit të shtetit, por edhe nga përmbajtja e diskutimeve dhe mesazheve që përcolli. Duhej të ishte hera e pare, që një delegacion ushtarak i huaj të shoqërohej nga Garda e Shtetit në sheshin qëndror të Athinës “SINTAGMA”, duke vendosur kurorë pranë ushatarit të panjohur, në prani të medias dhe shumë kuriozëve. Pas shumë vitesh ngurtësimi, Kryeministri i vendit Samaras dhe Presidenti i Republikës Papulias hapën portat dhe pritën ministren tonë, duke dhënë mesazhe të rëndësishme të miqësisë dhe mbështetje për integrimin europian. Vizita u ndoq me shumë interes nga mediat në të dy vendet tona. Për të dhënë sado pak përshtypjet lidhur me atë vizitë, po citoj disa rrjeshta nga një prej intervistave të mia të kohës:

“Ka qenë një nga vizitat më të suksesshme të një delegacioni shqiptar, në këtë rast të ministres Kodheli. Është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, pas vizitave të zhvilluara më parë në Tiranë nga autoritetet greke… Kjo vizitë ishte pasqyrë e kësaj vazhdimësie dhe kishte një sërë takimesh në nivelet më të larta. Takimi i parë ishte me kryeministrin Samaras dhe më pas me nivele të tjera më të lartat të drejtuesve të ushtrisë. U bënë vizita në shkollat ushtarake greke, ku janë edhe një numër i konsiderueshëm studentësh shqiptarë… Duke folur për çështjet e “nxehta”, mes dy vendeve, diskutimet kanë sjellë një erë të re të marrëdhënieve mes dy vendeve. Këto çështje tashmë janë bërë të njohura për publikun shqiptar që vazhdojnë të mbesin në axhendën e dy vendeve, por jo vetëm duke i evidentuar ato si çështje që nuk lënë për të marrë frymë lirshëm marrëdhëniet mes vendeve tona, por në kërkim të gjetjes së zgjidhjeve afatgjata, duke krijuar një frymë të re dhe për t’i dhënë një hov cilësor marrëdhënieve tona… Greqia mbetet një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat”.

Vizita e Kodhelit u pasua nga ajo e MPJ Ditmir Bushati në Athinë, më 5- 6 shkurt, me rastin e ceremonisë të marrjes së kryesimit nga Shqipëria, të Nismës Rajonale Adriatiko-Joniane (NAJ) dhe të pjesëmarrjes në takimin e Presidencës greke të BE-së për Makrorajonin Adriatiko-Jonian; vizita u shfrytëzua edhe për bisedime dypalëshe. Përveç takimit kokë më kokë midis dy MPJ, Bushati u prit edhe nga Kryeministri Samaras dhe Presidendi i Republikës Papulias. Në këto takime tema e bisedave ishte nevoja e vazhdimit të dialogut transparent për krijimin e besimit reciprok në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, shfrytëzimi i projektit të përbashkët TAP, për të krijuar një korridor të bashkëpunimit jo vetëm ekonomik, por edhe njerëzor. Me përshpejtimin në rrugën e procesit integrues të Shqipërisë në BE, do të gjenin zgjidhje edhe problemet tona të së kaluarës, që lidhen me mbajtjen në fuqi të Ligjit të Luftës nga Greqia, çështja e detit, varrezat e ushtarëve grekë; çështja çame, toponimet, tekstet shkollore, etj. ……

Me statusin e Presidentit të Këshillit të Ministrave gjatë Presidencës greke të BE-së, zv.Kryeministrit dhe MPJ Venizelos, më 18 shkurt nisi një tur në të gjitha vendet e Rajonit tonë, duke përfshirë edhe Prishtinën, të cilin e mbylli në Tiranë më 21 shkurt. Përsëri takimet protokollare të nivelit të lartë përfshinë edhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha, kryepeshkopin Anastas Janullatos dhe kreun e minoritetit grek, Vangjel Dule, si edhe një grup minoritarësh. Përsëri u diskutua Ligji i Luftës, e drejta e pronave dhe çështja çame, deti, minoriteti, etj. Në bisedimet në MPJ u theksua gatishmëria e palës greke, për të mbështetur Tiranën në rrugën drejt integrimit Evropian, së bashku me Italinë, e cila do të merrte Presidencën e BE-së pas Greqisë; u ra dakord për të nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për mbështetjen nga Greqia të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Nga ana jonë u përsërit nevoja e riaktivizimit të mekanizmave të parashikuara nga Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, si dhe vullneti i qeverisë shqiptare për adresimin e çështjeve të mbartura dhe ato që kanë lindur rishtazi. Nga 20 deri 22 shkurt erdhi në Athinë Ministri ynë i Drejtësisë Nasip Naço, për t’u takuar me homologun e tij grek Charalampos Athanasiou dhe takime të tjera të rëndësishme.

Në të njëjtën kohë, në Selanik erdhi MPJ Ditmir Bushati, për të marrë pjesë në takimin trepalësh të ministrave të jashtëm të vendeve fqinje Greqi, Bullgari dhe Maqedoni. Takimi u shfrytëzua për të trajtuar gjatë, në mënyrë të veçantë, çështjen e ligjit të luftës dhe atë që lidhej me ndryshimin e toponimeve. Venizelos, pavarësisht nga deklaratat publike, se Ligji i Luftës nuk ekzistonte, pasi ishte abroguar me një vendim qeveritar të vitit 1986, e kishte marrë seriozisht analizimin në thellësi të çështjes, në pasojat që do të mbartëte për Greqinë akti i anulimit të tij, që lidhej direkt me kthimin e pronave çame. Në rrugë informale, ne kishin mësuar se grupi i punës që ishte ngritur për këtë gjë, kishte dorëzuar një raport analitik, ku parashtroheshin faktorët politikë, kostot ekonomike, reagimet e brendëshme, efektet rajonale, pasojat dhe rrezikshmëritë e mundshme, në rast përshkallëzimi të kërkesave nga ana jonë, etj. (Asnjëherë nuk kemi përmendur fjalën “genocid” ndaj popullsisë çame).

Në atë periudhë, në rend të ditës për ne ishte çështja e toponimeve. Mosvlerësimi i mëparshëm nga ana jonë, për të bërë ndryshimet sipas kërkesës greke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për të cilën OKB rekomandon standardizim në përdorimin e Katalogut të emrave gjeografikë të vendeve të ndryshme, (miratuar në New York, në vitin 1998), u përdor dhunshëm nga pala greke, me krijimin e pengesave të shumta në kalimet në kufi, me dokumentat e shkollës për fëmijët e tyre, etj. Problemi mori përmasa shqetësuese për shtetasit tanë me banim në Greqi, duke rritur në përmasa të rrezikshme revoltat e tyre dhe pakënaqësitë ndaj qeverisë tonë. Në takimin e Selanikut, u dha sinjali nga ana jonë për ta mbyllur atë çështje dhe u diskutuan disa modalitete, duke e trajtuar si një çështje teknike. Më vonë, në takimin midis Bushatit e Venizelos, gjatë punimeve të Konferencës BE-Ballkani Perëndimor, në Selanik, më 8 maj 2014, u detajua drafti i përbashkët që mbyllte atë çështje pëfundimisht. Disa ditë më pas, ajo u bë publike nëpërmjet deklaratës së përbashkët Bushati-Venizellos në Bruksel, më 12 maj, para mbajtjes së Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit BE – Shqipëri.

Kjo gjë u paraqit nga Greqia si një arritje e politikës së jashtme. Ajo e “lehtësonte” deri diku qeverinë greke ndaj reagimeve konservatore dhe ekstremiste, që e kundërshtonin atë për mbështetjen ndaj vendit tonë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Për palën tonë, ishte një veprim i vonuar, por që i dha mesazhin palës greke, për vullnetin e mirë të qeverisë së re shqiptare, për të zgjidhur çështje në interes të qytetarëve tanë, në të dy anët e kufirit. Gjatë muajit mars-prill 2014, vizitat e ministrave shqiptarë në Athinë pasonin njëra-tjetrën: Ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni; ministrja e arsimit, Lindita Nikolla; Ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri; ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja; ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha; ministri Brendshëm, Saimir Tahiri; të gjitha ishin vizita zyrtare, të ftuar nga homologët e tyre grekë.

Më 27-28 prill, Kryetari i Parlamentit grek, Vangelis Meimarakis, në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të NAJ, vizitoi Tiranën ku zhvilloi takime me Ilir Metën, Bujar Nishanin e Lulzim Bashën. Në bilancin përfundimtar të aktiviteteve gjatë 6 muajve të Presidencës greke të BE-së, u organizuan: 161 takime, 21 prej të cilave ishin ministeriale; 36 seanca të Këshillit Evropian janë mbajtur në Bruksel dhe Luksemburg; më shumë se 12,000 anëtarë të delegacioneve u pritën në pallatin Zappio, pa përfshirë mbi 3000 gazetarë, teknikë dhe njerëz të mediave; shpenzimet për Presidencën arritën në 18-19 milionë euro, apo 30% të buxhetit të reduktuar. Pavarësisht presidencës greke, me inisiativë dhe me aprovimin e komisioneve evropiane, në disa prej aktiviteteve ishin ftuar për të qenë të pranishëm edhe ministra të qeverisë shqiptare si një vend fqinj për Greqinë dhe kandidat potencial për të marrë statusin e vendit kandidat. Të tilla ishin takimet për energjinë, arsimin dhe turizmin, ku përveç asaj të turizmit, pavarësisht se ministrat shqiptarë nuk erdhën për arsye teknike, vendi ynë u përfaqësua nga ambasadori ynë në Athinë. Në mbrëmjen e datës 24 qershor, në faqen zyrtare të MPJ u botua deklarata e MPJ Evangelos Venizelos, mbajtur një ditë më parë, në përfundim të punimeve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE, e fundit nën presidencën greke, që u zhvillua në Luksemburg dhe ku u vendos t’i jepet Shqipërisë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në familjen evropiane:

“Sot Këshilli vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse stabilizon Ballkanin Perëndimor, promovon marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, duke kuptuar se sa i madh ka qenë kontributi i presidencës greke. I dërgojmë një mesazh miqësie, bashkëpunimi, Shqipërisë, qeverisë shqiptare, sistemit politik shqiptar. Jemi të sigurt se miqtë tanë shqiptarë e kuptojnë se ekziston një kuadër referimi, institucional dhe politik. Ky kuadër janë kriteret e Kopenhagës, respektimi i vlerave europiane, i të drejtës ndërkombëtare përfshi të drejtën e detit, respektimi i parimeve të fqinjësisë së mirë. Ky është mesazhi i përbashkët i 28 vendeve anëtare të BE dhe i Komisionit Europian. Besoj se dhënia e statusit do të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë, me qëllim që në një moment, sa më shpejt që të jetë e mundur, të fillojnë edhe negociatat për anëtarësim”.

Venizelos, në përgjigje të pyetjes së një gazetari, sqaroi “keqkuptimin”, se ajo çfarë vendosi Këshilli i BE dhe u miratua nga Këshilli i Evropës, nuk ishte hapja e negociatave të pranimit me Shqipërinë, por dhënia e statusit të vendit kandidat, gjë e cila është krejtësisht e ndryshme:

“Statusin e vendit kandidat e ka ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, që nga viti 2005 dhe janë shumë të rëndësishme datat. Turqia shumë vite më parë, pasi edhe ajo ka një marrëveshje shumë të vjetër asocimi. Turqia i ka të hapura negociatat, por ju e shikoni sa e vështirë është që të hapen kapitujt individualë. Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm dy i kanë të hapura negociatat: Mali i Zi, i cili ka përparuar në shumë kapituj dhe së fundmi dje në konferencën ndërqeveritare u hapën pesë kapituj të tjerë, dhe Serbia, më të cilën nisëm negociatat, por pavarësisht dëshirës tonë, ende nuk ka fonde… Pra, është tjetër gjë marrja e statusit kandidat dhe tjetër hapja e negociatave. Për të bërë hapjen e negociatave duhet të përmbushen të gjitha kriteret e Kopenhagen. Duhet të jenë dhënë gjithë provat dhe dëshmitë e pranimit të dokumentave komunitare; kjo ka të bëjë edhe me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare të detit”.

Burimi: Panorama 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb