*Sa i përket ndryshimeve në qeveri, kryetari i parlamentit e anashkaloi me një batutë pyetjen

TIRANË- Maxhoranca është e unifikuar në qëndrimin e saj mbi reformat ekonomike në vend. Kjo u bë e ditur pas një takimi 90 minutësh që kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta kryen sot paradite në Vilën numër 30 në Bllok, në prani të disa ministrave.

Takimi është zhvilluar në ambientet e vilës qeveritare, ndërsa ka zgjatur rreth 90 minuta ku morën pjesë ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.

Mësohet se takimi është fokusuar tek ekonomia, nisur edhe nga miratimi disa orë më parë i buxhetit faktik nga Kuvendi. Ministri Ahmetaj deklaroi në dalje nga tryeza e maxhorancës se ka pasur një qëndrim unik për politikat buxhetore financiare që aleanca do marrë në 2016 dhe afatmesëm. Ai konfirmoi se nuk do të ketë taksa të rritura, madje sipas tij do të ketë taksa të ulura në bujqësi dhe turizëm.

“U fol për zhvillimet ekonomike dhe u rakordua për politikat buxhetore financiare që aleanca do marrë në 2016-ën dhe afatmesëm. Propozimet janë të rakorduara dhe ka një qëndrim unik për atë çfarë do bëjmë. Nuk ka më taksa të rritura, nuk ka më. Në bujqësi, turizëm, taksa të ulura”, deklaroi Ahmetaj.

Meta: Ja cfarë diskutuam 90 minuta
I pyetur nëse biseda u përqëndrua tek buxheti faktik që u miratuar në Kuvend, Meta u përgjigj se; “Unë mendoj që këto janë cështje që vijojnë të diskutohen dhe vetë buxheti nuk është paraqitur si një projekt i tillë dhe duhet të dëgjohen debatet e grupeve të interesit, kemi dëgjuar një ekspoze dhe kemi shkëmbyer disa mendime dhe jemi në vijimësi të këtij procesi dhe projekt-buxheti të paraqitet në parlament dhe të kenë kohë të gjitha komisionet parlamentare, ta diskutojnë”.

Kurse lidhur me shqetësimet e biznesit për buxhetin faktik, Meta u shpreh se ka shqetësime dhe do të ndiqet me kujdes ky shqetësim. “Patjetër ka shqetësime dhe këto do i dëgjojmë përsëri dhe do përpiqemi të reflektojmë brenda mundësive dhe hapësirave dhe objektivave makroekonomike, pasi duhet përnirësuar cdo ditë klima e biznesit dhe duhet formalizimi i ekonomisë sepse është një burim i jashtëzakonshëm për rritjen e investimeve sa i përket bizneseve”.

Sa i përket ndryshimeve në qeveri, kryetari i parlamentit e anashkaloi me një batutë këtë pyetje.
“E rëndësishme është që të bëjmë një buxhet sa më të mirë dhe tani nëse më lejoni do takoj kushërirën time se kam kaq kohë pa e takuar”. Pas këtyre fjalëve, Meta drejtohet nga një grua dhe shkon e përqafon.

(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: