TIRANË- Parlamenti miratoi sot me 84 vota pro disa ndryshime në ligjin e Gjykatës së Lartë. Një grup deputetësh kanë propozuar ngritjen e një Këshilli për Emërimet që do të shqyrtojë kandidaturat për në Gjykatë të
Lartë dhe do ti hartojë Presidentit një raport, ku ai do mbështetet për dekretin që do nxjerrë.

Sipas deputetëve kjo mënyrë i jep fund përplasjeve mes maxhorancës dhe institucionit të Presidentit pas rrëzimit të disa dekreteve të kreut të Shtetit. Por menjëherë pas votimit të këtyre ndryshimeve, Presidenca ka reaguar ashpër duke e quajtur ligjin e miratuar asgjësim të këtij institucioni.

Burime zyrtare nga Presidenca thanë për “Panorama Online” se “ne e konsiderojmë si akt thellësisht antikushtetues, si një vijimësi e akteve të tjera që po çojnë në asgjësimin e Institucionit të Presidentit të Republikës, si shenja të forta të një modeli politik autoritarist”.

Sipas Presidencës është surprizë argumenti i maxhorancës se këto ndryshime
mbështeten edhe nga EURALIUS, kur vetë Komisioni Europian ka kërkuar që për amendamentet e ligjeve të sistemit të drejtësisë të pyetet edhe Komisioni i Venecias.

“Për ne surprizë është pretendimi i qeverisë se heqjen e kësaj kompetence të
Presidentit e mbështet dhe EURALIUS, për sa kohë Komisioni Europian ka
kërkuar që asnjë ligj i sistemit të drejtësisë të mos bëhet pa miratimin e
Komisionit të Venecias. Sipas pretendimit të Qeverisë del që EURALIUS ka
qëndrim të ndryshëm nga ai i Komisionit Europian. Parlamenti as ka denjuar
t’i ftojë në Komisionin e Ligjeve përfaqësuesit e Presidentit gjatë diskutimit të këtij ligji”, shprehen më tej burimet në Presidencë.

(m.k/Panorama-online/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb