Duke folur për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën se, duke mbrojtur Olta Xhaçkën, po mbron interesat e tij.

Berisha theksoi se mazhoranca po përballet me një krizë të brendshme dhe është në proces shpërbërjeje.

Ai shtoi se mazhoranca do të pësojë disfatën më të thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Mbrojtja që i bën Edi Rama, Olta Xhaçkës, është mbrojtje që ai i bën aksioneve të veta që ka në të gjithë investitorët strategjikë, përfshi edhe burrin strategjik të Olta Xhaçkës, Artan Gaçi.

Në këtë aspekt, kjo është një ditë e shëmtuar për parlamentin ku nuk ka më asnjë lloj morali, nuk ka më asnjë lloj etike.

Nuk ka, ka vetëm qëllime kriminale për të mbrojtur veprat e zeza të qeveritarëve.

Ndaj unë u propozova atyre sot, i thashë atij kryetarit të grupit parlamentar, të vij unë t’ua them se këta janë të çuditshëm, mblidhen atje në grup parlamentar dhe fillojnë dhe zihen se pse ia lejove këtë opozitës dhe pse nuk ia lejove këtë opozitës.

Belinda dhe mos e thërrisni më Lubi Balluku, por Lubi Loti, pse loti?

Se nga viti 2005 deri në vitin 2013 nuk kishit dëgjuar ndonjëherë fjalën lot se rruga kontraktohej nga Farka në Bradashesh, nga Rrësheni në Kukës, nga Orikumi në Sarandë, pra këta kanë kthyer modelin e loteve, është modeli i shumëfishimit të vjedhjeve.

Siç bënte Edi Rama me hyrjet, që i jepte për çdo hyrje nga një leje ndërtimi që të merrte ryshfetin.

Dhe kjo Loti del e bën gazetaren dhe kronistin sapo flas unë për lotin, vizitova lotin e dytë, vizitova vjedhjen e tretë.

Këta në grup nuk merren me problemet e zgjedhësve të tyre, të atyre që i kanë votuar, këta merren me problemet me opozitën, si të mbrojnë vjedhjet e tyre nga opozita, si të reagojnë me armiqësi ndaj opozitës.

E vërteta është se janë në shkërmoqje, siç e keni parë vetë d.m.th.

Janë në një betejë të brendshme dhe unitet me krimin nuk ka.

Koha do provojë se si këta do të pësojnë disfatën më të thellë me datën 11 maj dhe do arkivohen në banesën e turpit të historisë me këtë që i kanë bërë Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb