Një debat i fortë është zhvilluar sot gjatë punimeve në seancën plenare në Parlament, për shkak të një ligji për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale, e për të cilat Opozita është shprehur kundër. Përplasje, tensione, akuza e fyerje mes deputetëve të PD dhe PS dominuan seancën e sotme parlamentare.

Diskutime të forta mes tyre patën edhe deputetja e PD, Dhurata Çupi dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ligjvënësja demokrate denoncoi se “qëllimi i mazhorancës me këto ligje të përshpejtuara është deformimi i zgjedhjeve 2025 dhe marrja e tyre në tavolinë”. Çupi përmendi edhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, që sipas saj po kalohet gjithashtu nga mazhoranca me procedurë të përshpejtuara sikurse ai i gjobave, zhvillime këto të 24 orëve të fundit. Sipas Çupit, ligji parashikon gjoba miliardëshe ndaj bizneseve, pa marrë mendimin e këtyre bizneseve dhe pa u konsultuar.

Por ministri Manja i kërkoi të mos spekulonte, pasi qëllimi i opozitës ishte vetëm “sabotimi i procesit të integrimit”. Ministri sqaroi edhe çështjen e ligjit të të dhënave personale, duke thënë se ka 3 vite në konsultim dhe diskutim në Kuvend.

Debati i plotë Çupi-Manja në Parlament:

Dhurata Çupi: Zonja kryetare, dua të denoncoj me forcën më të madhe përpjekjen e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv vetëm në 24 orët e fundit, përpjekjet tuaja për të future ligje me procedura të përshpejtuara në funksion të deformimit të zgjedhjeve. Dua të denoncoj… Ina… Ina të flas… (i drejtohet Ina Zhupës që po akuzonte punonjësit e Gardës që hoqën një poster që ajo kishte ngjitur te foltorja e Kuvendit). Zonja kryetare, dua të denoncoj me forcë të madhe përpjekjet e mazhorancës për të marrë zgjedhjet në tavolinë, përpjekjet për të deformuar rezultatin zgjedhor, përpjekjet e deputetëve të mazhorancës, ministrave dhe kryeministrit Rama, që gjatë 24 orëve të fundit, përpjekje për të kaluar ligje me procedurë të përshpejtuar.

Spiropali i drejtohet Bardhit: Mos e vendosni në foltoren e Kuvendit (për posterin që më herët ngjiti Ina Zhupa)… Ju lutem mos e vendosni! Pse? Është pronë e të gjithëve, si mund ta ekspozoni…!

Dhurata Çupi:… Dje në Komisionin e Ligjeve, me kërkesë të deputetëve të opozitës u shty diskutimi për projektligjin e mbrojtjes së të dhënave personale. Jashtë afateve kohore, ende ligji është për diskutim publik në faqen e Kuvendit. Dhe pa kaluar afati i diskutimit, ky ligj po kërkohet të kalohet në Komision dhe ne kërkuam shtyrjen. Dhe çfarë kishte ky ligj? Këtë që ju pretendoni, të hiqni gjobat sot, dje ju vendosnit te ky ligj gjoba me miliarda e miliona euro për bizneset! Prandaj zonja kryetare merrni masa për të mos futur ligje jashtë procedure, për të respektuar procedurat e shqyrtimit të ligjeve, ligje që janë në funksion të deformimit të rezultateve zgjedhore, dhe deformimit të vullnetit të shqiptarëve. Dua ta denoncoj për ju zonja kryetare, për KQZ, për organizatat joqeveritare, lokale, vendore apo ndërkombëtare, që ju po merrni masat që për çdo ligj që e sillni, e sillni për të deformuar dhe për të marrë zgjedhjet në tavolinë. Ky denoncim është serioz dhe do ta them edhe në takimet me organizatat e tjera, ju në cdo seancë sillni këtu shqyrtime projektligjesh për të deformuar rezultatin zgjedhor. Vetëm në 24 orët e fundit, e theksoj, janë 2 projektligje. Ky që sollët sot, me procedurë të përshpejtuar, për të hequr gjobat dhe dje që ishte ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, për t’i vendos gjoba bizneseve, me miliarda! Me miliarsda bizneseve të cilëve ende nuk ia keni marrë mendimin dhe janë kundër. Mos pretendoni që edhe zgjedhjet e 2025 t’i merrni në tavolinë, të deformoni rezultatet e zgjedhjeve, të deformoni vullnetin e shqiptarëve me këto forma bajate. Po ata që kanë humbur jetën në qelitë e burgut për gjoba, si do ja ktheni jetën atyre, çfarë do t’i falni atyre!

Ulsi Manja: Tani është e kuptueshme që ju jeni kundra edhe për faljen e gjobave, edhe për të sabotuar procesin e integrimit. Integrimin dhe BE-në e keni sa për konsum politik. Zonja Tabaku, unë pres nga ty që t’i përgjigjesh zonjës Çupi se ligji për të dhënat personale, që po diskutohet në komisionet e përhershme të Kuvendit të Shqipërisë ka 3 vjet që i nënshtrohet diskutimit dhe konsultimit publik dhe është i pari ligj në Shqipëri, që do votohet në këtë parlament, që është përafrim 100 për qind me direktivën dhe rregulloren e BE-së. Dhe ato gjoba për të cilat ju flisni janë aty në rregulloren e BE-së dhe në direktivën e BE-së dhe mos spekuloni! Ju çdo gjë e mirë që ne bëjmë në procesin e integrimit dhe funksion të qytetarëve, është e kuptueshme që nuk ju vjen mirë (Tabaku dhe Çupi kundërshtojnë nga tavolinat fjalën e ministrit). Ndaj ju do të rrini aty ku jeni edhe pas Majit 2025, ne do të rrimë këtu ku jemi edhe pas Majit 2025. Shqiptarët e dinë se kush punon për ata për procesin e integrimit dhe kush punon si qyqe kundra! Mos spekulo, sepse edhe dje keni spekuluar në komisionin e ligjeve dhe këtu keni marrë përsipër të spekuloni dhe dezinformoni opinionin publik dhe biznesin. Dhe për turpin tuaj keni ngritur disa shoqata anonime biznesi për të bllokuar një ligj shumë të rëndësishëm, që është një nga ligjet kryesore në negociatat për Grupthemeloret! Ju doni të sabotoni procesin e negociatave për kapitullin 23! Këto jeni ju, dakort!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb