TIRANE-“Panairi i Punës 2016 në vetëm dy ditët e para të tij mundësoi 11,200 aplikime për punë, ndërkohë që u vizitua nga më shumë se 55,000 persona”. Këto ishin disa nga shifrat qe bënë të ditur sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, gjatë një konference të përbashkët për mediat.

Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i Bashkisë, theksoi se të dhënat paraprake të të interesuarve për punë në këtë panair tregojnë se sa i nevojshëm është kualifikimi i krahut të punës.
“Shifrat e panairit tregojnë të dhëna shumë interesante. Kompania “Conad” kishte ofruar 6 vende pune, duke qenë se kërkoheshin aftësi bazike, për ato pozicione kishte 200 aplikantë. Ndërkohë që kompania e TAP-it ka ofruar 1200 vende pune dhe ka marrë vetëm 700 aplikime. Unë nuk besoj se ka një provë më të mirë sesa këto 2 shifra të asaj që ka qenë motoja e të gjithë panairit që: “vende pune ka, kemi nevojë për profesionistë”, tha Mazniku.

Ai shtoi se “Panairi i Punës 2016” mundësoi afrimin e kërkesës me ofertën e tregut të punës. Sipas tij, Bashkia e Tiranës me kantieret e punës që ka hapur në gjithë territorin e saj ka mundësuar edhe hapjen e qindra vendeve të punës. “Ajo që po bëhet në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet investimeve publike është një mënyrë sesi shteti po investon edhe në hapjen e vendeve të punës. Punimet në sheshin ‘Skënderbej’, që do të fillojnë së shpejti do të krijojnë më shumë se 900 vende pune. Këtu nuk janë llogaritur vendet e punës sekondare, siç mund të jenë gurëprerësit, që mund të jenë Tropojë, Korçë apo në Librazhd, apo ata që do të merren me transportin e pemëve nga gjithë Shqipëria”, tha Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se nëpërmjet këtij panairi, me ofrimin e 8 mijë vendeve të punës nga 130 kompani, u konfirmua edhe një herë ndryshimi i konceptit thelbësor që shteti duhet të ketë në raport me tregun e punës.

Ne Panairin e Punës 2016, morën pjese 120 kompani, të cilat ofruan përafërsisht 8000 vende të lira pune. Panairi ngjalli një interes të madh te qytetarët dhe në dy ditë atë e vizituan më shumë se 50 mijë individë. Ndërkohë që aplikuan dhe u intervistuan në ambientet e Pallatit të Kongreseve, 11.200 individë të cilët janë përzgjedhur që në ditët në vijim të zhvillojnë intervista më të detajuara pranë ambienteve të kompanive pjesëmarrëse.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: